Ndërlidhjet

Putin kërkon bisedime direkte me Ukrainën, e shpërfill thirrjen e evropianëve për armëpushim


Presidenti rus, Vladimir Putin, duke folur për gazetarët në një konferencë për shtyp në mesnatë në Moskë, më 11 maj.
Presidenti rus, Vladimir Putin, duke folur për gazetarët në një konferencë për shtyp në mesnatë në Moskë, më 11 maj.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka shpërfillur thirrjen për një armëpushim të shpejtë 30-ditor në luftën në Ukrainë dhe, në vend të saj, ka kërkuar të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta dhe “pa parakushte” me Ukrainën, mbase në Stamboll më 15 maj.

Putin, duke folur për gazetarët në një konferencë për shtyp në mesnatë në Moskë më 11 maj, tha se është i gatshëm t’i “rinisë” bisedimet për paqe, që u zhvilluan mes Rusisë dhe Ukrainës në prill të vitit 2022 – pak javë pasi Rusia e kishte filluar pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt.

“Ne jemi të vendosur të zhvillojmë bisedime serioze. Qëllimi i tyre është t’i eliminojnë shkaqet rrënjësore të konfliktit... dhe të sjellin paqe afatgjatë, të qëndrueshme në një perspektivë historike”, tha Putin, i cili shpesh ka përdorur shprehje të tilla për t’i kundërshtuar synimet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe për të theksuar qëndrimin e tij që Kievi të mbetet neutral.

Putin tha se së shpejti do të flasë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për të kërkuar ndihmën e tij për t’i ndërmjetësuar bisedimet në Stamboll.

“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë që, gjatë këtyre bisedimeve, të arrijmë ndonjë marrëveshje për një armëpushim të ri”, shtoi Putin.

Ukraina, Shtetet e Bashkuara apo udhëheqësit evropianë nuk e kanë komentuar kërkesën e Putinit deri tani.

Pak orë më herët në Kiev, udhëheqësit e Gjermanisë, Francës, Polonisë dhe Britanisë iu bashkuan presidentit Volodymyr Zelensky për ta rritur trysninë për një armëpushim 30-ditor pa kushte në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke e paralajmëruar Moskën se do të përballet me sanksione të reja "masive", nëse Putin nuk e pranon armëpushimin e propozuar.

Ata thanë se u pajtuan që armëpushimi të fillonte më 12 maj.

Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrat britanik dhe polak, Keir Starmer dhe Donald Tusk, u zotuan se ndodhen në Kiev për “ta mbështetur Ukrainën kundër pushtimit barbar dhe të paligjshëm nga Rusia”.

"Pra, të gjithë ne këtu së bashku me SHBA-në po i bëjmë thirrje Putinin. Nëse ai e merr seriozisht paqen, atëherë ka një shans ta tregojë këtë", tha kryeministri britanik Keir Starmer në një konferencë për shtyp.

"Nuk ka më as nëse e as por, mjaft më me kushte dhe vonesa", shtoi ai.

Gazeta Neë York Times citoi një zyrtar të lartë amerikan, i cili kërkoi të mbetej anonim, të ketë thënë se Donald Trump e mbështeti propozimin e evropianëve për sanksione të reja, nëse armëpushimi nuk hyn në fuqi deri më 12 maj.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë britanike para bisedimeve me presidentin e Zelensky, në Kiev, ata ritheksuan mbështetjen e tyre për thirrjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës dhe i bënë thirrje Rusisë “ta ndalë pengimin e përpjekjeve për të arritur paqe të qëndrueshme”.

Putini nuk e përmendi drejtpërdrejt thirrjen për armëpushim nga udhëheqësit evropianë gjatë konferencës së tij.

Shumë analistë kanë thënë se Putini nuk është i interesuar për armëpushim të shpejtë, pasi beson se po e fiton luftën dhe se koha është në anën e tij, gjë që e nxit atë t’i zvarrisë bisedimet për armëpushim në vend se t’i kundërshtojë haptazi, për të mos e zemëruar presidentin amerikan, Donald Trump.

Putin iu referua bisedimeve të zhvilluara në Stamboll në fund të marsit 2022, menjëherë pasi Rusia kuptoi pushtimi i menjëhershëm Ukrainës po dështonte. Kievi u tërhoq nga bisedimet pasi iu paraqit një ultimatum. Sot e asaj dite Moska përpiqet ta paraqesë tërheqjen e Ukrainës si gabim dhe mungesë dëshire për bisedime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG