Në një samit historik javën e ardhshme në Uashington, NATO-ja do ta festojë 75-vjetorin dhe do të bëjë plane strategjike se si ta ndihmojë më shumë Ukrainën në luftën e saj kundër pushtuesit rus.
Krerët e shteteve dhe qeverive nga 32 vendet anëtare të aleancës ushtarake – përfshirë Suedinë, e cila u anëtarësua në mars, dhe Finlandën që u anëtarësua në prill 2023 – do të marrin pjesë në tubimin e 9-11 korrikut.
Megjithatë, do të vërehet mungesa se presidentit të Bullgarisë, vendit i cili është anëtar i NATO-s prej vitit 2004.
Rumen Radev ka thënë se nuk ishte konsultuar për një dokument të samitit, i cili thekson qëndrimin zyrtar të Bullgarisë për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe zotimet e aleancës për ta ndihmuar Kievin. Në vend të tij, Bullgarinë do ta përfaqësojë kryeministri Dimitar Glavchev.
Radev, 61 vjeç, pozita e të cilit është kryesisht ceremoniale por ofron platformë për të ndikuar në opinionin publik, e ka bërë të qartë se nuk e përkrah dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë, duke argumentuar se një ndihmë e tillë vetëm e zgjat luftën.
Ai iu ka referuar si “luftënxitës” atyre të cilët ofrojnë mbështetje të tillë.
Delyan Peevski, lider i Lëvizjes liberale për të Drejta dhe Liri (DPS) dhe njëri prej kritikëve më të zëshëm të Radevit, e cilësoi mospjesëmarrjen e tij si “konfirmim se qëndrimet e Radevit u shërbejnë interesave të huaja, jo atyre kombëtare dhe janë të varura nga lidhjet me Lindjen, në kundërshtim me vlerat dhe parimet euroatlantike”. (Peevski është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania për dyshimet për korrupsion).
Të tjerët janë ndier të lehtësuar që Radev nuk do ta shoqërojë Glavchevin në samit, për shkak të shqetësimeve se ai do të mund ta përdorte tubimin si platformë për t’i shpalosur qëndrimet e tij proruse.
“Për të gjetur diçka pozitive nga e gjithë kjo, së paku ne nuk kemi pse të shqetësohemi se Bullgaria do të ketë qëndrime dykuptimshme në takimin në Uashington”, tha Elena Poptodorova, ish-ambasadore bullgare në Shtetet e Bashkuara.
Skepticizmi për NATO-n
Radev tha se e mori vendimin për ta bojkotuar samitin e NATO-s sepse nuk u përfshi në përpilimin e qëndrimit zyrtar të Bullgarisë dhe zotimet e saj për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Radevi theksoi se nuk u konsultua kur Këshilli i Ministrave – organi më i lartë ekzekutiv i Bullgarisë i përbërë nga kryeministri dhe ministra të lartë – u pajtuan për provizionet e qëndrimit bullgar, tha Zyra e tij më 27 qershor.
Mospublikimi i qëndrimit të Qeverisë ka nxitur thashethemet nga disa politikanë, kryesisht nga ata të cilët janë miqësorë me Kremlinin, se zyrtarët po përgatisin diçka të keqe.
“Shpresoj se ne do t’i shohim të gjitha që janë shkruar në tekst dhe do ta kuptojmë pse presidenti nuk u konsultua paraprakisht për të, dhe pse ka ngurrim për ta paraqitur atë [në Parlament]”, tha zëvendëspresidentja Iliana Iotova.
Më 28 qershor, Zyra për shtyp e Qeverisë theksoi se qëndrimi i Këshillit të Ministrave përfshin rikonfirmimin e Sofjes për mbështetjen ushtarake për Kievin, si dhe mirëkuptimin se Ukraina nuk duhet të detyrohet të heqë dorë nga territori për të arritur paqe me Rusinë.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Atanas Zapryanov, shtoi se qëndrimi zyrtar nuk është publikuar sepse përmban edhe të dhëna të klasifikuara.
Pak ditë më vonë, më 1 korrik, Glavchev tha se do ta dërgonte më vonë atë ditë përmbajtjen e qëndrimit zyrtar të Sofjes në Regjistrin e Informatave të Klasifikuara të Parlamentit bullgar. Kjo do t’ua mundësonte deputetëve bullgarë të njihen me përmbajtjen e tij.
Glavchev i hodhi poshtë si “absurde” akuzat se kabineti është duke e shtyrë Bullgarinë drejt luftës.
“Nuk ka asgjë ndryshe në të nga qëndrimet dhe rezolutat e Asamblesë Kombëtare”, shtoi ai.
Radev ka kohë të gjatë që shpreh skepticizëm për ndihmën e NATO-s për Ukrainën dhe ka tentuar t’i bllokojë përpjekjet e tilla, duke pretenduar se ajo nxit konflikt të gjerë, një narrativë e mbështetur nga figura të tjera proruse, përfshirë kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
Në fakt, në maj, kur Sofja ishte nikoqire e një takimi të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Radev udhëtoi në Budapest për bisedime me Orbanin, Qeveria e të cilit ka punuar gjithashtu për ta bllokuar ndihmën për Ukrainën.
Samiti i javës së ardhshme në Uashington do të përqendrohet në tri tema kryesore, sipas shefit të NATO-s Jens Stoltenberg. Sipas tij, tema “më urgjente” në agjendë është mbështetja e përpjekjeve të Ukrainës për ta mbrojtur veten.
Duke mos marrë pjesë, Radev do ta dërgojë një mesazh të “dëmshëm” për partnerët e Bullgarisë në NATO, tha Assen Agov, ish-ligjvënës bullgar dhe ish-nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
“Ai po e diskrediton vendin, duke menduar se po shënon pikë në një proces paqeje që nuk ekziston”, tha Agov për REL-in.