Ndërlidhjet

Gjykata e Apelit vërteton dënimin në rastin 'Badovci'


Gjykata e Apelit në Kosovë e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore, ndaj Besnik dhe Enis Latifit, Milazim Haxhiajt, Gazmend Halitit dhe të akuzuarit tjetër Fehmi Musa, të akuzuar për 'shtytje për kryerjen e veprave terroriste në tentativë'.

Besnik Latifi është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej katër vjet e gjashtë muaj, ndërsa Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Enis Latifi, me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri vjet e gjashtë muaj. Ndërkaq, me tre vjet heqje lirie është dënuar Fehmi Musa.

Të dënuarit, fillimisht akuzoheshin për përgatitje të veprave terroriste, por më vonë akuzat u ndryshuan në shtytje për kryerjen e këtyre veprave.

Në aktakuzë, Prokuroria pretendonte se të akuzuarit në korrik të vitit 2015, kishin shkuar në afërsi të liqenit të Badovcit, lokacion afër Prishtinës, me qëllim të realizimit të një videoje propaganduese e cila kishte qëllim nxitjen në kryerjen e veprave penale të terrorizimit.

Sipas aktakuzës, këta persona planifikonin të incizonin veten, duke lexuar betimin e grupit militant Shteti Islamik dhe pas realizimit të video-incizimeve ata planifikonin t’i shpërndanin ato në rrjete sociale, duke tentuar kështu që të dërgonin mesazh për ekzistimin e të ashtuquajturit Shtet Islamik edhe në Kosovë.

Dënimet e shqiptuara nga Gjykata Themelore janë më të lehta krahasuar me dënimet që ishin shqiptuar në korrik të vitit 2016 ,kur Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Fehmi Musa me 4 vjet dhe Enis Latifi me 10 vjet burg.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës pasi ishte konstatuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për përgatitje të veprave terroriste.

Bajram Tmava, avokati i të akuzuarit Milazim Haxhiaj i ka thënë Radios Evropa e Lirë se klienti i tij, i cili është duke vuajtur dënimin, tashmë ka marrë vendimin e Gjykatës së Apelit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG