Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, pesë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të presidenciale, sërish e ka promovuar idenë për president konsensual.
Ai në një intervistë për Radion Evropa shprehet se Maqedonisë i duhet një president konsensual, përkatësisht të arrihet marrëveshje mes partive politike, për një figurë e cila unifikon dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
“Mendoj se nuk jemi shumë larg idesë që vendit I duhet një president konsensual, një president i dalë nga marrëveshja. Mirëpo, akoma nuk kemi biseduar për detaje dhe mendoj se në të ardhmen pasi t’i mbyllim këto procese kaq të mëdha që i kemi, mund të flasim edhe për këtë temë. Por, ne parimisht qëndrojmë atij parimi për cilin jo një herë, por disa herë jemi deklaruar se në të mirë të vendit, në dobi të vendit do të ishte sikur të kemi një figurë e cila na afron dhe jo që na ndan”, thekson Ali Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.
I pyetur se nëse dështon ideja për presidentin konsensual, a mendon se shteti duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale, të cilat duhet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, Ahmeti është shprehur i prerë se Maqedonisë si shtet nuk i duhen zgjedhje të parakohshme, por fokusim i të gjitha forcave relevante në realizimin e obligimeve, për të përshpejtuar procesin e integrimeve euroatlantike.
“Mendoj se nuk ka nevojë për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ne duhet të materializojmë dhe të zbatojmë detyrat, obligimet dhe programet që i kemi, qoftë si Qeveri, qoftë si parti politike, që marrim pjesë në koalicionin qeverisës. Dhe mendoj se për vendin do të ishte më e dobishme të shkohet në zgjedhje të rregullta dhe me sukses të arrijmë të përmbyllim zgjedhjet për kryetar të shtetit sa më mirë dhe të gjejmë gjuhë të përbashkët, që këtë proces ta përmbyllim bashkërisht”, thotë Ahmeti.
Ndryshe, zgjedhjet e fundit presidenciale të cilat u mbajtën në vitin 2014, Bashkimi Demokratik i bojkotoi, sepse nuk u pranua ideja e kësaj partie për kandidat konsensual, me ç’rast, atëkohë kjo parti u bëri thirrje shqiptarëve të mos votojnë për asnjë nga kandidatët për president.
Por, Aleanca për Shqiptarët konsideron se Ali Ahmeti me hedhjen e kësaj ideje në opinion, në momentin që janë në procedurë ndryshimet kushtetuese, ka për synim të shpërqendrojë vëmendjen e opinionit.
“Zoti Ahmeti këtë ide e aktualizon në momentin kur janë në procedurë parlamentare ndryshimet kushtetuese, që janë shumë të rëndësishme për shqiptarët, sidomos kur nevojitet që në Kushtetutë të figurojë gjuha shqipe si gjuhë zyrtare dhe jo gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës. Po në këtë periudhë ai del me idenë e presidentit konsensual, e që në fakt qëllimi është vetëm që të shpërqendrojë opinionin nga diskutimi mbi çështjet që janë jetike për momentin dhe që nuk do përsëritet ky shans 20 vjetët e ardhshme - hapja e Kushtetutës- duke vënë theksin në një temë e cila absolutisht është e parëndësishme në këtë kohë”.
“Ne si parti kemi mbrojtur qëndrimin që presidentin e shtetit më së miri do të jetë ta zgjedhë Parlamenti dhe aty të arrihet konsensus mes të gjitha partive dhe jo vetëm atyre shqiptare”, thotë Arben Taravari, Sekretar i Aleancës për Shqiptarët.
Edhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, e cila nuk është pjesë e Qeverisë edhe pse me dy deputetët e saj në Parlament ka mbështetur ndryshimet kushtetuese, thotë se presidenti konsensual është i mundshëm vetëm nëse ndryshon dhe modeli i zgjedhjes së presidentit, përkatësisht presidentin e shtetit ta zgjedhë Parlamenti.
“Sa takon idesë së presidentit konsensual, mendojmë se kjo ide mund të zhvillohet vetëm në momentet nëse presidenti i shtetit do të zgjidhet nga Parlamenti. Njëherësh, për të qenë presidenti i shteti konsensual, duhet të përdoret mekanizmi i mbrojtjes nga mbivotimi, i njohur si votimi i dyfishtë apo votimi mbi bazë të mekanizmit të Badinterit”.
“Çdo alternativë tjetër e hedhur në opinion se mund të gjendet një kandidat konsensual, ai mund të jetë një kandidat për të cilin do të bien në ujdi partnerët e koalicionit qeverisës, pasi që në asnjë moment nuk mund të quhet kandidat për president konsensual një person për të cilin arrijnë marrëveshje dy ose tre parti politike”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa.
Ndërkaq nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), e cila drejtohet nga kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, për Radion Evropa e Lirë thonë se brenda partisë, ende është duke u diskutuar për këtë çështje.
“Ende është herët të flasim për këtë çështje, kryekëput jemi të fokusuar në çështjet që ndodhin në Parlament rreth ndryshimeve kushtuese, për realizimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i LSDM-së, Konstadin Kosnastadinov.
Edhe nga VMRO-DPMNE-ja theksojnë se nuk është hapur brenda partisë tema rreth zgjedhjes së presidentit të shtetit. Kjo çështje, shtojnë nga kjo parti opozitare, nuk është diskutuar as me partitë tjera.
“Një gjë është e sigurt se kandidati me të cilin do të futemi në garë para së gjithash do të jetë personalitet i ndershëm, që do ta respektojë Kushtetutën dhe do të kujdeset për interesat strategjike për shtetin”, kanë theksuar nga VMRO-ja.
Nga kjo parti thonë se emrat që kanë dalë në opinion si kandidatë të mundshëm, me të cilët do të garojë kjo parti, janë thjeshtë spekulime.
Lideri i kësaj partie, Hristijan Mickoski, gjatë fillimit të protestave që ka thënë se do t’i organizoj për çdo javë deri sa të rrezohet Qeveria, para masës së tubuar ka theksuar se hapi i parë për fitoren kundër pushtetit aktual është fitorja e VMRO-së në zgjedhjet presidenciale.
“Ejani, le të fitojë bindshëm kandidati jonë në zgjedhjet presidenciale. Ky do të jetë triumfi ynë i parë drejt çlirimit të atdheut. Prej këtu le të fillon fitorja jonë”, ka theksuar para masës së tubuar, Mickoski.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale konsiderohen të vlefshme vetëm nëse në votime marrin pjesë 40 për qind e trupit elektoral.