Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka humbur një mandat të deputetit nga rivotimi i të mërkurës, në një vendvotim njësinë e gjashtë zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, bazuar në rezultatet e publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).
Një mandat më shumë të deputetit tani ka koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN.
Në njësinë e gjashtë zgjedhore që përfshin pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut të banuar me shqiptarë, dy partitë tani kanë nga tetë deputet, apo gjithsej 16.
Maqedonia e Veriut është e ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilën prej tyre zgjidhen nga 20 deputetë në Parlamentin prej 120 ulëseve.
Tani, BDI-ja ka gjithsej 18 deputetë, ndërsa koalicioni VLEN 14.
Numrin më të madh të deputetëve e ka VMRO DPMNE-ja, 58, ndërsa LSDM-ja ka18.
LSDM dhe BDI tani me numrin e njëjtë të deputetëve janë dy forcat e dyta më të mëdha në vend.
Rivotimi të mërkurën, më 22 maj, është zhvilluar në shtatë vendvotime ndërsa të drejtë vote kishin 4.513 qytetarë.
Votimet në këto qendra votimi ishin anuluar pas konstatimit të parregullsive nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, e që ishin pranuar edhe nga Gjykata Administrative.
Parregullsitë kishin të bëjnë kryesisht me gjetjen e më tepër fletëve të votimit nëpër kutitë e votimit gjatë zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.
Por, këto pretendimet ishin kundërshtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim që kryeson atë që njihet si Fronti Evropian.
Kjo partia akuzoi VMRO DPMNE-në, LSDM-në dhe koalicionin VLEN për “rivotim të kurdisur” me qëllim të, siç tha, marrjes së dy mandateve në këto dy njësi zgjedhore.
BDI-ja gjatë rivotimit të së mërkurës ka arritur të ruajë numrin prej katër deputetëve në njësinë e pestë zgjedhore, të cilat i pretendonin VMRO-ja dhe LSDM-ja.
KSHZ-ja tha se partitë kanë të drejtë të ankesave dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave pritet të certifikon rezultatet përfundimtare, që pastaj të nisin afatet për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë së re, partisë fituese, në këtë rast VMRO DPMNE-së.
Qeveria e re, sipas paralajmërimit të kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, që pritet të marrë mandatin për formimin e ekzekutivit të ri, do të formohet nga partia e tij, koalicioni VLEN i partive opozitare shqiptare, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që pjesë e ekzekutivit të ri të jetë edhe lëvizja “ZNAM”.
Nga VMRO DPMNE-ja presin që Qeveria e re të formohet më së voni deri në javën e parë të muajit qershor.