Familjarët e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq, i cili u vra nga një atentat në janar të vitit 2018, me shqetësim po e përcjellin situatën se si dëshmitarë anonimë refuzojnë të japin deklaratat, me shpjegimin se identiteti i tyre është zbuluar dhe se jeta e tyre është në rrezik.
Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Aleksandar Ivanoviq, nipi (djali i vëllait) i Oliver Ivanoviqit të vrarë.
Seanca e fundit dëgjimore për rastin e vrasjes së liderit të Nismës Qytetare “Liri, Demokraci dhe Drejtësi”, Oliver Ivanoviq, është mbajtur më 18 tetor, kur një tjetër dëshmitar nën mbrojtjen e anonimitetit, refuzoi të japë deklaratë, me arsyetimin e ai nuk ndihej i sigurt. Ky është dëshmitari i tretë anonim që refuzoi të dëshmojë në gjykatën në Prishtinë.
“Kjo vetëm flet se pas kësaj vrasjeje politike qëndron grupi i organizuar kriminal serioz, që ka ndikim financiar, politik dhe të gjitha mundësitë dhe lidhjet e tjera për të arritur te dëshmitari i mbrojtur dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në rezultatin e procedurës”, vlerëson Aleksandar Ivanoviq.
Ai konsideron se edhe institucionet e drejtësisë së Kosovës “nuk kanë kapacitete” që të mbrojnë dëshmitarët, të cilët kanë pranuar të japin deklarata me kushtin që të mos u zbulohet identiteti.
“Besoj se dëshmitarët e mbrojtur janë diçka për të cilën është insistuar, që Prokuroria ka pritur shumë [nga dëshmitarët e mbrojtur], siç ka pritur, fundja edhe familja dhe i gjithë opinioni i interesuar. Ato institucione nuk kanë mundur t’i ruajnë emrat e tyre”, thekson Ivanoviq, i cili me profesion është jurist.
Si u zbulua identiteti i dëshmitarëve anonimë?
Një nga avokatët mbrojtës, Faruk Korenica, pretendon se Prokuroria ka bërë “gabime të pafalshme”, gjegjësisht, se ka zbuluar identitetin e dëshmitarëve anonimë përmes marrjes në pyetje. Lidhur me pretendimet e tij, ai flet për një shembull.
“Imagjinojeni kur një dëshmitar anonim e pyesni: ku punoni? Ndërkaq, ai thotë se ‘jam komandant i Policisë [stacionit policor] në Zubin Potok [një komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës]’. Në Zubin Potok ka vetëm një komandant, vetëm një stacion policor. Në bazë të pyetjes naive, ai zbuloi [identitetin e dëshmitarit]”, tha Korenica për Radion Evropa e Lirë.
Gjithsesi, ky është gabim i Prokurorisë, identiteti i tyre është bërë i ditur në momentin e dorëzimit të shkresave.
Ai sqaron se deri më tani ka pranuar të flasë vetëm një dëshmitar anonim, për shkak se identiteti i të tjerëve u zbulua përmes procesverbalit të Prokurorisë, në të cilin kanë qasje të gjitha palët.
Ngjashëm shprehet edhe avokatja Jovana Filipoviq.
“Gjithsesi, ky është gabim i Prokurorisë. Identiteti i tyre është bërë i ditur në momentin e dorëzimit të shkresave të lëndës. Janë bërë pyetje mbi bazën e të cilave kushdo nga ai qytet mund t’i identifikojë”, thotë ajo.
Ajo shton se pjesa më e madhe e aktakuzës bazohet në deklaratat e dëshmitarëve të mbrojtur dhe se tani me tërheqjen e tyre, aktakuza nuk mund të mbijetojë.
Avokati Korenica konsideron se dëshmitarët anonimë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit nuk duhet të dënohen për refuzimin e bashkëpunimit me Gjykatën, sepse Prokuroria i ka rrezikuar.
“Së pari [dëshmitari që refuzon të dëshmojë] do të dënohet me para. Nëse edhe atëherë nuk dëshiron të dëshmojë, atëherë i caktohet një muaj paraburgim. Pas kësaj ai është i lirë, sepse Prokuroria i ka përdorur të gjitha masat për ta detyruar të dëshmojë”, thotë ai.
Oliver Ivanoviq ishte bartës i listës “Liri, Demokraci, Drejtësi – Oliver Ivanoviq” në zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat u mbajtën në nëntor të vitit 2017, disa muaj para vrasjes së tij.
Prokuroria hesht
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Prokurorisë Speciale të Kosovës me kërkesë për të komentuar akuzat e avokatit mbrojtës në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por deri në publikimin e tekstit nuk ka ardhur përgjigja.
REL-i i është drejtuar edhe Gjykatës Themelore në Prishtinë me pyetjet se a është rrezikuar procesi gjyqësor pas refuzimit të dëshmitarëve anonimë për të dhënë deklarata, si dhe a ka reaguar në rastin kur Prokuroria zbuloi identitetin e dëshmitarëve anonim, siç pretendojnë avokatët mbrojtës.
Mirëpo, ndaj këtyre pyetjeve, nuk kanë arritur përgjigjet e sakta, por vetëm është thënë shkurt se seancat janë publike, ndërkaq detajet që nuk janë për publikun, nuk mund të japin.
“Për të ruajtur konfidencialitetin, nuk mund të japim asnjë detaj”, thonë nga Gjykata Themelore.
Të akuzuarit në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit
Nedeljko Spasojeviq (zyrtar i policisë), Marko Roshiq (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Sillvana Arsoviq (sekretarja e Oliver Ivanoviqit të vrarë), Dragisha Markoviq (zyrtar i policisë), Zharko Jovanoviq (zyrtar i policisë) dhe Radeta Basara (zyrtar i policisë), janë personat ndaj të cilëve është ngritur aktakuza.
Po ashtu, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia e Kosovës, më 19 tetor, ka arrestuar M.M. nga komuniteti serb, me dyshimin se ai ishte anëtar i “grupit të organizuar kriminal”, i cili ndërlidhet me vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq.
Me vrasjen janë ndërlidhen edhe Zheljko Bojiq (shef i operativës të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (afarist). Ndaj tyre nuk është ngritur aktakuzë, sepse ata ishin në arrati kur Prokuroria e Kosovës ngriti aktakuzën e parë.
Radoiçiq dhe Vesellinoviq, në aktakuzë, përmenden si “udhëheqës të grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq. Megjithatë, urdhërarresti për Millan Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021, pa asnjë sqarim.
Prokuroria Speciale e Kosovës deri më tani ka ngritur tri aktakuza, por në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, gjegjësisht, përmenden vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllimisht kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e veprës penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por jo autori i vrasjes apo porositësi i saj.
Aktakuza e parë është ngritur në fillim të dhjetorit 2019, ndërsa në fund të dhjetorit të po atij viti prokurori i atëhershëm, Sylë Hoxha, ka paraqitur aktakuzën e dytë të ndryshuar.
Më pas, në nëntor 2020, u ngrit aktakuza e tretë,e pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë e ktheu aktakuzën e mëparshme për plotësim.
A duhet që dëshmitarët anonimë të bëhen dëshmitarë të mbrojtur?
Në Kosovë ekziston ligj i posaçëm që rregullon masat e posaçme dhe emergjente që kanë për qëllim mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve gjyqësorë.
Ligji thekson se masat mbrojtëse zbatohen me qëllim që, ndër të tjera, të sigurohet mbrojtja e personave, jeta e të cilëve është në rrezik.
Pikërisht kësaj pike i referohen dëshmitarët anonimë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, pra, pretendojnë se me zbulimin e identitetit të tyre, kërcënohet jeta e tyre, por edhe e familjeve të tyre.
Disa nga masat mbrojtëse, që parashikon ligji, janë që personat të mbrohen fizikisht në formë të hapur ose të fshehur, ose të zhvendosen në një vend të sigurt.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se dëshmitarët e Prokurorisë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit mund të mbrohen. Ai shpjegon për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka edhe komisionin për mbrojtjen e viktimave, i cili vendos për përfshirjen e personave në programin për mbrojtjen.
Ky komision përbëhet nga kryeprokurori, drejtori i Departamentit të hetimeve në Policinë e Kosovës dhe drejtori i Drejtorisë për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Fletëarresti për shkak të frikësimit të dëshmitarëve
Miftaraj thekson se Millan Radoiçiq, i cili është i lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, kërkohet për një rast tjetër që ka të bëjë me frikësimin e dëshmitarëve dhe se Prokuroria është duke ndërmarrë hapa për ta hetuar atë.
Bëhet fjalë për rastin “Brezovica”, i cili po heton keqpërdorimin e pozitës dhe marrjen e ryshfetit për dhënien e lejeve të ndërtimit në vendbanimet ku nuk lejohet ndërtimi. Në kuadër të aksionit “Brezovica” është arrestuar zyrtari i Listës Serbe, Bratisllav Nikoliq, ndërsa për Radoiçiqin është lëshuar fletëarrest.
“Fatkeqësisht, rasti Ivanoviq po zvarritet [hetimi nëse ka qenë i përfshirë Radoiçiq] për shkak të mosbashkëpunimit të autoriteteve nga Serbia, si dhe për shkak të frikësimit të dëshmitarëve...”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Ai konsideron se edhe në këtë rast Serbia nuk sheh interes për ndriçimin e vrasjes së Ivanoviqit.
Mendim të ngjashëm ka edhe nipi i Oliver Ivanoviqit.
Hetimi në Serbi në fazën e veprimeve parahetimore
Aleksandar Ivanoviq beson se duhet pritur “ndonjë moment tjetër politik”, në të cilin do të ketë “qëllime serioze dhe dëshirë” për të ndriçuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
“Beteja më e madhe po zhvillohet në hapësirën mediatike, ata i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit [Kosova dhe Serbia] se kanë faj për këtë. Përveç kësaj, nuk shihet gatishmëri serioze nga asnjëra palë. Në Beograd nuk ka një pasqyrë të qartë nëse dikush po udhëheq hetimin, cili prokuror është angazhuar”, thotë ai.
Përveç në Kosovë, hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë duke u zhvilluar edhe nga Prokuroria Speciale e Serbisë, por atje hetimet nuk kanë shkuar më larg se sa faza e hetimeve paraprake.
“Ka vetëm konferenca për shtyp të zyrtarëve të lartë të këtij vendi [Serbisë]. Kemi pasur vetëm njoftime pompoze se gjithçka do të dihet pas dy javësh, se Serbia di gjithçka, se Serbia ka emra, se Serbia ka prova... kur përmblidhet gjithçka, thelbi i gjithë kësaj është se shumë njerëzve nuk u shkon për shtati të zbulohet se pse dhe kush e vrau Oliver Ivanoviqin”, thekson Aleksandar Ivanoviq.
Kah mesi i vitit 2019, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se “Beogradi mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit”.
Duke iu drejtuar opinionit, ai tha se Millan Radoiçiq, i cili në Kosovë është lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, “nuk ka lidhje me këtë krim”.
“Millan Radoiçiq nuk është lule, por mund të themi me siguri se Radoiçiq, në asnjë mënyrë, nuk ka marrë pjesë në likuidimin e Oliver Ivanoviqit”, tha atëbotë presidenti i Serbisë.
Vrasje me gjashtë të shtëna në shpinë
Aleksandar Ivanoviq thekson se “rasti i vrasjes së Oliverit nuk duhet të lihet në harresë”, sepse siç thotë ai, pikërisht “me këtë adut kanë luajtur ata që kishin planifikuar atentatin mbi të”.
“Të gjithë ata shpresonin se kjo do të ishte vetëm edhe një vrasje tjetër, e cila do të harrohej pas disa muajsh. Mendoj se edhe ata janë të vetëdijshëm se nuk patën sukses. Është vetëm çështje qëndrueshmërie dhe këmbënguljeje. Do të vijë momenti kur gjithçka do të ndriçohet dhe dihet”, beson Aleksandar Ivanoviq.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para objekteve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Ai ishte bartës i listës “Liri, Demokraci, Drejtësi – Oliver Ivanoviq” në zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat u mbajtën në nëntor të vitit 2017, disa muaj para vrasjes së tij.
Gjatë fushatës parazgjedhore për ato zgjedhje lokale, për shkak të frikësimit të serbëve në veri të Kosovës, katër kandidatë nga lista e tij u tërhoqën, ndërkaq vetë Ivanoviqit iu dogj vetura në Mitrovicë të Veriut.