Ndërlidhjet

Edhe një takim i dështuar për dinarin në Bruksel


Kartëmonedhë prej 100 dinarësh serbë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Kartëmonedhë prej 100 dinarësh serbë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Bashkimi Evropian tha të mërkurën Kosova dhe Serbia nuk arritën të pajtohen as pas takimit të shtatë në Bruksel për çështjen e dinarit serb në Kosovë, përdorimi i të cilit u ndalua nga autoritetet kosovare muaj më parë.

"BE-ja vlerëson se nuk ka gatishmëri për gjetjen e një marrëveshjeje kompromisi në të ardhmen", tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një komunikatë per media pas një takimi trepalësh në Bruksel.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me kryenegociatorin e Serisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të bllokut Mirosllav Lajçak, për herë të shtatë të mërkurën, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Bislimi e cilësoi si të dështuar takimin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje. Ndërsa Petkoviq tha se pala kosovare i "refuzoi të gjitha propozimet".

Duke folur për gazetarët pas negociatave disaorëshe, Bislimi tha se nuk pret takime të tjera për këtë temë.

“Në komentet tona, ne kemi parë se në cilat pika mund të bëjmë kompromise për propozimin e Lajçakut. Te komentet e palës serbe kemi parë tendencë që në shumë pika të largohen nga ai. Kjo e dëshmon atë që e kemi thënë shumë herë më parë: për Serbinë kjo çështje nuk përbën kurrfarë urgjence, primare për të është të mos lejojë zgjidhje për këtë çështje”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit.

Stano tha se BE-ja kishte bërë disa propozime dhe ide gjatë bisedimeve dhe se palët kishin arritur t’i tejkalonin disa dallime në mënyrë që të sigurohej dërgimi i të hollave nga Serbia në Kosovë, përfshirë pajtueshmërinë për themelimin e një entiteti biznesi në përputhje me ligjin e Kosovës, detyra e të cilit do të ishte shpërndarja e ndihmës financiare nga Serbia.

Por, sipas komunikatës, megjithëse BE-ja e kishte bërë një propozim kompromisi që i “përshtatej” qëndrimeve të palëve “në shkallë maksimale të mundshme”, palët nuk u pajtuan për disa çështje kyçe, përfshirë as për shtrirjen e përgjithshme të aktiviteteve të entitetit të ri, fushëveprimin e përfituesve të këtij entiteti, dhe ndihmën financiare nga Serbia për institucionet e mbështetura nga Serbia në Kosovë.

Negociatori serb, Petar Petkoviq, tha se pala serbe doli me "gjashtë propozime të reja konstruktive", por se "Prishtina i refuzoi të gjitha".

“Ne nuk e kemi mbyllur derën për bisedime, sepse duam të gjejmë një zgjidhje”, tha Petkoviq.

Petkoviq nuk dha detaje se çfarë përmbajnë propozimet e palës serbe.

Më 1 shkurt, në Kosovë hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

Bislimi tha se “95 për qind e propozimit të palës serbe ka të bëjë me legalizimin e strukturave ilegale”, e jo me përfituesit e ndihmave nga Serbia.

"Serbia ka qëllime, e para t'i legjitimojë strukturat paralele ilegale. Sipas tyre, zgjidhja duhet të kërkohet në kalimin nga një sistem ilegal paralel, në një sistem legal paralele. Dhe në anën tjetër, sipas tyre zgjidhja është në një sistem që e siguron edhe më tej mungesën e plotë transparencës, e cila ka qenë njëra nga qëllimet e Bankës Qendrore [të Kosovës]", tha Bislimi.

Serbët në Kosovë për vite me radhë marrin asistencë sociale dhe pagesa të tjera nga buxheti i Serbisë.

“Mungesa e një marrëveshjeje ka pasoja negative në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera në Kosovë dhe është shqetësim i vazhdueshëm”, tha Stano.

BE-ja, si ndërmjetësues, mbetet e gatshme për një takim tjetër për këtë çështje, sapo palët të tregojnë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme dhe të dyanshme, sips Stanos.

Një ditë më herët, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se priste që palët të jenë të gatshme për gjetjen e një zgjidhjeje praktike.

Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, priste që palët të dëshmonin gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme praktike, e cila do t’i ndihmonte qytetarët e prekur nga vendimi i BQK-së.

“Presim që palët të kenë sjellje evropiane dhe të gjejnë një zgjidhje kompromisi. Kryenegociatorët mëtojnë të gjejnë zgjidhje përmes diskutimeve konfidenciale, e këto janë mënyra evropiane për gjetjen e zgjidhjeve. BE-ja vazhdon t’iu ndihmojë atyre që të gjejnë kompromisin i cili është i nevojshëm sepse kjo ndikon në jetën e njerëzve”, tha Stano më 13 maj, kur konfirmoi mbajtjen e rundit të ri të dialogut.

BE-ja donte që takimi i së mërkurës të ishte i fundit për çështjen e dinarit, por kjo, siç thanë në bllok, do të varej nga gatishmëria e palëve për të pranuar një zgjidhje.

Në BE thonë se koha dhe energjia që po shpenzohen në kërkim të zgjidhjes për çështjen e dinarit është duke ndikuar edhe në çështjet tjera me të cilat nuk po merren në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse takimi i së mërkurës është thirrur për një çështje specifike, atë të dinarit, në këtë takim besohej se mund të ngrihej edhe çështja e vizitave zyrtare nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, pas disa refuzimeve që janë bërë, e që BE i ka cilësuar si shkelje të obligimeve të marrëveshjes që ka të bëjë me vizita zyrtare. si shkelje të obligimeve nga marrëveshja.

Pas takimit, Bislimi tha se Lajçak e ka përmendur këtë çështje vetëm në takimin dypalësh me të, por nuk tregoi se çfarë është thënë në të.

Më 14 maj, BE-ja kritikoi vendimin e autoriteteve në Kosovë për të mos lejuar vizitën e kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, duke e cilësuar si shkelje të Marrëveshjes për vizitat zyrtare të arritur në kuadër të dialogut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG