Një shekull më parë, vija bregdetare e Rumanisë ishte një destinacion pushimi i mbushur me xhevahire arkitekturore që u quajtën "Bregu i Argjendtë" i Evropës.
Pas Luftës së Dytë Botërore, vija bregdetare u hoq gradualisht nga itineraret e turistëve të huaj dhe bregdeti fqinj i Bullgarisë u bë gjithnjë e më popullor.
Në verën e vitit 2019, para se pandemia e koronavirusit të "shkatërronte" turizmin, rreth 1.5 milion turistë të huaj u drejtuan në bregdetin e Detit të Zi të Bullgarisë. Në të njëjtin vit, vetëm 44.000 të huaj zgjodhën plazhet me rërë të bardhë të Rumanisë.
Traian Badulescu, një konsulent rumun i turizmit, beson se numri i ulët i vizitorëve në plazhet e vendit të tij ka qenë rezultat i mungesës së investimeve cilësore dhe dështimit në marketing.
"Grekët kanë peizazhet e tyre, mitet, ujin dhe ishujt e panumërt", tha Badulescu për Radion Evropa e Lirë.
Rumania, tha ai, “nuk e promovoi kurrë veten. Bregdeti nuk ka pasur kurrë një identitet, të paktën kur bëhet fjalë për marketing për turistët e huaj”.
Badulescu beson se simboli më bindës për bregdetin e Rumanisë duhet të jetë ndërtesa e kazinosë në Konstancë, e cila dikur tërhoqi mysafirë mbretërorë dhe të pasur në Detin e Zi të Rumanisë.
Kazinoja, e cila u hap në vitin 1910, tani është e neglizhuar dhe keqmenaxhuar dhe aktualisht është e mbështjellë me skela.
"Është një ndërtesë spektakolare që tani po i nënshtrohet rinovimit", tha Badulesku.
"Sigurisht, pas përfundimit të rinovimit, kazinoja në Konstancë mund të jetë një emblemë e bregdetit, një pikë tërheqëse".
Një ilustrim i qartë i mungesës së investimeve në vijën bregdetare të Rumanisë janë dy pallate të ndërtuara nga familja mbretërore rumune në plazhet e Bullgarisë dhe Rumanisë së sotme, të dyja të ndërtuara në vitet 1920.
Sot, pallati në Balçik, Bullgari (sipër), është një thesar arkitektonik që tërheq dhjetëra mijëra vizitorë çdo vit.
Pak më shumë se 100 kilometra në veri të Balçikut, në vendpushimin rumun në Mamaia, pallati i paraqitur më lart ishte dikur një ndërtesë elegante, por sot është kryesisht i rrënuar.
Badulescu theksoi se Bullgaria ka një sezon veror pak më të gjatë se Rumania dhe vija bregdetare e saj për notim është gati tri herë më e gjatë, por tha se plazhet e Rumanisë thjesht presin të zbulohen.
“Bregu rumun, të paktën vitet e fundit, është zhvilluar shumë dhe ofron shumë atraksione që thjesht nuk janë promovuar”, tha ai.