Ndërlidhjet

Qytetarët e Maqedonisë Veriore nuk kanë besim në gjyqësor


Njohësit e çështjeve juridike thonë se rezultatet që solli marrëveshja e Prespës duke i hapur dyert për integrimin e Maqedonisë Veriore në strukturat euroatlantike po i jep hije të keqe mossundimi i ligjit në formë të njëjtë për të gjithë qytetarët.

Përderisa pushteti thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e reformave në sistemin gjyqësor, qytetarët shprehen të revoltuar nga vendimit të Gjykatës Supreme se Prokuroria Speciale për shkak të skadimit të mandatit, duhet të ndërpres dhjetëra hetime, apo procese që ka nisur pas datës 30 qershor të vitit 2017.

Kjo bën që të shpëtojnë nga akuza një pjesë e ish zyrtarëve të lartë të shtetit të cilët akuzohen për vepra korruptive manipulimin e zgjedhjeve si dhe dështimin e regjistrimit të popullsisë.

Por, drejtorja e Akademisë për Prokurorë Publik dhe Gjykatës, Natasha Gaber Damjanovska, në intervistën për Radion Evropa e Lirë thotë se gjendja aktuale është kombinim i disa prioriteteve të përgjithshme shtetërore dhe të interesit publik.

“Shpresoj se kjo nuk do të shkojë gjatë, për shkak se detyra në vazhdim që na pret neve si shoqëri është zbatimi i normave juridike ndaj secilit në mënyrë të njëjtë, çka do të thotë – në rast se ka vepër penale të dëshmuar, duhet të ketë përgjegjësi gjegjëse dhe ashtu duhet të zbatohet në të ardhmen".

"Kemi përjashtime të caktuara. Duke pasur parasysh prioritetet që kanë paraprirë, mendoj se do të duhet të jetojmë me atë, por që tani e tutje vlerësimi i asaj se si i realizojmë në rendin dhe prioritetin tonë shoqëror, duhet të vihet në tjetër këmbë kjo. Unë mendoj se ashtu do të fillojë të vlerësohet dhe të matet”, tha Damjanovska.

Por, Naser Ziberi njohës i çështjeve juridike thotë se veprimet e fundit të gjyqësorit edhe më shumë kanë thelluar mosbesimin në sistemin gjyqësor.

“Veprimet e fundit që kanë të bëjnë me ikjen e Nikolla Gruevskit, pastaj vendimi i Gjykatës Supreme për të ndalur proceset e Prokurorisë Speciale, pataj amnestia përmes së cilës një pjesë e bukur e aktorëve politik siç janë ministra, deputetë, u amnistuan edhe më tepër e konfirmoi qëndrimin e qytetarëve se në Maqedoni nuk ka drejtësi, se kjo drejtësi është selektive dhe se gjyqësori edhe më tutje mbetet i ndikuar nga politika dhe nuk ka autonomi në vendimmarrje” thotë Ziberi.

Anketat kanë nxjerrë në pah se është ulur besimi i qytetarëve edhe ndaj institucionit që kishte mbështetjen më të madhe të qytetarëve Prokurorinë Speciale edhe atë për 20 për qind.

Naser Ziberi në këtë drejtim thotë se “Specialja” mbahet nën kthetrat e mosdefinimit të statusit të këtij institucioni.

“Prokuroria Speciale ballafaqohet me tri probleme. E para me statusin e pa zgjidhur të saj dhe dilemën nëse do të mund të funksionojë edhe më tutje duke ngritur procedura para gjykatave. E dyta me bllokadat që i ushtohen asaj në procesin e zbatimit të hetimeve që a ndërmarrë. Dhe e treta ka të bëj me dyshimin se edhe prokuroria speciale është selektive sepse asnjë nga personat që janë nën hetime nga kjo nuk ka marrë dënimin e merituar dhe këtu kemi edhe dyshimin se vetëm ndaj një strukture kjo Prokurori ngre procedura gjyqësore”, thotë Ziberi.

Ndryshe, anketat e fundit tregojnë se mbi 60 për qind e qytetarëve nuk kanë besim në organet e sistemit gjyqësor, Prokurorinë publike dhe gjykatat ndërkohë që në gjyqësorin e Maqedonisë kanë besim vetëm 33 për qind e qytetarëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG