Ndërlidhjet

Gjykata cakton një muaj paraburgim për katër serbët e arrestuar në Gjakovë


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke u caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurve B.R., N.V., P.K. dhe M.S., të nacionalitetit serb, për shkak të "dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, 'Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve"'.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Prokuroria tha se të dyshuarit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., kishin mbajtur armë të ftohta gjatë vizitës së tyre në në disa nga Manastiret Ortodokse në Kosovë të shtunën.

Sipas njoftimit, në veturën me të cilin po udhëtonin ata, e tipit Toyota, Policia e Kosovës gjeti një sëpatë, një thikë me këllëf, dhe një thikë sharrë.

Ata akuzohen se e kishin tejkaluar shpejtësinë e lejuar në atë zonë dhe nuk kishin deklaruar se në veturën e tyre bartnin armë të ftohta.

“Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, tha Prokuroria.

"Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që, nëse do të gjendeshin në liri, ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale si dhe rreziku i ikjes", thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Përveç katër të dyshuarve në Gjakovë, autoritetet kosovare i ndaluan edhe 12 të dyshuar të tjerë në Prizren në fundjavë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të dielën se ndalimi i tyre u bë gjatë një operacioni të zhvilluar në dy ditët e fundit, duke shtuar se të ndaluarit po udhëtonin me katër automjete të ndara me targa nga Kragujevci, qytet në Serbi.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha të dielën në mbrëmje se gjykata kishte urdhëruar që katër serbët e arrestuar në Gjakovë të mbaheshin në paraburgim për 48 orë.

Në lidhje me 12 të arrestuarit në Prizren, ajo tha se dy prej tyre, me inicialet L.S. dhe S.R. u mbajtën në paraburgim, ndërsa të tjerët pas marrjes në pyetje u liruan dhe u kthyen në Serbi.

Sveçla tha të dielën se, sipas të dhënave fillestare, dyshohej se këto grupe “kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”.

Beogradi e ka mohuar këtë, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që tha se personat e ndaluar po vizitonin manastiret përreth Prizrenit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG