Forcat ukrainase ndoshta do të duhet të tërhiqen nga Severodonjeck, një prej dy qyteteve kryesore të rezistencës në lindje të vendit që forcat ruse janë afër t'i rrethojnë, paralajmëroi një zyrtar. Ky njoftim vjen teksa Britania tha se Moska ka nevojë akute për një fitore në Donbas si justifikim politik për luftën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e përshkroi situatën aktuale në rajonin e Donbasit si “shumë të vështirë”.
“Forcat ruse kanë përqendruar përpjekjet e tyre në Donbas, duke përdorur sulme të artilerisë dhe sulme me raketa, ndërsa forcat ukrainase po mbrojnë tokën tonë në mënyrë që të lejojnë që të ketë burime të mbrojtjes”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një adresimi natën e 27 majit.
Trupat ruse kanë bërë një përparim të shpejt në rajonin e Luhanskut, duke u përqendruar në qytetet Severodonjeck dhe Lisiçansk.
Sulmet e vazhdueshme me artileri kanë shkatërruar pothuajse plotësisht Severodonjeckut dhe kanë vrarë qindra civilë, thanë zyrtarët e këtij qyteti.
Serhiy Hayday, guvernator i Luhanskut, tha më 28 maj se janë afër 10,000 trupa ruse në rajon dhe se rusët veçse kanë hyrë në disa pjesë të Severodonjeckut.
“Është e mundshme në mënyrë që të mos dorëzohen, ata [ukrainasit] do të duhet të largohen”, tha Hayday.
Kryetari i Severodonjeckut, Olesandr Stryuk, tha se të paktën 1,500 persona janë vrarë në qytet qëkur Rusia nisi pushimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Afër 12,000 deri në 13,000 persona vazhdojnë të jenë në qytet, tha ai. Severodonjecku kishte një popullsi prej afër 100,000 banorësh para se të niste lufta.
Ndërkaq, Ministria britanike e Mbrojtjes tha më 28 maj se forcat ruse me gjasë kanë marrë shumicën e territorit të Limanit, një zonë në perëndim të Severodonjeckut dhe sipas inteligjencës britanike, ky duket të jetë operacioni fillestar i fazës së ardhshme të ofensivës ruse.
Ukraina po ashtu ka thënë se rusët kanë marrë kontrollin e shumicës së Limanit dhe se forcat e saj po pengojnë përparimin e rusëve në jugperëndim.
Inteligjenca britanike vlerësoi se Rusia me gjasë do të vë si prioritet marrjen e kalimit të lumit Siverski Donjeck, që ndan Severodonjeckun nga qyteti Lisiçansku.
Moska e ka vendosur si objektiv kyç marrjen e të gjithë rajonit lindor të Donbasit, pasi dështoi që të merrte kontrollin e Kievit.
Në buletin, Ministria britanike e Mbrojtjes vlerësoi se “nëse Rusia ka sukses për të marrë kontrollin e këtyre zonave, në Kremlin ka të ngjarë që kjo të shihet si fitore politike dhe të paraqitet para popullit rus si justifikim për pushtimin”.