Ndërlidhjet

Putin përfiton nga varësia botërore ndaj lëndëve bërthamore ruse


Kullat ftohëse të termocentralit bërthamor Temelin pranë qytetit Tyn nad Vltavou, në Republikën Çeke.
Kullat ftohëse të termocentralit bërthamor Temelin pranë qytetit Tyn nad Vltavou, në Republikën Çeke.

AP

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë janë duke importuar sasi të mëdha të lëndëve djegëse bërthamore nga Rusia, duke e mbushur arkën e Moskës me qindra milionë dollarë.

Këto të hyra janë jashtëzakonisht të nevojshme për Rusinë, teksa e zhvillon luftën në Ukrainë.

Shitjet, të cilat janë ligjore dhe nuk janë pre e sanksioneve, i kanë alarmuar ekspertët që lobojnë për mospërhapje bërthamore dhe zyrtarët zgjedhorë, të cilët besojnë se importet po i ndihmojnë Moskës që ta zhvillojë arsenalin e saj bërthamor dhe po i komplikojnë përpjekjet për t’i zvogëluar kapacitetet luftarake të Rusisë.

Varësia në produktet bërthamore ruse – të përdorura kryesisht për t’i aktivizuar reaktorët civilë – nënkupton se SHBA-ja dhe aleatët e saj mund të përballen me mungesa të mëdha, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, vendos ndalesë për shitjen e tyre.

Kjo sfidë pritet të rritet edhe më shumë, pasi këto kombe po përpiqen të prodhojnë rrymë pa krijuar ndotje në ambient, ashtu që t’i luftojnë ndryshimet klimatike.

“Ne duhet t’iu japim para njerëzve që prodhojnë armë? Kjo është absurde”, ka thënë Henry Sokolski, drejtor ekzekutiv i Qendrës së Edukimit për Politika të Mospërhapjes, me seli në Uashington.

“Nëse nuk ekziston një rregull i qartë që e parandalon importimin e lëndëve djegëse bërthamore nga Rusia – dhe kjo rrugë është më e lirë – atëherë pse të mos veprojnë ashtu?”

Rusia ka shitur produkte bërthamore në vlerë të 1.7 miliard dollarëve për kompanitë amerikane dhe evropiane, sipas të dhënave tregtare dhe ekspertëve.

Blerjet janë kryer kryesisht në kohën kur Perëndimi i ka rritur sanksionet ndaj Moskës për nisjen e luftës në Ukrainë më 2022, duke i bllokuar importet e naftës, gazit dhe vodkës ruse.

Mirëpo, Perëndimi ka hezituar në shënjestrim të eksporteve bërthamore të Rusisë, sepse këto lëndë djegëse janë kyçe për mbajtjen gjallë të reaktorëve.

Rusia e ka furnizuar industrinë bërthamore amerikane me rreth 12 për qind të uraniumit vitin e kaluar, sipas Administratës amerikane për Informacione të Energjisë.

Evropa është raportuar të ketë siguruar 17 për qind të uraniumit nga Rusia më 2022.

Varësia nga lëndët djegëse bërthamore të Rusisë pritet të rritet teksa shtetet shqyrtojnë alternativa ndaj lëndëve djegëse të papërpunuara.

Centralet bërthamore nuk prodhojnë emetime në natyrë, ndonëse ekspertët paralajmërojnë se energjia bërthamore bart me vete rrezikun e shkrirjes së reaktorëve dhe sfidën e ruajtjes së mbetjeve radioaktive në mënyrë të sigurt.

Në botë besohet se janë duke u ndërtuar 60 reaktorë bërthamorë dhe 300 të tjerë janë në fazë të planifikimit.

Shumica e 30 shteteve që prodhojnë energji bërthamore, në rreth 440 centrale, importojnë materiale radioaktive nga kompania shtetërore ruse e energjisë, Rosatom, dhe degët e saj.

Rosatom është lidere në pasurim të uraniumit në botë dhe renditet e treta për prodhim të kësaj lënde, sipas raportit vjetor të vitit 2022.

Rosatom, që është duke ndërtuar 33 reaktorë të rinj bërthamorë në 10 shtete, ka eksportuar mallra dhe materiale bërthamore në vlerë të 2.2 miliardë dollarëve vitin e kaluar, sipas të dhënave tregtare të analizuara nga Instituti Royal United Service, me seli në Londër.

Instituti ka thënë se kjo shifër mund të jetë shumë më e madhe, por nuk dihet për shkak të vështirësisë së gjurmimit të eksporteve të tilla.

Shefi i Rosatomit, Alexei Likhachyov, ka thënë për gazetën ruse Izvestia, se biznesi rus me shtetet tjera mund të arrijë në 200 miliardë dollarë në dekadën e ardhshme.

Ekspertët besojnë se një fitim kaq i madh siguron fonde për përgjegjësinë kryesore të Rosatomit: hartimin e politikave dhe prodhimin e arsenalit bërthamor rus.

Zyrtarët ukrainas u kanë bërë thirrje liderëve botërorë që ta sanksionojnë Rosatomin për të këputur një degë të financimit për Moskën, dhe për ta ndëshkuar Putinin për nisjen e luftës.

Presidenti ukrainas, Volodmyr Zelensky, u ka bërë thirrje liderëve botërorë që ta sanksionojnë Rosatomin, pasi forcat ruse e kanë fituar kontrollin e centralit bërthamor në qytetin ukrainas Zaporizhja.

Rosatom është duke e mbajtur pjesërisht në funksion këtë central, ndonëse Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, ka paralajmëruar vazhdimisht se një rrjedhje radioaktive mund të shkaktojë katastrofë të madhe.

“Ukraina nuk e kupton pse nuk është sanksionuar Rosatomi dhe udhëheqësia e saj”, ka thënë Zelensky në maj.

Mbrojtësit e energjisë bërthamore besojnë se Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete evropiane, do të përballeshin me vështirësi të mëdha nëse do të hiqnin dorë nga produktet bërthamore ruse.

Industria e energjisë bërthamore amerikane prodhon rreth 20 për qind të të gjithë energjisë elektrike në SHBA.

Vlera e produkteve bërthamore ruse që janë dërguar në Shtetet e Bashkuara, e ka prekur vlerën e 871 milionë dollarëve vitin e kaluar, për dallim prej 689 milionë dollarëve më 2021, dhe 610 milionë dollarëve më 2020, sipas Byrosë amerikane të Regjistrimit.

Nëse analizohet pesha, importet amerikane të produkteve të uraniumit nga Rusia janë dyfishuar nga 6.3 tonë më 2020 në 12.5 tonë më 2022, sipas të dhënave tregtare nga ImportGenius.

Arsyeja e një varësie të tillë ekziston për dekada.

Industria amerikane e uraniumit është goditur më 1993 pas një marrëveshjeje për mospërhapje bërthamore, e cila ka rezultuar me importim të uraniumit nga Rusia.

Trendi negativ është përshpejtuar pas rënies globale të kërkesës për produkte bërthamore, si pasojë e shkrirjes së tre reaktorëve në centralin bërthamor japonez, Fukushima, më 2011.

Centralet bërthamore amerikane e kanë blerë 5 për qind të uraniumit të përdorur nga furnizuesit e brendshëm më 2021, dhe këto janë shifrat e fundit të publikuara nga Administrata amerikane për Informacione të Energjisë.

Burimi më i madh i uraniumit për centralet bërthamore ka qenë Kazakistani, me 35 për qind.

Aleatja e ngushtë e Rusisë, Kazakistani, është prodhuesja më e madhe e uraniumit në botë.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është duke tentuar të ringjallë industrinë e uraniumit dhe prodhimit të lëndëve djegëse bërthamore, prandaj ligjvënësit kanë hartuar legjislacione për ta përshpejtuar procesin.

Megjithatë, këtë javë, Biden e ka prezantuar formimin e një monumenti kombëtar për të ruajtur tokën rreth Parkut Kombëtar Grand Canyon, që ndalon nxjerrjen e uraniumit nga ajo zonë.

“Është tepër e rëndësishme që t’i ndalim fondet për Rosatomin, monopolin shtetëror të Rusisë”, ka thënë senatori amerikan John Barrasso, i cili e ka prezantuar legjislacionin për ndarje të fondeve për industrinë bërthamore të SHBA-së.

“Ne duhet t’i ofrojmë siguri tregut amerikan për furnizime me lëndë djegëse bërthamore”.

Evropa është në situatë më të rëndë, pasi i ka 19 reaktorë të dizajnuar nga Rusia në pesë shtete, të cilat janë plotësisht të varura nga lëndët djegëse bërthamore ruse.

Franca, po ashtu, e ka një histori të gjatë të varësisë nga uraniumi rus.

Në një raport të publikuar në mars, Greenpeance, duke e cituar databazën e Kombeve të Bashkuara, ka thënë se importet e uraniumit të pasuruar nga Franca janë rritur nga 110 tonë më 2021 në 312 tonë më 2022.

Evropa ka shpenzuar vitin e kaluar rreth 828 milionë dollarë në produkte bërthamore ruse – përfshirë lëndë djegëse, reaktorë bërthamorë dhe makineri- sipas Zyrës evropiane të Statistikave, EUROSTAT.

Por, disa kombe evropiane janë duke marrë hapa për të vënë ndalesë ndaj uraniumit rus.

Pak pas nisjes së luftës në Ukrainë, Suedia ka refuzuar të blejë lëndë djegëse bërthamore nga Rusia.

Finlanda, e cila varet nga energjia ruse në dy prej pesë reaktorëve që ka, e ka shkëptuar një kontratë me Rosatomin për të ndërtuar një central të ri bërthamor.

Kompania finlandeze e energjisë, Fortum, e ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë amerikan Westinghouse Electric për t’i furnizuar dy reaktorë të saj me lëndë djegëse, pasi të skadojë kontrata me Rosatomin në shtatë vjetët e ardhshëm.

Edhe Republika Çeke ka tentuar të distancohet nga furnizimet ruse dhe është kthyer nga Westinghouse dhe kompania franceze Framatome për furnizimet e radhës – prej vitit 2024 - për centralin e vetëm bërthamore që e ka.

Sllovakia dhe Bullgaria kanë vepruar njëjtë - kanë gjetur furnizues tjerë.

Pavarësisht sfidave, ekspertët besojnë se presioni politik dhe dilemat rreth aftësisë së Rusisë për t’i ndalur të gjitha furnizimet, do ta shtyjnë pjesën më të madhe të Evropës që ta braktisin Rosatomin.

“Duke e pasur parasysh perspektivën, mund të themi se Rosatomi e ka humbur tregun evropian”, ka thënë Vladimir Slivyak, bashkudhëheqës i grupit rus për ambientin Ecodefense.

Slivyak ka thënë se deri më tani nuk dihet se si do menaxhojnë Hungaria dhe Franca këtë çështje.

Franca nuk ka shprehur gatishmëri për të hequr dorë nga uraniumi rus.

Hungaria, e cila mban lidhje të ngrohta me Rusinë, është tërësisht e varur nga Moska për t’i aktivizuar me lëndë djegëse katër reaktorët e saj bërthamorë.

Ajo planifikon ta zgjerojë një central me dy reaktorë të Rosatomit – projekt që është financuar me 10 miliardë euro kredi nga një bankë ruse.

Ekspertët kanë thënë se këta reaktorë do të jenë plotësisht të varur nga lëndët djegëse ruse për vite ose edhe dekada.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG