Ndërlidhjet

Kërcënimi mercenar rus ringjalli shqetësimet për sigurinë bërthamore


Rostov-on-Don, Rusi, 24 qershor 2023. Ky qytet u pushtua dhe më pas u braktis nga luftëtarët mercenarë të grupit Wagner.
Rostov-on-Don, Rusi, 24 qershor 2023. Ky qytet u pushtua dhe më pas u braktis nga luftëtarët mercenarë të grupit Wagner.

Reuters

Marshimi i grupit mercenar Wagner drejt Moskës ringjalli një frikë të vjetër në Uashington: çfarë ndodh me rezervat bërthamore të Rusisë në rast të trazirave të brendshme?

Shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, e ndërpreu rebelimin kundër regjimit pas një marrëveshjeje që ndërmjetësoi udhëheqësi bjellorus.

Kjo i uli shqetësimet e menjëhershme për një konflikt të madh brenda Rusisë, por sinjalizoi se pushteti i presidentit rus, Vladimir Putin, po dobësohet.

Imazhet e tankeve në rrugët e qyteteve ruse sollën në mendje grushtshtetin e dështuar të vitit 1991 nga linjat e ashpra komuniste, që rriti shqetësimet për sigurinë e arsenalit bërthamor sovjetik, thonë ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane.

“Komuniteti i inteligjencës do të jetë super i fokusuar në rezervat bërthamore [ruse]”, thotë Marc Polymeropoulos, ish-oficer i lartë i CIA-s, që ka mbikëqyrur operacione klandestine të agjencisë në Evropë dhe Euroazi.

“Ju dëshironi të dini se kush e ka kontrollin e armëve bërthamore, sepse jeni të shqetësuar se terroristë ose njerëz të këqij si [udhëheqësi çeçen, Ramzan] Kadyrov mund të vijnë më pas”, thotë Daniel Hoffman, ish-oficer i lartë i CIA-s, i cili ka shërbyer si shef i stacionit të agjencisë në Moskë.

Kadyrov dërgoi mijëra forca të tij në Rostov-on-Don - qytet në jug të Rusisë, i pushtuar dhe më pas i braktisur nga luftëtarët e Prigozhinit - duke u zotuar se do të ndihmojë në shuarjen e revoltës.

Zyrtarët amerikanë thonë se nuk shohin ndonjë kërcënim të menjëhershëm për sigurinë e armëve strategjike dhe taktike të Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se marrëveshja që ktheu luftëtarët e Wagnerit në kampet e tyre, kishte për qëllim shmangien e konfrontimit dhe të gjakderdhjes.

“Ne nuk kemi parë ndonjë ndryshim në sistemimin e forcave bërthamore ruse”, tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA.

“Rusia ka përgjegjësi të veçantë për të mbajtur komandën dhe kontrollin e forcave të saj bërthamore dhe për të siguruar që të mos ndërmerren veprime që rrezikojnë stabilitetin strategjik”, tha ai.

Por, siguria e këtyre armëve është një shqetësim i vazhdueshëm për Uashingtonin.

Agjencitë e inteligjencës amerikane thanë në vlerësimin e tyre vjetor të kërcënimit, për 2023-shin, se “siguria bërthamore e Rusisë mbetet një shqetësim, pavarësisht përmirësimeve në mbrojtjen e materialeve dhe kontrollin e tyre”.

Zinxhiri i komandës bërthamore

Një skenar shqetësues është mundësia që një fraksion ushtarak fiton aftësi vendimmarrëse mbi disa prej armëve, nëse përçarjet për luftën në Ukrainë që i ekspozoi rebelimi i Prigozhinit, shpërthejnë sërish.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre pyeten se si do t’i përdorë armët ndonjë autoritet i ri, thotë Hoffman.

“Dhe ai mund të mos luajë me të njëjtat rregulla që i ka Putini”, thotë ai, duke vënë në dukje se si udhëheqësi rus nuk ka vepruar ndaj kërcënimeve bërthamore që ka bërë, në përgjigje të mbështetjes së Perëndimit për luftën e Ukrainës kundër forcave pushtuese ruse.

Arsenali bërthamor i Rusisë është më i madhi në botë. Sipas vlerësimeve të Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë në vitin 2022, Rusia ka 5.977 koka bërthamore, krahasuar me 5.428 që vlerësohet se i ka SHBA-ja.

Mbledhja e informacioneve për strukturën komanduese të forcave strategjike të Rusisë dhe për sigurinë dhe aspektet e tjera të tyre ka qenë, prej kohësh, një nga prioritetet më të larta të agjencive të spiunazhit të SHBA-së, thonë ish-oficerët e CIA-s.

Kjo punë u bë më e vështirë me vendimin e Putinit, në gusht të vitit 2022, për të ndalur inspektimet e SHBA-së në vendet bërthamore të Rusisë, ashtu siç parashihte marrëveshja START-i i Ri.

Ky vendim bëri që Uashingtoni të varet shumë nga satelitët spiunë, për të vlerësuar sigurinë e vendeve të armëve bërthamore dhe lëvizjet e kokave bërthamore, thotë Polymeropoulos.

“Ky ka qenë gjithmonë një prioritet super i lartë i SHBA-së - informacionet për komandën dhe kontrollin e armëve bërthamore në Rusi”, thotë Hoffman.

“Ne të gjithë e dimë se janë të rrezikshme, prandaj i kemi pasur të gjitha ato traktate, ku kemi pasur shumë transparencë, e që tani janë zhdukur”, përfundon ai.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG