Ndërlidhjet

Liderët evropianë në Kiev, i bëjnë thirrje Rusisë ta pranojë armëpushimin 30-ditor


Nga e majta: Kryeministri polak Donald Tusk, kryeministri britanik Keir Starmer, Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, në Kiev, 10 maj.
Nga e majta: Kryeministri polak Donald Tusk, kryeministri britanik Keir Starmer, Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, në Kiev, 10 maj.

Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës, Polonisë dhe Britanisë iu bashkuan presidentit Volodymyr Zelensky për ta rritur trysninë për një armëpushim 30-ditor pa kushte në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke e paralajmëruar Moskën se do të përballet me sanksione të reja "masive", nëse presidenti Vladimir Putin nuk e pranon armëpushimin e propozuar.

Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrat britanik dhe polak, Keir Starmer dhe Donald Tusk, u zotuan se ndodhen në Kiev për “ta mbështetur Ukrainën kundër pushtimit barbar dhe të paligjshëm nga Rusia”.

"Pra, të gjithë ne këtu së bashku me SHBA-në po i bëjmë thirrje Putinin. Nëse ai e merr seriozisht paqen, atëherë ka një shans ta tregojë këtë", tha kryeministri britanik Keir Starmer në një konferencë për shtyp.

"Nuk ka më as nëse e as por, mjaft më me kushte dhe vonesa", shtoi ai.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë britanike para bisedimeve me presidentin e Zelensky, në Kiev, ata ritheksuan mbështetjen e tyre për thirrjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës dhe i bënë thirrje Rusisë “ta ndalë pengimin e përpjekjeve për të arritur paqe të qëndrueshme”.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, tha se Kievi “dhe të gjithë aleatët janë të gatshëm për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar në tokë, ajër dhe det, për të paktën 30 ditë, duke filluar qysh të hënën, më 12 maj”.

“Nëse Rusia pajtohet dhe ka mbikëqyrje efektive, atëherë një armëpushim i qëndrueshëm dhe masat për ndërtimin e besimit mund ta hapin rrugën për bisedime për paqe”, shkroi Sybiha në një postim në X.

Ai tregoi se liderët kanë zhvilluar një bisedë telefonike me Trumpin.

Katër liderët shprehën gjithashtu gatishmërinë për të mbështetur bisedimet për paqe, për të diskutuar zbatimin teknik të një armëpushimi dhe për të ndihmuar në përgatitjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për paqe.

“Është e qartë se gjakderdhja duhet të ndalet”, thanë ata.

“Rusia duhet të ndalë pushtimin e saj të paligjshëm, dhe Ukraina duhet të jetë në gjendje të lulëzojë si një shtet i sigurt, i mbrojtur dhe sovran brenda kufijve të saj ndërkombëtarisht të njohur për brezat që do të vijnë”, nënvizuan liderët.

Ata vendosën së bashku lule në një memorial të improvizuar për ushtarët e rënë ukrainas, në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, gjatë një ceremonie që shënoi 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Kjo është hera e parë që udhëheqësit e katër vendeve e vizituan së bashku Ukrainën. Ndërkaq, Friedrich Merz e zhvilloi vizitën e tij të parë në Ukrainë si kancelari i ri i Gjermanisë.

Në mars, Shtetet e Bashkuara propozuan një armëpushim të menjëhershëm për 30 ditë, të cilin Ukraina e pranoi, por Kremlini ka ngulur këmbë për kushte më të leverdishme për veten.

Gjatë vizitës në Kiev, liderët evropianë që vizituan morën pjesë në një samit të "koalicionit të vullnetit", i shpallur më herët nga presidenti Zelensky, i cili mblodhi së bashku vende të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen ushtarake dhe politike për Ukrainën.

Ky koalicion përfshin Britaninë e Madhe, Danimarkën, Estoninë, Finlandën, Islandën, Letoninë, Lituaninë, Holandën, Norvegjinë, Suedinë dhe vetë Ukrainën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG