Ndërlidhjet

A e rrezikon Korenë e Veriut një krizë e madhe shëndetësore? 


Një punëtor duke dezinfektuar një dyqan ushqimor pas shpërthimit të rasteve me COVID-19 në Korenë e Veriut, 16 maj 2022.
Një punëtor duke dezinfektuar një dyqan ushqimor pas shpërthimit të rasteve me COVID-19 në Korenë e Veriut, 16 maj 2022.

Reuters

Pohimi i Koresë së Veriut se po lufton me një “shpërthim” të rasteve me koronavirus, ka rritur shqetësimet se sëmundja që e shkakton ai, COVID-19, mund ta shkatërrojë këtë vend.

Sistemi shëndetësor atje është i dobët, kapacitetet e testimit janë të kufizuara, ndërsa programi i vaksinimit mungon.

Vendi i izoluar komunist ka konfirmuar rastet me koronavirus të enjten e kaluar - për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë, në mars të vitit 2020. Të premten, autoritetet atje kanë raportuar viktimën e parë nga koronavirusi.

Media shtetërore nuk e ka konfirmuar numrin e përgjithshëm të rasteve me COVID-19, por ka thënë se mbi 350,000 njerëz kanë shfaqur simptoma të temperaturës, që nga fundi i prillit.

Pa vaksinim dhe me testim të kufizuar

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Koreja e Veriut, së bashku me Eritrenë, janë dy vendet e vetme që nuk kanë filluar fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit.

Phenjani nuk ka pranuar vaksina as nga programi global i shpërndarjes, i njohur si COVAX, as nga Kina.

Koreja e Veriut ka thënë vitin e kaluar se ka zhvilluar pajisjet e saj për testim të koronavirusit, ndërsa Rusia ka thënë se i ka dhuruar asaj disa teste.

Koreja e Veriut është e sanksionuar rëndë nga Perëndimi, për shkak të programit të saj të armëve bërthamore, ndërsa nga viti 2020 ka zbatuar masa të rrepta kufitare, që kanë bllokuar shumë furnizime.

Ekspertët thonë se, deri më tani, ritmi i testimit sugjeron se Koreja e Veriut nuk mund të përballojë numrin e rasteve simptomatike, që ka raportuar.

Deri në fund të marsit, vetëm 64,207 nga 25 milionë banorët e Koresë së Veriut janë testuar për COVID-19 dhe të gjitha rezultatet kanë qenë negative, tregojnë të dhënat e fundit të OBSH-së.

“Koreja e Veriut ka testuar rreth 1,400 njerëz çdo javë. Duke supozuar se kanë shfrytëzuar kapacitetin e tyre maksimal, i bie që ata mund të kryejnë maksimum 400 teste në ditë. Kjo do të thotë se nuk janë fare të gatshëm për të testuar 350,000 njerëz me simptoma”, thotë Kee Park, nga Shkolla Mjekësore e Harvardit, i cili ka ka punuar në projekte të kujdesit shëndetësor në Korenë e Veriut.

Nuk është e qartë nëse Koreja e Veriut ka vendosur ndonjë detyrim për veshjen e maskave gjatë pandemisë.

Në disa ngjarje të mëdha politike, që kanë mbledhur dhjetëra mijëra njerëz, qytetarët janë panë herë pas here me maska, por edhe pa to.

Udhëheqësi verikorean, Kim Jong Un, është shfaqur për herë të parë me maskë të enjten e kaluar, kur është folur për rastet me COVID-19.

Sistemi shëndetësor pa furnizime

Sipas Indeksit të Sigurisë Shëndetësore Globale, të publikuar në dhjetor, Koreja e Veriut renditet e fundit në botë sa i përket aftësisë për t’iu përgjigjur me shpejtësi përhapjes së një epidemie.

Edhe pse ka një numër të lartë mjekësh të trajnuar dhe kapacitete për të organizuar me shpejtësi stafin përballë emergjencave, sistemi i kujdesit shëndetësor atje ka mungesa kronike të fondeve.

Çdo fshat i Koresë së Veriut ka një ose dy klinika ose spitale dhe shumica e spitaleve të qarkut janë të pajisura me pajisje me rreze X, “megjithëse jo domosdoshmërisht funksionale”, ka vlerësuar OBSH-ja në Strategjinë e Bashkëpunimit Vendor 2014-2019.

Kwon Young-se, i nominuar i Koresë së Jugut për ministër të Unifikimit - përgjegjës për lidhjet ndërkoreane - ka thënë në seancën e tij të konfirmimit, të enjten e kaluar, se Veriu besohet se nuk i ka as furnizimet më themelore mjekësore, si qetësuesit e dhimbjeve dhe dezinfektuesit.

Fund i pandemisë apo e ardhme me virusin
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:06:11 0:00

Makthi potencial

Përhapja e koronavirusit mund të përbëjë një sfidë politike për udhëheqësin autoritar të Veriut, thonë verikoreanët që kanë dezertuar në Jug.

“Kim ka urdhëruar mobilizimin e furnizimeve mjekësore rezervë, çfarë do të thotë se në Korenë e Veriut do të përdoren tani rezervat e luftës dhe se spitalet e përgjithshme kanë mbetur pa ilaçe”, thotë Thae Young-ho, një ish-diplomat i Koresë së Veriut, i cili ka dezertuar në Jug në vitin 2016.

Ji Seong-ho, një ligjvënës i Koresë së Jugut që është larguar nga Veriu në vitin 2006, ka thënë në një seancë parlamentare se virusi mund të përhapet me shpejtësi, pjesërisht për shkak të mungesës së një sistemi funksional mjekësor.

“Një numër i madh njerëzish kanë vdekur gjatë urisë [më 1990], pas shpërthimit të tifos. Ka qenë një makth për regjimin e Koresë së Veriut dhe për popullin e Koresë së Veriut”, ka thënë Ji.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG