Robert Mugabe, udhëheqësi i parë i Zimbabvesë, pas pavarësisë, ka vdekur në moshën 95-vjeçare.
Mugabe ka qenë në një spital në Singapor, që nga prilli.
Ai u rrëzua nga pozita, përmes një grusht-shteti ushtarak në nëntor të vitit 2017, duke i dhënë fund tre dekadave në pushtet.
Ai fitoi zgjedhjet e para të Zimbabvesë pas pavarësisë, duke u bërë kryeministër në vitin 1980 dhe president më 1987.
Vitet e para të sundimit të tij u vlerësuan për zgjerimin e qasjes në kujdes shëndetësor dhe arsim.
Por, programi i tij i diskutueshëm për reformën e pronave shkaktoi një kolaps ekonomik dhe vitet e tij të fundit u shënuan me rritje abuzime të të drejtave të njeriut dhe korrupsion.
Ai është gjithashtu ishte i njohur për fyerjet ndaj Perëndimin, kundërshtarëve të tij dhe gazetarëve.
Pasardhësi i tij, presidenti i Zimbabvesë, Emmerson Mnangagwa, shprehu "trishtimin e tij” për vdekjen e Mugabes, duke e quajtur atë "babai themelues i Zimbabvesë" dhe "një ikonë e çlirimit".
Kush ishte Robert Mugabe?
Robert Mugabe u lind më 21 shkurt 1924 në Rodezia – që atëbotë ishte një koloni britanike, e drejtuar nga pakica e racës së bardhë.
Ai u burgos për më shumë se një dekadë pa gjyq pasi kritikoi Qeverinë e Rodezisë më 1964.
Më 1973, ndërsa ishte ende në burg, ai u zgjodh president i Bashkimit Kombëtar Afrikan të Zimbabvesë.
Pasi u lirua nga burgu, ai shkoi në Mozambik, nga ku drejtoi sulmet guerile në Rodezi. Por, ai u shqua gjithashtu si një negociator i aftë.
Marrëveshjet politike për t'i dhënë fund krizës rezultuan me formimin e Republikës së re të pavarur të Zimbabvesë.
Me prapavijën e një udhëheqësi në lëvizjen për pavarësi, Mugabe siguroi një fitore dërrmuese në zgjedhjet e para të Republikës më 1980.
Më 1987, ai u bë president i vendit – një post që do ta mbante dekadave të ardhshme, përmes fitoreve në zgjedhje dhe përdorimit të dhunës.
Gjatë dekadave të tij në pushtet, u rritën edhe kritikat ndërkombëtare, duke e portretizuar atë si një diktator.
Në vitin 2000, pasi po përballej me kundërshtime serioze politike, për herë të parë, ai konfiskoi fermat që i kishin në pronësi të banorëve të racës së bardhë, për të zhvendosur fermerët nga shumica e banorëve me ngjyrë. Kjo shkaktoi probleme ekonomike, por rriti popullaritetin e tij në mesin e mbështetësve.
Në të njëjtën kohë, milicitë pro-Mugabe përdornin dhunën për të ndikuar në rezultatet politike.
Në vitin 2008, kur ai humbi rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, sulmet ndaj opozitës rezultuan me tërheqjen e rivalit të tij nga kandidatura.
Fjalia e tij e famshme, ende mbahet në mend, kur tha se “vetëm Zoti mund ta largonte nga detyra”.
Rrëzimi nga pushteti
Robert Mugabe u detyrua të ndajë pushtetin në vitin 2009 derisa vendi po përballej me një kolaps ekonomik, duke vendosur rivalin e tij politik, Morgan Tsvangirai si kryeministër.
Por, në vitin 2017, mes shqetësimeve se ai po përgatiste gruan e tij Grace si pasardhëse të tij, ushtria – që ishte aleate i tij për një kohë të gjatë – u kthye kundër presidentit dhe e detyroi atë të tërhiqej.