Ndërlidhjet

Rreth 30 për qind e popullatës, e papunë


Prishtinë.
Prishtinë.

Arjeta Kastrati është një nga numri i madh i qytetarëve të Kosovës, të cilët janë në kërkim të një vendi pune. Ajo është 25-vjeçare, nga Prishtina dhe ka përfunduar studimet master në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Prishtinës, por që asnjëherë nuk ka pasur një punë të rregullt dhe me kontratë.

Arjeta thotë të ketë aplikuar shpesh për punësim, por në shumë raste nuk është ftuar as në intervistë, që nënkupton rrethin e ngushtë të atyre që konkurrojnë për një vend pune. Kryesisht, thotë se ka aplikuar për një vend pune në sektorin publik.

“Kam përfunduar masterin në Shkencat Sociale dhe jam e papunë. Tani e tre vjet kam aplikuar në afër 15 konkurse pune në institucione të ndryshme dhe ndërmarrje publike. Në disa prej tyre jam intervistuar, por ka qenë e pamundur të fitoj një vende pune”.

“Kur e përfundova fakultetin kam qenë shumë e bindur që do të punësohem. Kurrë nuk e kam menduar që do të jem pa punë kaq gjatë. Në të gjitha pozitat ku kam aplikuar kam përmbushur të gjitha kriteret që i kanë kërkuar, por prapë nuk kam arritur të punësohem. Arsyeja që unë mendoj se nuk jam punësuar ka të bëjë më atë se nuk i takoj asnjë partie politike, pra nuk kam librezën partiake apo nuk kam familjarë që do të mund të ndikonin që unë të punësohem. Jam tejet e zhgënjyer dhe po mendoj që të largohem nga vendi”, thotë ajo.

Nepotizmi apo lidhjet familjare ishin evidentuar nga hulumtimet e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP) si faktorë të rëndësishëm për të siguruar një vend pune në Kosovë.

*Video: Përgatiten për punë edhe jashtë Kosovës

Përgatiten për punësim edhe jashtë Kosovës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:04 0:00

Papunësia ka qenë një problem që ka përcjell Kosovën me vite të tëra. Të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se nga mbi 1.2 milion qytetarë të Kosovës, të cilët llogaritet se kanë moshën për punë, të punësuar janë vetëm rreth 350 mijë qytetarë.

Rreth 160 mijë persona të aftë për punë, sipas këtyre të dhënave, janë në pritje për një vend të punës, derisa mbi 700 mijë persona nuk janë aktivë në kërkim të një pune. Në këta të fundit përfshihen studentët, amviset, punonjësit e dekurajuar dhe persona të tjerë.

Numri i personave të cilët nuk janë në kërkim të një vendi pune, sipas të dhënave të ASK-së, ka shënuar rritje nga viti në vit.

Të rinjtë në Kosovë, ku llogariten moshat nga 15 –24 vjeç, kanë nivelin më të lartë të papunësisë dhe atë në 57 për qind. Si kategori tjetër e numrit të të papunëve në Kosovë janë femrat me një nivel deri në 38 për qind.

Video: Të rinjtë, skeptikë për punësim në profesionin e tyre

Të rinjtë, skeptikë për punësim në profesionin e tyre
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

Kosova ishte radhitur në nivelin më të lartë të papunësisë në rajon në raportin e publikuar ditë më parë nga Banka Botërore dhe Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të titulluar: “Trendet e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor 2019”.

Ky nivel i lartë i papunësisë në Kosovë, i cili në përqindje arrin normën 30 për qind, nga ekspertë të çështjeve ekonomike theksohet të jetë një alarm për autoritetet në vend.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se papunësia e lartë në Kosovë është një problem për një periudhë të gjatë, e që po vazhdon të mos zgjidhet.

“Kosova vazhdon të jetë një ndër vendet më normën më të lartë të papunësisë. Ajo është e ngufatur me këtë nivel të papunësisë, e cila ka karakter afatgjatë. E tëra kjo konvertohen në nivel të varfërisë në vend. Në Kosovë papunësia ekziston për një kohë të gjatë dhe që nuk po zgjidhet si problem dhe kjo gjithmonë po i sfidon politikat qeverisëse të Kosovës”, thekson Sadiku.

Ai shton se niveli i lartë i papunësisë nuk mund të zvogëlohet me punësimin në sektorin publik, administratë të shtetit, por zgjidhja duhet të gjendet në zhvillimin e sektorit privat, në veçanti atë prodhues.

“Kosova po përballet edhe me papunësinë strukturore, që do të thotë që nuk ekziston një përputhje në mes të asaj që prodhohen si profesione dhe kërkesës në treg. Por, dua të them se çelësi është në zhvillimin e sektorit privat në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes. Kosova duhet të bëhet destinacion i investimeve të jashtme, në mënyrë që të kontribuohet më shumë në hapjen e vendeve të reja të punës. Vetëm sektori privat mund të absorbojë një numër më të madh të punëkërkuesve”, thotë Sadiku.

Ndërkohë, autoritetet në Kosovë thonë se janë të vetëdijshëm për nivelin e lartë të papunësisë dhe se për këtë Qeveria e Kosovës prioritet kryesor ka vënë zhvillimin ekonomik të vendit.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë ndërmarrë shumë veprime që ndihmojnë zhvillimin ekonomik.

Kapacitete e reja energjetike, ndërtimi i infrastrukturës rrugore, pakoja e re fiskale e cila përfshin lehtësime për bizneset prodhuese e të tjera, thotë Shatri, janë disa nga veprimet që janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, e të cilat sipas tij, do të ndikojnë në rënien e nivelit të papunësisë.

“Shkalla e lartë e papunësisë vazhdon të jetë prezent dhe kjo është një shqetësim i Qeverisë së Kosovës, pasi që kjo prodhon efekte tjera negative, siç është varfëria dhe problemet sociale. Qeveria e Kosovës e ka shpallur këtë vit si vit të ekonomisë. Në buxhetin dhe kornizën e shpenzime për dy vjetët e ardhshme, e kemi orientuar në investime kapitale dhe në lëmit që ndihmojnë zhvillimin ekonomik”, thotë Shatri.

Kosova përgjatë viteve ka pasur një buxhet mesatarisht rreth 1.3 miliard euro. Për vitin 2019, buxheti i Kosovës, krahasuar me vitet paraprake ka shënuar rritje dhe atë në 2.3 miliardë euro.

Rritja ekonomike në Kosovë në vitet e fundit nuk ka qenë më e lartë se 4 për qind dhe e cila ishte konsideruar nga ekspert të fushës si e pamjaftueshme për të zbutur nivelin e papunësisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG