Ndërlidhjet

Shteti lë pa para OJQ-të që ndihmojnë viktimat e dhunimit gjatë luftës


Memoriali "Heroinat" në Prishtinë që u dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Prishtinë, 12 korrik 2019.
Memoriali "Heroinat" në Prishtinë që u dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Prishtinë, 12 korrik 2019.

Telashe me transport e orë të gjata pa shërbim të ushqimit janë disa prej sfidave që të mbijetuarit e dhunës seksuale hasin në rajonin e Drenasit, gjatë procesit të aplikimit për statusin e personave në këtë kategori.

Ka disa muaj që organizatat joqeveritare në shërbim të këtyre të mbijetuarve, nuk kanë marrë fonde nga Qeveria e Kosovës, duke bërë kështu që të kufizohen shërbimet që mund të ofrojnë.

Qendra për Promovimin e të drejtave të Grave në Drenas është njëra ndër katër organizatat joqeveritare, që me licencë të qeverisë, ndihmojnë të mbijetuarit në procesin e aplikimit te Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Udhëheqësja e kësaj organizate, Kadire Tahiraj, tha për Radion Evropa e Lirë se muajt e verës janë veçanërisht të vështirë, pasi autobusët nuk qarkullojnë në disa zona rurale.

“Duhet t’i shoqërojmë. Kemi raste shumë të shpeshta për aplikim, duhet t’i marrim në shtëpi që t’i dërgojmë, presin 5-6 orë, të mos hanë asgjë”, tregoi ajo.

Dhunimi i burrave, plaga e heshtur e luftës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:34 0:00

Përveç kësaj, Tahiraj tregoi se as punëtorët e organizatës nuk po paguhen dhe ka rrezik që të largohen nga organizata.

Në vitin 2018, kur u themelua Komisioni Qeveritar i lartpërmendur, Ministria e atëhershme e Punës dhe Mirëqenies Sociale kishte lidhur marrëveshje edhe me katër organizatat: “Medica Kosova”, “Medica Gjakova”, “Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës” (QKRMT) dhe “Qendra për Promovimin e të drejtave të Grave” në Drenas.

Me këtë marrëveshje parashihej që t’i ndaheshin fonde prej 24 mijë eurove çdo vit këtyre organizatave për pesë vjet me radhë, sa është edhe mandati i Komisionit Qeveritar.

Linda Sada, drejtoreshë e Organizatës “Medica Gjakova”, tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë premtim që mjetet e parapara të dalin në janar, do të dalin dikur gjatë vitit.

“Edhe vjet ka pasur vonesë të buxhetit, mirëpo gjithmonë ka qenë ai premtimi që do ju mbështesim, ndërsa sivjet nuk kemi asnjë premtim thuajse”, tha ajo.

Sipas saj, shqetësimi më i madh është sigurimi i shërbimeve të duhura për të mbijetuarit që kërkojnë ndihmë nga kjo organizatë.

“Puna jonë është një mision edhe nëse do të mbesim pa rroga do të vazhdojmë”, tha ajo.

“Nuk ka mjete për këtë kategori”

Megjithëse të obliguar në bazë të marrëveshjes me këto organizata, qeveria ka dështuar që t’u ndajë mjetet e parapara OJQ-ve, tash e tetë muaj.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve tha se “këto fonde nuk janë ndarë për arsye të mungesës së mjeteve për ‘Nënprogramin 022 – Ligji për viktimat e dhunës seksuale’”.

Zyra për Informim e kësaj ministrie tha se pas rishikimit të buxhetit, i cili sapo ka kaluar në kuvend, do të shqyrtohen mundësitë e kompensimit të këtyre katër OJQ-ve.

Çështjen e financimit të këtyre OJQ-ve e ngriti në Kuvendin e Kosovës të hënën, deputetja opozitare nga Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha.

“Duke mos e bërë një gjë të tillë, kjo qeveri e pamundëson vazhdimin e përkrahjes së personave të prekur nga dhuna seksuale gjatë luftës, gjë të cilën e kanë të garantuar me ligj”, u shpreh ajo.

Rreth 70 për qind të aplikimeve të të mbijetuarve erdhën nga OJQ-të

Në shkurt të vitit 2018 nisi punën Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.

Që nga ajo kohë, ky komision ka pranuar 1.527 aplikime për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.

Sipas këtij komisioni, më shumë se gjysma e këtyre aplikimeve erdhën nga katër OJQ-të që punojnë drejtpërdrejt me këto viktima.

Nga katër OJQ-të e autorizuara, komisioni ka pranuar gjithsej 1.019 aplikacione.

Sipas të dhënave, deri më tani, 982 aplikuesve iu është njohur statusi i viktimës të dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa janë refuzuar 218 kërkesa për njohje të statusit.

Sipas rregullores lidhur me njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, viktimë e dhunës seksuale të luftës konsiderohet personi i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës së 27.02.1998 deri më 20.06.1999.

Kur një personit i miratohet statusi i viktimës të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ai/ajo ka të drejtën e një pensioni në shumën prej 230 eurosh në muaj.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG