Më 2022 mund të ketë përshkallëzim të tensioneve në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nëse dështojnë bisedimet bërthamore, të cilat mëtojnë ringjalljen e marrëveshjes së nënshkruar mes Iranit dhe fuqive botërore më 2015.
Ndonëse analistët besojnë se një marrëveshje është ende e arritshme, ndërkohë që negociatat hyjnë në vitin e ri, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se kanë mbetur disa “javë” për të punuar në dokument.
Marrëveshja – e cila parasheh kufizimin e aktivitetit bërthamor të Iranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve – ka nisur të mos zbatohet pasi më 2018, ish-presidenti amerikan, Donald Trump ka larguar Uashingtonin nga marrëveshja dhe ka rikthyer sanksionet.
Një vit më vonë, duke e konsideruar marrëveshjen si të anuluar, ndonëse vendet e Bashkimit Evropian kanë tentuar ta mbajnë gjallë, Teherani ka nisur të rrisë aktivitetin bërthamor që i ishte ndaluar me marrëveshje.
Në muajt e fundit, Irani ka pasuruar uranium për 60 për qind, një nivel i pashembullt për një shtet pa program bërthamor, ka thënë shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Çështje Bërthamore.
Aktivitetet bërthamore të Iranit kanë rritur urgjencën për zbatim të marrëveshjes, në të cilën presidenti amerikan, Joe Biden është zotuar se do të kthejë SHBA-në, nëse Teherani e zbaton atë në tërësi.
Mirëpo ndërkohë që Shtetet e Bashkuara – të cilat janë duke marrë pjesë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë në negociata, për shkak të refuzimit të Teheranit për t’u ulur në tavolinë të njëjtë me Uashingtonin – janë duke kritikuar Teheranin dhe duke i konsideruar si joreale kërkesat e Iranit për t’u bërë sërish pjesë e marrëveshjes, vëzhguesit janë duke analizuar si do të mund të dukej një plan i ri.
Prej rinisjes së negociatave në fund të muajit nëntor, pas pesë muajve bllokadë dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Iranit, Ebrahim Raisit, Teherani ndjek linjë të ashpër.
Shefi i ri negociator i Raisit, Ali Bagheri-Kani, është po ashtu kritik ndaj marrëveshjes bërthamore dhe ka lënë anash kompromiset që janë bërë në rundet tjera negociatore, duke bërë thirrje për heqje të sanksioneve, duke përfshirë edhe ato që nuk janë të lidhura me marrëveshjen bërthamore, si dhe garanci se administrata e ardhshme amerikane nuk do të largohet nga marrëveshja.
Pavarësisht vështirësive, shtetet perëndimore besojnë se marrëveshja bërthamore mbetet ende mundësia më e mirë për të shmangur krizën.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara janë duke paralajmëruar se dritarja e mundësive po mbyllet dhe vëzhguesit sugjerojnë se Teherani mund të përballet me qasje alternative duke nisur nga rritja e presionit, një marrëveshje e përkohshme, e deri te veprimet ushtarake.
“Rrugë e ngushtë” për kthim në marrëveshje
Ali Vaez, drejtor për projektet rreth Iranit në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka thënë se ekziston “rrugë e ngushtë” për zbatim të marrëveshjes së vitit 2015, duke shtuar se nevojitet fleksibilitet në të dyja anët dhe qasje pragmatike nga Teherani.
“Ekipi i ri negociator iranian me siguri e ka kuptuar se gjërat e diskutuara nga paraardhësi i tij nuk kanë qenë reale dhe nuk janë rezultat i mospunës apo naivitetit”, ka thënë Vaez për Radion Evropa e Lirë.
“Përmes arritjeve të veta eksponenciale bërthamore, Irani është në planin e saj B”, ka thënë Vaez.
“Pyetja ka të bëjë me atë se sa serioz është për Planin A, pra të ringjalljes së marrëveshjes bërthamore. Bota do ta marrë vesh përgjigjen brenda disa javëve”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur për “alternativa”, në rast se bisedimet dështojnë.
“Ne vazhdojmë të jemi orë e çast në kërkim të diplomacisë sepse ajo vazhdon të jetë mundësia më e mirë aktualisht, ndonëse ne jemi të angazhuar me aleatë dhe partnerë edhe në alternativa tjera”, ka thënë Blinken më 14 dhjetor, pa dhënë shumë hollësi.
Alternativa joatraktive
Ekspertët mendojnë se alternativat për marrëveshjen bërthamore nuk janë atraktive.
“Asnjëra prej alternativave nuk janë të mira, prandaj Perëndimi është duke shtyrë përpara idenë e ringjalljes së marrëveshjes. Mirëpo Irani nuk është duke lënë shumë mundësi në tavolinë”, ka thënë Henry Rome, analist i lartë për Iranin në Grupin e Euroazisë në Uashington, duke komentuar situatën për Radion Evropa e Lirë.
“Ka mundësi që skenari pa marrëveshje të rezultojë me përshkallëzim të përparimit bërthamor të Iranit, sanksione amerikane dhe evropiane, kërcënime ushtarake nga Izraeli dhe SHBA-ja, protesta popullore dhe stagnim ekonomik në Iran”.
“Ka mundësi që Shtetet e Bashkuara të kenë qasje më të ashpër deri në fund të janarit, përveç nëse arrihet përparim në bisedime apo nëse bie intensiteti i aktivitetit bërthamor”, ka thënë Vaez.
Qasja më e ashpër do të përfshinte përpjekje të SHBA-së për të zvogëluar eksportet e naftës iraniane në Kinë, gjë e cila ka vazhduar pavarësisht sanksioneve amerikane, të cilat ia pamundësojnë Iranit shitjen e naftës jashtë shtetit.
Shitje të tilla të naftës, sipas kompanisë Kpler, kanë arritur në gati 18 milionë fuçi në muajin nëntor, çka i ka ndihmuar Teheranit të mbijetojë nën sanksione, të cilat e kanë shkatërruar ekonominë.
Ka pasur bisedime edhe për një marrëveshje të përkohshme, sipas të cilës, Teherani do të duhet të ndalte disa aktivitete të ndjeshme bërthamore, në këmbim të heqjes së disa sanksioneve.
Një marrëveshje e tillë, do të mund të eliminonte krizën aktuale bërthamore dhe do të krijonte më shumë hapësirë për një marrëveshje të re.
Mirëpo siç e thekson edhe Rome, Teherani nuk duket se pëlqen diçka të tillë.
“Dyshoj se mund të ketë marrëveshje të përkohshme”, ka thënë Rome.
“Nëse Iranin nuk e joshin përfitimet ekonomike të marrëveshjes bërthamore, nuk e kam të qartë pse do të nënshkruante një marrëveshje më të vogël”.
Nëse bisedimet dështojnë, palët që janë pjesë e marrëveshjes - Rusia Kina, Gjermania dhe Britania - mund ta lajmërojnë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për moszbtim të marrëveshjes nga ana e Iranit dhe të kthejnë sanksionet ndërkombëtare, të cilat janë hequr me marrëveshje.
Teherani mund të përballet edhe me kërcënime për aksione parandaluese ushtarake kundër zonave të saj bërthamore, diçka që sipas ekspertëve do të mund të vononte kapacitetet e Iranit për të pasur armë bërthamore, mirëpo nuk do ta zgjidhte problemin.
Pavarësisht se Teherani e ka mohuar se programi i tij bërthamor synon zhvillimin e armëve bërthamore, shqetësimet vazhdojnë të ekzistojnë dhe shembull, vendi armik, Izraeli, e ka përsëritur disa herë se mund të sulmojë zonat bërthamore të Iranit.
“Rreziku nga një sulm izraelit është më i larti prej vitit 2012, ndonëse një gjë e tillë ka pak mundësi të ndodhë dhe shihet si opsioni i fundit”, ka thënë Rome, që parashikon se Irani mund të përballet edhe me masa tjera, sikurse sabotazhi dhe sulmet kibernetike.
“Zona e ashtuquajtur gri e konfliktit në mes të Izraelit dhe Iranit vetëm do të përshkallëzohet”.
Zyrtarët iranianë kanë fajësuar Izraelin për një seri incidentesh në muajt e kaluar, duke përfshirë vrasjen e një shkencëtari në nëntor të vitit 2020.
Vrasja e Mohsen Fakhrizadeh ka përshpejtuar miratimin e legjislacionit që mundëson rritjen e aktiviteteve bërthamore të Iranit.
Ky vendim është përcjellë me sulme hakmarrëse në Gjirin Persik për të cilat janë fajësuar forcat iraniane.
Ekspertët besojnë se nëse rritet presioni ndaj Teheranit, njëjtë pritet të rriten edhe armiqësitë në rajon.