Rusia e ka akuzuar Perëndimin se i ka rritur në mënyrë "artificiale" tensionet duke bërë deklarata kinse Moska mund të sulmojë Ukrainën fqinje.
"Kjo histeri po trumbetohet artificialisht. Ne po akuzohemi për një lloj aktiviteti të pazakontë ushtarak në territorin tonë nga ata që kanë sjellë forcat e tyre të armatosura nga i gjithë vendi. E kam fjalën për Shtetet e Bashkuara", tha në televizionin shtetëror rus më 21 nëntor, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ai akuzoi NATO-n për përqendrimin e ushtarak pranë kufijve të Rusisë dhe i kërkoi aleancës të ndalonte furnizimin me armë të Ukrainës.
Në një intervistë të publikuar nga Military Times, shefi i inteligjencës ushtarake ukrainase, Kyrylo Budanov, pretendoi se Rusia kishte grumbulluar më shumë se 92,000 trupa rreth kufijve të Ukrainës dhe se Moska po përgatiste një sulm deri në fillim të shkurtit.
Budanov tha se Rusia ka rritur nivelet dhe pajisjet e trupave në rajonin ukrainas të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014 dhe ka zhvendosur sistemet e raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe armë të tjera në zonën pranë kufirit të dy vendeve.
Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara, përmes Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kanë shprehur shqetësim në lidhje me veprimet ushtarake ruse.
New York Times shkroi javën e kaluar se analistët e inteligjencës amerikane dhe evropiane besojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, mbase është duke konsideruar një operacion ushtarak kundër Ukrainës me qëllim të marrjes nën kontroll të territorit ukrainas ose për të destabilizuar vendin dhe për të sjellë në pushtet një qeveri pro-ruse.
Kremlini i mohon akuzat.
Ukraina po lufton me separatistët e mbështetur nga Rusia në pjesën lindore të vendit që nga viti 2014. Llogaritet se rreth 14.000 njerëz janë vrarë në konflikt.
Rusia mohon çdo përfshirje në konflikt, pavarësisht provave bindëse se ka ofruar ndihmë ushtarake, ekonomike dhe politike për formacionet separatiste.