Ndërlidhjet

A është zgjidhje regjistri publik i dhunuesve?


Protesta në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. 31 gusht 2022.
Protesta në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. 31 gusht 2022.

Rasti i dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, më 27 gusht, nxiti thirrje për krijimin e një regjistri publik me të dhënat e personave të dënuar për krime seksuale në Kosovë.

Të dyshuar për dhunimin e së miturës aktualisht janë pesë persona - që të gjithë të ndaluar nga policia.

Rasti shkaktoi protesta dhe zemërim, si në rrugë, ashtu edhe në rrjetet sociale, ndërsa dorëheqje dhanë drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe udhëheqësi i Drejtorisë për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Ali Gashi.

Protestuesit që dolën në rrugë, thanë se frikësohen për sigurinë e fëmijëve të tyre në hapësira publike, pasi dhunimi i 11-vjeçares dyshohet të ketë ndodhur në një park në Prishtinë.

“Kur do të vijë në pushtet ai politikan/e që do të guxojë të rregullojë me ligj publikimin në regjistër publik të emrave të dhunuesve që dënohen me aktgjykim final”, shkroi në Facebook juristja nga Kosova, Flutura Kusari.

*Video: Dhunuesit duhet të dihen

“Dhunuesit duhet të dihen”
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

Thirrje të ngjashme bëri edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF.

KOMF tha se, viteve të fundit, ka pasur rritje të vazhdueshme të numrit të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve në Kosovë, por nuk dha ndonjë shifër krahasuese.

“KOMF kërkon krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe, rrjedhimisht, ndalimin e qasjes së tyre te fëmijët”, thuhet në deklaratën e këtij koalicioni, të publikuar më 30 gusht.

Të dhënat e Policisë së Kosovës për periudhën janar-korrik të vitit të kaluar flasin për 59 raste të raportuara të dhunimit seksual, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti janë regjistruar 41 raste.

A mund të krijohet në Kosovë regjistri i dhunuesve seksualë?

Sipas autoriteteve dhe ekspertëve të drejtësisë në Kosovë, një regjistër publik i personave të dënuar për krime seksuale, me legjislacionin aktual, është vështirë të bëhet.

Në botë, ndërkohë, ekzistojnë modele të krijimit të regjistrave të tillë.

Sipas një ankete globale të Departamentit amerikan për Drejtësi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër vendet e para dhe të rralla, ku listat e këtyre personave janë tërësisht të hapura për publikun dhe ku ekzistojnë kufizime të ndryshme për personat e dënuar, edhe pasi ata ta kanë vuajtur dënimin.

Në shumë vende të Evropës, regjistrat e personave të dënuar për krime seksuale ekzistojnë, por janë të hapur vetëm për organet e rendit.

Në disa vende të Ballkanit, si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe së voni Shqipëria, ekzistojnë regjistra publikë të personave të dënuar për krime seksuale.

Në vitin 2010, Këshilli i Evropës - ku Kosova ka aplikuar për anëtarësim - ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës ka inkurajuar shtetet anëtare që të mos krijojnë regjistra të tillë të hapur për publikun, por vetëm për organet e rendit.

“Duhet siguruar që çdo legjislacion i respekton plotësisht të drejtat individuale, në veçanti të drejtën për jetën private, dhe për këtë arsye e kufizon qasjen në regjistrin e personave të dënuar për krime seksuale vetëm për zyrtarët”, thuhet në këtë rezolutë.

*Video: Protesta në Prishtinë më 30 gusht pas dhunimit të një të miture

Protesta pas dhunimit të 11-vjeçares
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:27 0:00

Çfarë thotë ligji në Kosovë?

Sipas Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë (MD), mundësia për krijimin e një databaze publike të personave të dënuar për krime seksuale varet nga Kodi i Procedurës Penale të Kosovës.

Sipas kodit të ri, i cili, sipas MD-së, pritet të hyjë në fuqi së shpejti, gjykatat obligohen t’i publikojnë të gjitha aktgjykimet online, brenda 60 ditësh nga nxjerrja e tyre.

Përjashtim bëjnë rastet e veprave penale kundër integritetit seksual dhe rastet kur të miturit janë të përfshirë si palë.

Sipas MD-së, gjykatat mund të marrin vendim për publikim të aktgjykimit për veprat e lartcekura vetëm “në raste shumë të veçanta” dhe me arsyetim të fortë për interesin publik.

Përcaktimin e “rasteve shumë të veçanta” e bën gjykata.

“Gjykata mund të urdhërojë publikimin e aktgjykimit kur çmon se publikimi është në interes të përgjithshëm, të të dëmtuarit ose të personave të tjerë”, thuhet në nenin 66 të Kodit Penal.

Lavdim Makshana, nga Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD), që merret me monitorimin e punës së organeve të drejtësisë, thotë se edhe aktgjykimet që publikohen në Kosovë, janë anonime.

“...pra, kryesve të veprave penale iu dihen vetëm inicialet. Kjo përjashtohet kur me rastin e shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj kryesit të veprës penale, shqiptohet dënimi plotësues”, thotë Makshana.

Gjykuar nga hulumtimet e IKD-së, thotë ai, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka shumë punë në ndjekjen efektive të krimeve seksuale, edhe nëse nuk bëhet regjistri publik i të dënuarve për krime të tilla.

“IKD, gjatë monitorimit sistematik, ka gjetur se në këto raste [të krimeve seksuale], organet e drejtësisë nuk kanë proceduar me efikasitet të plotë... Zvarritje procedurale janë shfaqur vazhdimisht”, thotë Makshana.

Dënimet që shqiptohen nga gjykatat lidhur me këto raste “shpeshherë janë të ulëta dhe natyrisht që me dënime të ulëta nuk arrihet as qëllimi i dënimit”, shton ai.

Besarta Breznica, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë po ashtu se zvarritja e lëndëve është problematike në trajtimin e rasteve të krimeve seksuale.

“[Ndonjëherë] kur lënda del në shqyrtim, vetëm se kanë kaluar mbi dhjetë vjet... Në disa raste viktima tërhiqet, apo edhe gjykatësit shpeshherë e shohin si faktor lehtësues [kalimin e shumë viteve] dhe ata [të akuzuarit] nuk marrin dënim meritor”, thotë Breznica për Radion Evropa e Lirë.

Rasti i SHBA-së dhe “problemet” me regjistrin publik të dhunuesve

Duke qenë vendi i parë në botë me regjistër publik dhe të qasshëm të personave që kanë kryer krime seksuale, modeli i SHBA-së, sipas ekspertëve, nuk është pa probleme.

Wayne Logan, profesor i Juridikut në Universitetin e Floridës, thotë për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja përdor një qasje “shumë ndëshkuese” ndaj personave që kryejnë krime seksuale.

Secili shtet në SHBA, thotë ai, ka regjistrin e vet të personave të dënuar për krime seksuale.

Në shumë juridiksione, Logan thotë se të dënuarit kanë kufizime edhe rreth vendit ku mund të jetojnë.

“Për shembull, ata nuk mund të jetojnë në një distancë prej një mijë metrash nga një shkollë ose një qendër rekreacioni”, thotë Logan, autor i librit “Dituria si fuqi”, i cili flet për regjistrat e kriminelëve në SHBA dhe ndikimin e tyre në jetën në Amerikë.

Sipas Loganit, “ka shumë pak prova shkencore sociale, që e mbështesin pikëpamjen se [regjistrat publikë të kriminelëve seksualë] promovojnë siguri publike”.

“Në fakt, ekziston një besim se vështirësitë e krijuara nga regjistrat e qasshëm publikisht, nxisin recidivizmin [përsëritjen e veprës], për shkak të stigmatizimit, të të cilësuarit publikisht kriminel seksual”, thotë Logan.

“Kjo e bën shumë të vështirë riintegrimin në komunitet. Stigmatizimi mund të ndikojë negativisht edhe në anëtarët e familjes, përfshirë fëmijët e të regjistruarve”, shton ai.

Për më tepër, thotë Logan, ligji në SHBA është i bazuar në “të dhëna të pasakta”.

“Së pari thirren në idenë se personat e panjohur sulmojnë më së shumti viktimat. [Por] realiteti është se përqindja më e madhe e krimeve seksuale bëhen nga personat që e njohin viktimën”, thotë Logan.

Duke qenë se regjistri publik përfshin vetëm personat që kanë kryer krim seksual dhe janë dënuar për të, Logan thotë se ai regjistër nuk e ndihmon publikun të njoftohet me kriminelë potencialë, që mund ta kenë kryer atë vepër, por që nuk janë dënuar ende.

Logan thotë se vendet evropiane, në përgjithësi, “ofrojnë mbrojtje më të madhe të privatësisë [së kriminelëve seksualë]”.

Shtetet e BE-së, si Franca e Gjermania, mbajnë regjistra të brendshëm për personat që kanë kryer krime seksuale, pa i shpërndarë me publikun.

Organizata ndërkombëtare që merret me të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW), ka vlerësuar në vitin 2007 se regjistrat e tillë publikë mund të bëjnë “më shumë keq sesa mirë”.

Për rastin e SHBA-së, HRW ka thënë se “ligjet e dedikuara për kriminelët seksualë, mund të mos i mbrojnë fëmijët nga krimet seksuale, por të çojnë në ngacmim, stigmatizim dhe dhunë ndaj personave të dënuar”.

Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës e kanë dënuar ashpër dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë dhe kanë bërë thirrje për “dënim meritor” të autorëve.

Aktualisht, të pesë të dyshuarit për veprën përballen me një muaj paraburgim.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga dy deri në 15 vjet burgim për dhunime dhe sulme të tjera seksuale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG