Qeveria kanadeze e ka listuar si grup terrorist grupin e ekstremit të djathtë “Proud Boys” (Djemtë krenarë).
Vendimi për këtë u mor të mërkurën, duke vënë në pah rolin që pjesëtarët e këtij grupi kishin më 6 janar në sulmet mbi Kongresin amerikan në Uashington.
“Djemtë krenarë” është një grup shovinist i ekstremit të djathtë, i njohur për angazhimin në përplasje të dhunshme në tubime politike.
Kanadaja bëhet vendi i parë që e shpall këtë grup si një entitet terrorist.
Pas vendimit të Qeverisë kanadeze, “Djemtë krenarë” do të konsiderohen si një "grup ekstremist i dhunshëm i motivuar ideologjikisht" së bashku me dymbëdhjetë organizata të tjera.
"Veprimet dhe retorikat e tyre të dhunshme ushqehen nga dominimi i të bardhëve, antisemitizmi, racizmi, homofobia, islamofobia dhe mizogjinia, dhe për fat të keq, shpesh në kombinim të të gjithave", tha ministri i Sigurisë Publike i Kanadasë, Bill Bler.
Zyrtarët qeveritarë thonë se masat do të ndihmojnë Kanadanë të ngrijë pasuritë financiare të grupeve dhe të kriminalizojë financimin, trajnimin dhe rekrutimin për të gjitha grupet e tilla.
Rreziku nga dhuna e motivuar politike
Më 6 janar të këtij viti kur turma protestuese u nis drejt Kongresit në Uashington, në mesin e tyre ishin edhe anëtarët e grupit “Proud Boys”.
Ata iu bashkuan turmës, e cila arriti të futej brenda hapësirave të Kongresit.
Pesë njerëz, duke përfshirë edhe një zyrtar policor humbën jetën atë ditë.
Vendimi i Qeverisë kanadeze, po ashtu, pason një alarm mbarëkombëtar të terrorizmit që ditë më parë lëshoi Departamenti i Sigurisë Kombëtare - (DHS) në Shtetet e Bashkuara.
Në dokumentin që ishte lëshuar nga ky institucion potencohej kërcënimi i mundshëm nga ekstremistët e brendshëm anti-qeveritarë "të trimëruar" nga sulmi i 6 janarit ndaj Kongresit.
Alarmi ishte lëshuar në një periudhë të tensionuar, pas trazirave në Kongres nga mbështetësit e zemëruar të ish-presidentit Donald Trump, të cilët synuan të përmbysin rezultatin zgjedhor.
"Informacionet sugjerojnë se disa ekstremistë të dhunshëm të motivuar ideologjikisht mund të vazhdojnë të mobilizohen për të nxitur ose për të kryer dhunë", thuhej në njoftimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare në SHBA.
Më tej tërhiqej vëmendja edhe te fakti se ekzistojnë gjithashtu shqetësime se ekstremistët mund të ndërmarrin sulme kundër zyrtarëve të zgjedhur dhe institucioneve qeveritare.
“Proud Boys” e quan qesharak vendimin
Zyrtarë të lartë kanadezë, duke folur në një konferencë informuese thanë se autoritetet kishin monitoruar dhe mbledhur prova në lidhje me “Djemtë krenarë” përpara dhunës së ushtruar ndaj Kongresit, por konfirmuan se ngjarja siguroi informacion që ndihmoi në vendimin për t'i listuar si organizatë terroriste .
Enrique Tarrio, udhëheqës i “Djemve krenarë”, e quajti qesharak vendimin e Qeverisë kanadeze.
“Nuk ka asnjë bazë për të. Është shkelje e të drejtave të fjalës së lirë. Gjithçka që 'Djemtë krenarë' kanadezë kanë bërë ndonjëherë është të shkojnë në tubime”,tha Tarrio në një intervistë telefonike dhënë për AP-në.
Tarrio tha se autoritetet përdorën ngjarjet në Kongres për të marrë këtë vendim.
Ai vlerësoi se në Kanada ka midis 1000 dhe 1,500 anëtarë të grupit “Djemtë krenarë”.
Tarrio u arrestua në Uashington pak para trazirave që ndodhën në Kongres.
Ai u akuzua për vandalizmin e një baneri në të cilin shkruante "Black Lives Matter" (Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi) në një kishë historike të komunitetit me ngjyrë gjatë një proteste të mëparshme në Uashington.
Anëtarësimi në këtë grupacion zakonisht kontrollohet nga udhëheqësit lokalë.
Grupi “Djemtë krenarë” është aktiv dhe i pranishëm në tubime dhe protesta publike.
Disa anëtarë të këtij grupimi janë dënuar për dhunë dhe krime të ndryshme.
Me raportim nga AP.
Përgatiti: Shkëlqim Hysenaj