Të gjeturat e raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, të publikuara në Raportin e Progresit, kanë përplasur deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e partive në pushtet dhe atyre në opozitë.
Deputetët e opozitës kanë shprehur shqetësim për të gjeturat e raportit duke thënë se situata nuk ka ndryshuar fare prej raportit të fundit.
Fitore Pacolli nga Vetëvendosje, ka thënë se është shqetësues fakti se si raporti nuk e qartëson rrugën evropiane të Kosovës.
“Raporti për vendin, i cili u publikua para katër ditëve, nuk duhet të trajtohet vetëm si një dokument i cili skanon dhe paraqet gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet shteti ynë, por si një dokument përmes së cilit ne fillojmë seriozisht të shqyrtojmë rrugën dhe marrëdhënien kontraktuale, shtetërore të Kosovës me Bashkimin Evropian”, tha Pacolli.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke kritikuar qeverinë, tha se ajo është treguar joserioze në raport me proceset që lidhen me integrimin evropian.
“Raporti e qartëson se Qeveria e Kosovës që nga shtatori i vitit 2017-të nuk ka dërguar asnjë sinjal bindës që është shtet serioz dhe i kryen përgjegjësitë që i ka. Si rezultat i kësaj gjendje, dalja e kosovarëve nga izolimi nuk ka ndodhur ende”.
“Te kriteret politike, derisa ai i vitit 2016 e përmend polarizimin mes qeverisë dhe opozitës që është normale, raporti i fundit i vë në dukje polarizimet mes vet koalicionit qeverisës dhe brishtësinë e koalicionit i cili tashmë ka humbur edhe shumicën e thjeshtë”, theksoi Hoti.
Përkundër vlerësimeve të opozitës, nga partitë në pushtet, raporti i fundit i Komisionit Evropian është shikuar nga një prizëm tjetër. Deputetja Blerta Deliu – Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës tha se sheh shumë përparime të evidentuara në të gjeturat e raportit.
“Raporti për vendin ka njohur progresin e institucioneve të Republikës së Kosovës sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe ka pasur vlerësim pozitiv në të ashtuquajturat “Track Records”, posaçërisht në rastet e ashtuquajtura të profilit të lartë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar”, tha Deliu-Kodra.
Thirrja e seancës së jashtëzakonshme për të debatuar të gjeturat e raportit të Komisionit Evropian, sipas deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuqi, ishte e panevojshme, ngase sipas tij, aty s’kishte asgjë të jashtëzakonshme.
“Çka ka të bëjë këtu me çështje të jashtëzakonshme? Kush e ka thirrur këtë seancë e ka bërë shkeljen e kësaj rregulloreje sepse në materialin e thirrjes nuk kemi arsyetim se pse është kjo seancë e jashtëzakonshme. E para ka të bëjë me mungesën e përkthimit të materialit në gjuhën shqipe dhe propozoj që kjo seancë të jetë e anglishtfolëseve”, deklaroi Kuçi.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, tha se raporti konfirmon të arriturat dhe sidomos lajmin për liberalizimin e vizave për Kosovës.
“Është një vlerësim edhe objektiv edhe real edhe i saktë i gjendjes në të cilën është Kosova, ku në analizë ky raport përmend edhe progresin që ka pasur vendi, por edhe ngecjet e sfidat në fusha të caktuara”.
“Ky është një vlerësim në fakt i punës së dy qeverive dhe të dy mandateve të Kuvendit të Kosovës. Ky raport e konfirmon atë lajmin e shumëpritur prej qytetarëve të Kosovës sa i takon vlerësimit të proces të liberalizimit të vizave”, tha Hoxhaj.
Këtë vit, Komisioni Evropian konstatoi politizim të administratës publike, përhapje të korrupsionit, gjendje të papërmirësueshme të sistemit të arsimit, rritje të papunësisë dhe probleme të theksuara në segmentin e ruajtjes së mjedisit.
Komisioni kërkoi më shumë punë nga institucionet e Kosovës në luftën kundër pastrimit të parave si dhe tërheq vërejtjen për kërcënimin e gazetarëve.