Ndërlidhjet

Pse janë të rëndësishme zgjedhjet për Parlamentin Evropian


Parlamenti Evropian gjatë një seance plenare në Strasburg, Francë, mars 2024.
Parlamenti Evropian gjatë një seance plenare në Strasburg, Francë, mars 2024.

Reuters

Qytetarët e Bashkimit Evropian do të votojnë nga 6 deri më 9 qershor për t’i zgjedhur 720 anëtarë të rinj të Parlamentit Evropian për pesë vjetët e ardhshme.

Pse janë të rëndësishme këto zgjedhje?

Parlamenti Evropian është njëri prej tre institucioneve kryesore të BE-së që e udhëheqin bllokun e 27 vendeve.

Së bashku me qeveritë e BE-së, ai vendos për ligjet në lidhje me politikat e përbashkëta evropiane dhe për tregun e BE-së që ka gati 450 milionë njerëz.

Ndikimi në politikat kyçe

Parlamenti do t’i ndryshojë politikat vendimtare të identifikuara nga liderët e BE-së si prioritete për pesë vjetët e ardhshme:

  • Kalimi i BE-së në emetimet neto zero të gazeve serrë deri në vitin 2050
  • Politika industriale për ta mbajtur BE-në konkurruese kundër Kinës dhe Shteteve të Bashkuara
  • Një union i BE-së për energjinë, për uljen e çmimeve të energjisë dhe për ta bërë më stabil furnizimin me energji
  • Një Union i Tregjeve të Kapitalit për të ndihmuar në mobilizimin e parasë private
  • Rritja e kapaciteteve të prodhimin në industrinë e mbrojtjes së BE-së

Ndikimi në pozitat kryesore në BE

Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ketë ndikim edhe mbi emërimin e presidentit të ardhshëm të Komisionit Evropian, i cili është degë ekzekutive e bllokut që ka pushtet ekskluziv për të propozuar ligje të reja të BE-së.

Derisa ende nuk ka kërkesë formale për një gjë të tillë, grupi politik që i fiton zgjedhjet do ta ketë argumentin më të fuqishëm se presidenti i ardhshëm i Komisionit duhet të vijë nga radhët e tij.

Ndikimi mbi paranë

Parlamenti i ardhshëm Evropian do të vendosë së bashku me qeveritë e BE-së për buxhetin e ardhshëm të BE-së për vitet 2028/2034, i cili tani për tani është rreth 1.1 trilion euro.

Buxheti i mandatit të ardhshëm afatgjatë mund të rritet dhe natyrisht do të duhet të ndryshohet në lidhje me prioritetet e shpenzimeve, për ta marrë parasysh zgjerimin e mundshëm të BE-së për pranimin e Ukrainës, Moldavisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndikimi mbi ndryshimin e BE-së në të ardhmen

Zyrtarët dhe qeveritë e BE-së thonë se blloku duhet ta ndryshojë politikën e brendshme bujqësore dhe mënyrën se si i mbështet anëtarët e vet, në mënyrë që t’i baraspeshojë standardet e jetesës në gjithë bllokun, para se të pranojë vende të tjera, posaçërisht të mëdha, siç është Ukraina.

Shumë thonë gjithashtu se BE-ja duhet ta ndryshojë edhe mënyrën se si i merr vendimet duke e zvogëluar nevojën për njëzëshmëri, nëse i bashkohen më shumë vende.

Nëse reforma të tilla propozohen në pesë vjetët e ardhshme, atëherë Parlamenti do ta ketë një rol vendimtar në ndryshimin e tyre.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG