Moska zyrtare ka njoftuar për sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri më 30 shtator, por nuk janë të paktë ata që kanë shprehur skepticizëm ndaj caqeve të avionëve rusë.
Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, u ka thënë gazetarëve se hamendësimet se Rusia ka vënë në shënjestër edhe caqe të tjera përveç Shtetit Islamik, janë shtrembërim faktesh.
Ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se sulmet ajrore të Rusisë po shënjestërojnë “pajisjet ushtarake të Shtetit Islamik,qendrat e komunikimit, depotë e armatimit, automjetet dhe naftën”.
Raportimet në televizionin shtetëror të Sirisë bëjnë me dije se disa sulme janë kryer përreth provincave Homs dhe Hama, por ka dyshime serioze nëse këto rajone janë vërtetë lokacione të Shtetit Islamik.
Një burim diplomatik francez, duke folur për agjencinë Reuters në kushte anonimiteti, ka thënë se sulmet ruse nuk po shënjestërojnë IS-in, por forcat opozitare të presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Rajonet në veri të provincës Homs të cilat thuhet se janë goditur nga sulmet ajrore të Rusisë, supozohet se kontrollohen nga disa grupe kryengritëse, përfshirë këtu edhe Ushtrinë e Lirë Siriane, por edhe grupin Al-Nusrah, të ndërlidhur me Al-Qaedan, dhe grupin radikal islamist Ahrar al-Sham.
"Veriu i Homsit është shtëpi për fraksione të ndryshme, por është e sigurt se aty nuk ka Shtet Islamik”, thotë Thomas Pierret, ekspert për Lindjen e Mesme në Universitetin e Edinburghut.
Thomas van Linge, një ekspert tjetër i cili po ndjek nga afër konfliktin në Siri, i ka thënë Radios Evropa e lirë se Homsi ishte një nga vendet e para që ka rënë në duart e kryengritësve opozitarë.
"Është një kontroll i përzier ndërmjet ushtrisë së Lirë Sirianë, Ahrar al-Shamit, Al-Nusras,dhe grupeve tjera të pavarura”, ka thënë Van Linge.
Edhe Komiteti për Koordinim Lokal, një grup aktivistësh në Siri, ka thënë se në rajonet e goditura nuk ka prani të Shtetit Islamik.
"Aktivistët raportojnë se ka dhjetëra civilë të vrarë nga sulmet, përfshirë këtu gra dhe fëmijë”, ka njoftuar ky Komitet në rrjetin social Facebook.
Instituti amerikan për Studime Lufte ka raportuar gjithashtu se rajonet e goditura nuk kontrollohen nga Shteti Islamik.
"Nëse konfirmohet, sulmet ajrore sinjalizojnë se qëllimi i Rusisë është të ndihmojë përpjekjet e regjimit sirian në këtë luftë”, ka raportuar Instituti për Studime Lufte.
Edhe ushtria e Shteteve t Bashkuara dhe aleatët e saj kanë deklaruar se sulmet e kryera më 30 shtator nuk kanë pasur për cak Shtetin Islamik, por grupet relativisht të moderuara, të cilat kanë nisur kryengritjen kundër regjimit të Asadit. [a.v.]