AP
Shtetet e Bashkuara vranë liderin e Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, në një sulm me dron në Afganistan, të kryer në fundjavë. Al-Zawahiri ishte një prej figurave kryesore që ndihmoi Osama bin Ladenin të organizonte sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara dhe ndihmoi Al-Kaidën të mbijetonte dhe të përhapej në vitet pasardhëse.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se duke lokalizuar dhe goditur al-Zawahirin, SHBA-ja po sigurohej që Afganistani nën pushtetin e talibanëve nuk do të bëhej më kurrë një bazë për sulmet ndaj pjesës tjetër të botës, siç ishin ato të vitit 2001.
Por, cili ishte lideri i Al-Kaidës, i cili iu shmang kapjes nga SHBA-ja për 21 vjet pas sulmeve vetëvrasëse me avionë, që e ndryshuan në shumë mënyra Amerikën dhe marrëdhëniet e saj me pjesën tjetër të botës?
Kush ishte Ayman al-Zawahiri?
Amerikanët që përjetuan sulmet e 11 shtatorit mund të mos e mbajnë mend emrin e al-Zawahirit, por shumë e njohin fytyrën e tij, më shumë se dy dekada më vonë: një burrë me syze, paksa i buzëqeshur, i shfaqur vazhdimisht në foto përkrah bin Ladenit, teksa të dy organizuan sulmin ndaj Shteteve të Bashkuara.
Me origjinë egjiptiane, al-Zawahiri lindi më 19 qershor të vitit 1951, në një familje mesatare në një lagje të qetë në periferi të Kairos. Një besimtar i devotshëm në fëmijëri, ai u përfshi në një degë të dhunshme islamike sunite që kërkonte të zëvendësonte qeveritë e Egjiptit dhe kombeve të tjera arabe me një interpretim të ashpër të sundimit islamik.
Në rininë e tij al-Zawahiri punoi si kirurg, por gjithashtu udhëtoi në Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme, duke qenë dëshmitar i luftës së afganëve kundër pushtuesve sovjetikë dhe duke takuar më pas sauditin e ri, Osama bin Laden, dhe militantë të tjerë arabë që ndihmonin Afganistanin të dëbonte trupat sovjetike.
Ai ishte një nga qindra militantët e kapur dhe të torturuar në burgun egjiptian pas vrasjes së presidentit Anwar Sadat nga fundamentalistët islamikë në vitin 1981. Biografët thonë se kjo përvojë e radikalizoi më tej atë. Shtatë vjet më vonë, al-Zawahiri ishte i pranishëm kur bin Ladeni themeloi Al-Kaidën.
Al-Zawahiri bashkoi grupin e tij militant egjiptian me organizatën e Al-Kaidës. Ai i solli aftësi dhe përvojë organizative Al-Kaidës - duke vepruar fshehurazi në Egjipt dhe duke iu shmangur inteligjencës egjiptiane – çka e lejoi Al-Kaidën të organizonte qelizat e ndjekësve dhe të godiste anembanë botës.
Pse ishte i rëndësishëm al-Zawahiri?
Pas viteve të qeta duke rekrutuar terroristët që kryen sulmet vetëvrasëse, mbledhjes së fondeve dhe thurjes së planeve për sulmet e 11 shtatorit, Zawahiri dhe ndjekësit e tij u siguruan që Al-Kaida t'i mbijetonte ndjekjes globale që pasoi, në mënyrë që të kryenin sërish sulme.
Në arrati pas sulmeve të 11 shtatorit, al-Zawahiri ringriti udhëheqjen e Al-Kaidës në rajonin kufitar mes Afganistanit dhe Pakistanit dhe ishte lideri suprem i degëve të kësaj organizate në Irak, Azi, Jemen dhe më gjerë. Me një reputacion për goditjen e armiqve të afërt dhe të largët, Al-Kaida pas 11 shtatorit kreu sulme të shumta ndër vite: në Bali, Mombasa, Riad, Xhakartë, Stamboll, Madrid, Londër dhe më gjerë.
Sulmet që vranë 52 njerëz në Londër në vitin 2005 ishin ndër sulmet e fundit shkatërruese të Al-Kaidës në Perëndim, pasi sulmet me dronë, sulmet kundër terrorizmit dhe raketat e lëshuara nga SHBA-ja dhe aleatët e saj vranë luftëtarët e lidhur me organizatën dhe shkatërruan pjesë të rrjetit terrorist.
Si u vra al-Zawahiri?
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, al-Zawahiri doli në ballkonin e një shtëpie në Kabul, në Afganistan. Ai me sa duket qëndroi jashtë në ballkon, një veprim që ai e bënte shpesh, siç kishte vënë re edhe inteligjenca amerikane. Në këtë ditë, një dron i SHBA-së lëshoi dy raketa “Hellfire” në drejtim të liderit të Al-Kaidës, ndërsa ai ishte në këmbë, sipas zyrtarëve amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti mbi detajet e sulmit.
Sipas analistëve, dyshohej prej kohësh prania e tij në Afganistan. Zyrtarët amerikanë mësuan këtë vit se së fundmi gruaja e Zawahirit dhe anëtarët e tjerë të familjes ishin zhvendosur në një shtëpi të sigurt në Kabul. Më pas edhe Zawahiri iu bashkua atyre, thanë zyrtarët e lartë të administratës.
Zyrtarët amerikanë, të cilëve iu bashkuan edhe liderët e lartë, si presidenti Joe Biden, shpenzuan muaj të tërë duke u siguruar dhe konfirmuar identitetin e tij – dhe rutinën e tij për të qëndruar i vetëm në të njëjtin ballkon – dhe planifikuan sulmin.
Çfarë nënkupton vrasja e tij për Al-Kaidën?
Varet se cili komandant i Al-Kaidës do të marrë vendin e tij. Dhe, pas dekadash sulme nga SHBA-ja dhe vende të tjera, grupi ka mbetur me një numër mjaft të reduktuar të njerëzve.
Eksperti i Al-Kaidës, Ali Soufan, vlerëson Saif al-Adli, një egjiptian si një nga kandidatët e mundshëm për të zëvendësuar al-Zawahirin. Statusi i lartë i al-Adl-it brenda organizatës, përvoja e tij dhe potenciali e karizma e tij për të tërhequr sërish dezertorët e al-Kaidës që i janë bashkuar grupeve të tjera ekstremiste, e bëjnë atë një kandidat potencial.
Por, në përgjithësi Al-Kaida tani përballet me një krizë udhëheqjeje dhe një të ardhme të lëkundur. Kjo përfshin rivalitetin ndaj grupeve të reja ekstremiste që u krijuan pas 11 shtatorit dhe që kanë gjithashtu një prani në Afganistan.
Charles Lister, një tjetër ekspert i rrjeteve të dhunshme ekstremiste, shkroi pas vrasjes së al-Zawahirit se natyra dhe përhapja e konflikteve në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe në Azinë Jugore sot favorizojnë organizatat xhihadiste të fokusuara brenda vendeve dhe jo ato me target global.
Udhëheqësi i ardhshëm i Al-Kaidës do të duhet të dëshmojë lidhjen dhe dedikimin e tij ndaj "degëve të tjera të organizatës, të cilat kanë qenë më të gatshme të kundërshtojnë një udhëheqje qendrore të perceptuar si të shkëputur nga realitetet e konflikteve, duke qenë mijëra kilometra larg", shkroi Lister.
A e dinin talibanët që al-Zawahiri ndodhej në Afganistan?
Pa dyshim që po, sipas zyrtarëve amerikanë. Deri të hënën nuk ishte e qartë se prej sa kohësh ndodhej al-Zawahiri në Afganistan, por prania e tij atje përflitej gjerësisht prej disa muajsh, tha Asfandyar Mir, një ekspert i Azisë Qendrore në Institutin e Paqes në SHBA.
Jo vetëm kaq: Shtëpia ku jetonte Al-Zawahiri me familjen e tij ishte në pronësi të një këshilltari të lartë të liderit taliban, Sirajuddin Haqqani, sipas një zyrtari të inteligjencës amerikane.
Ka mundësi që edhe dikush në mesin e talibanëve i shiti SHBA-së informacion mbi al-Zawahirin dhe familjen e tij. Por, në mesin e viteve 1990 ishte një qeveri talibane që pranoi liderët e Al-Kaidës dhe i lejoi ata të komplotonin mbi sulmet e 11 shtatorit atje, duke nxitur kështu edhe luftën 20-vjeçare të udhëhequr nga SHBA-ja.
Shqetësim pas vdekjes së al-Zawahirit në kryeqytetin e Afganistanit është se talibanët po i lejonin sërish organizatat e armatosura ekstremiste të vendoseshin në Afganistan pas tërheqjes së SHBA-së, ashtu siç i druhej Perëndimi.
Facebook Forum