Ndërlidhjet

Armët bërthamore taktike dhe politika e Rusisë për to


Testimi i raketës taktike ruse, Iskander-K. Fotografi nga arkivi.
Testimi i raketës taktike ruse, Iskander-K. Fotografi nga arkivi.

Reuters

Rusia ka arritur marrëveshje për të dislokuar në Bjellorusinë fqinje armë bërthamore taktike, tha presidenti rus, Vladimir Putin, më 25 mars. Ai tha se kjo marrëveshje nuk shkel paktet për mospërhapje të këtyre llojeve të armëve.

Por, çfarë janë këto armë dhe cila është politika e Rusisë për to:

Cilat janë shqetësimet?

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se bota përballet me rrezikun më të madh bërthamor që nga Kriza kubane e raketave e vitit 1962 për shkak të deklaratave të Putinit gjatë konfliktit në Ukrainë, por Moska ka thënë se pozicioni i saj është keqinterpretuar.

Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë kanë frikë se armët bërthamore taktike mund të përdoren në betejë, pasi Putin dhe zyrtarë të tjerë kanë paralajmëruar se Rusia është e përgatitur që t'i përdorë për t’u mbrojtur të gjitha armët që ka në arsenalin e saj të madh.

Çfarë janë armët bërthamore taktike?

Akademikët dhe negociatorët e kontrollit të armëve për vite me radhë kanë debatuar rreth asaj se si t’i definojnë armët bërthamore taktike. Thelbi qëndron tek emri i tyre: ato janë armë bërthamore që përdoren për përfitime specifike taktike në fushëbetejë, në vend se të përdoren për shembull për të shkatërruar qytete të mëdha të Shteteve të Bashkuara ose të Rusisë.

Pak njerëz e dinë se sa armë bërthamore taktike ka Rusia, sepse kjo temë është ende e mbështjellë me traditën e sekreteve të Luftës së Ftohtë.

Rusia ka një epërsi të madhe numerike ndaj SHBA-së dhe ndaj aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s kur bëhet fjalë për armët bërthamore taktike: SHBA-ja beson se Rusia ka rreth 2.000 koka të tilla bërthamore taktike funksionale, apo dhjetë herë më shumë sesa Uashingtoni.

Këto koka bërthamore mund të lëshohen përmes llojeve të ndryshme të raketave, silurëve dhe bombave të gravitetit që lëshohen nga forcat detare, ajrore apo nga forcat tokësore. Ato, madje, thjesht mund të dërgohen përmes transportit tokësor në një zonë të caktuar dhe të shpërthehen.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 200 armë të tilla, gjysma e të cilave janë në bazat ushtarake në Evropë. Këto bomba bërthamore të llojit B61 që janë të gjata afër 4 metra, me forca të ndryshme shpërthyese nga 0.3 deri në 170 kilotonë, janë të dislokuara në gjashtë baza ajrore në Itali, Gjermani, Turqi, Belgjikë dhe Holandë.

Bomba bërthamore që SHBA-ja lëshoi në qytetin japonez të Hiroshimës më 1945 ishte rreth 15 kilotonë.

Kush jep urdhra në Rusi për lëshimin e armëve të tilla?

Presidenti është personi kryesor që merr vendime kur bëhet fjalë për përdorimin e armëve bërthamore ruse, si ato strategjike dhe jostrategike, sipas doktrinës bërthamore të Rusisë.

Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë më 1991, Rusia kishte rreth 22.000 armë bërthamore taktike, ndërkaq SHBA-ja rreth 11.500. Shumica e këtyre armëve janë çmontuar ose po presin që të çmontohen.

Ato që kanë mbetur janë në depo në të paktën 30 baza ushtarake dhe janë nën kontrollin e Drejtorisë Kryesore të 12-të të Ministrisë së Mbrojtjes, që udhëhiqet nga Igor Kolesnikov, i cili i raporton drejtpërdrejt ministrit të Mbrojtjes.

Për të përgatitur një sulm me armë bërthamore taktike, ka shumë gjasa që Putini do të duhej të konsultohej me aleatët e tij të lartë nga Këshilli rus i Sigurisë, përpara se të urdhëronte një sulm të tillë. Urdhri për sulm jepet përmes Shtabit të Përgjithshëm dhe më pas koka bërthamore bashkohet me pajisjen që do ta lëshojë dhe bëhet gati për urdhrin potencial të sulmit.

Për shkak se Putini nuk do të mundej ta parashikonte përgjigjen e SHBA-së, i gjithë qëndrimi bërthamor i Rusisë do të duhej të ndryshonte: nëndetëset do të shkonin në det, forcat raketore do të vendoseshin në gatishmëri të lartë dhe bombarduesit strategjikë do të shiheshin në baza ushtarake, të gatshëm për t’u nisur menjëherë.

Dislokimi i armëve bërthamore

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991, SHBA-ja bëri përpjekje të mëdha për të rikthyer në Rusi armët bërthamore sovjetike që ishin të dislokuara në Bjellorusi, Ukrainë dhe Kazakistan. Kjo mundësoi që Rusia të trashëgonte arsenalin bërthamor të Bashkimit Sovjetik.

Që kur këto armë u rikthyen në fillim të viteve ’90, Rusia nuk kishte njoftuar për ndonjë dislokim të armëve bërthamore jashtë kufijve të saj.

Putin tha më 25 mars se marrëveshja me Bjellorusinë nuk do të shkelte marrëveshjen për mospërhapjen e armëve bërthamore.

Traktati për mospërhapjen e armëve bërthamore, që ishte nënshkruar nga Bashkimi Sovjetik, thotë se asnjë fuqi bërthamore nuk mund të transferojë armë dhe teknologji bërthamore te një shtet që nuk është fuqi bërthamore. Por, ky traktat lejon që armët të dislokohen jashtë kufijve të fuqive bërthamore, por që duhet të jenë nën kontroll të shtetit që i dislokon, ashtu siç është rasti me armët bërthamore të SHBA-së që gjenden në Evropë.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG