Të paktën 87 njerëz janë vrarë apo zhdukur si pasojë e bombardimeve izraelite mbi shtëpi të shumta në veri të Rripit të Gazës gjatë mbrëmjes dhe mëngjesit të së dielës, tha Ministria e Shëndetësisë e enklavës palestineze.
Ajo tha se rreth 40 njerëz të tjerë janë plagosur në sulmet mbi qytezën Beit Lahia. Kjo qytezë ishte ndër të parat që u sulmua edhe kur Izraeli e nisi pushtimin tokësor të Gazës një vit më parë.
Ushtria izraelite nuk i ka komentuar sulmet deri tani, e cila tha megjithatë se është duke “vazhduar të veprojë nëpër Rripin e Gazës përmes bombardimeve ajrore dhe operacioneve tokësore”.
Izraeli është duke e kryer një operacion të madh në kampin e refugjatëve Xhabalia, i cili ndodhet në veri të Gazës, tash e dy javë.
Ushtria thotë se këtë operacion e nisi kundër militantëve të Hamasit – grupit palestinez të shpallur si terrorist nga SHBA dhe BE – për të cilët tha se janë rigrupuar atje.
Veriu i Gazës ka përjetuar shkatërrimin më të madh nga lufta dhe është i rrethuar nga ushtria e Izraelit prej vitit të kaluar, pas sulmit vdekjeprurës që Hamasi e kreu në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku vrau rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë.
Izraeli e urdhëroi tërë popullsinë e veriut të Gazës të shpërngulej në jug në javët e para të luftës dhe këtë urdhër e përsëriti edhe në fillim të këtij muaji.
Shumica e banorëve ikën vitin e kaluar, por besohet se rreth 400.000 njerëz qëndruan në veri.
Palestinezët që u detyruan të shpërngulen nga veriu në fillim të luftës, nuk janë lejuar të kthehem më.
Lufta e Izraelit në Gazë ka vrarë mbi 42.000 palestinezëve, sipas autoriteteve lokale shëndetësore, të cilat nuk bëjnë dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve. Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe ka zhvendosur rreth 90% të popullsisë prej 2.3 milionë njerëzish.