Ndërlidhjet

Proceset e shpeshta zgjedhore, dëmtojnë ekonominë e Maqedonisë


Ilustrim
Ilustrim

Formimi i Qeverisë teknike në janar vitit të ardhshëm me mandate deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përkatësisht deri në formimin e Qeverisë së re, do të ketë ndikim në rritjen e ekonomike, theksojnë njohësit e çështjeve ekonomike.

Nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut kanë parashikuar që rritja ekonomike gjatë vitit të ardhshëm të jetë më e lartë sesa sivjet, megjithëse kanë shtuar se trajektorja që shënon rritjen ekonomisë do të pësojë ngecje për shkak të zgjedhjeve të parakohshme.

Njohësit e çështjeve ekonomike theksojnë se fushata zgjedhore, e cila ka filluar shumë më herët se afati ligjor, shkakton një ngërç për zhvillimin e ekonomisë, përkatësisht në një atmosferë të këtillë kompanitë më shumë janë të dekurajuar për të investuar.

Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjithkund në botë viti zgjedhor për ekonominë paraqet një shok.

Ai nënvizon se me shumë rëndësi sa i përket tejkalimit të të ashtuquajturit shok nga procesi i zgjedhjeve për ekonominë e vendit, do të jetë ajo se në çka do të fokusohet Qeveria e re Maqedonisë së Veriut - politikën e jashtme siç ndodh gjatë qeverisjes aktuale, ose do të vihen në fokus të zhvillimit të biznesit.

“Zgjedhjet kanë ndikimin e vet politik dhe atë ekonomik, për shkak se pasiguria që sjellin paraqet një mesazh për investitorët që të jenë më të kujdesshëm sa u përket investimeve. Aq më tepër tani që Maqedonia e Veriut ndodhet në një situatë goxha strategjike në lidhje me Bashkimin Evropian dhe integrimin e saj dhe çdo kush që do të kishte dashur të investojë, do të duhej t’i përgjigjej kësaj pyetjeje se nga do të vejë Maqedonia e Veriut”, thotë Ademi.

Nga ana tjetër, Marija Zarezankova, ligjëruese në Fakultetin e Ekonomisë në Shkup, thotë se përballja e Maqedonisë së Veriut me shumë procese zgjedhore - ato lokale, presidenciale dhe së fundmi zgjedhjet e parakohshme parlamentare - në një mënyrë të pashmangshme e vendosin në gjumë realizimin e projekteve kapitale dhe investimet.

“Mendoj se një pjesë e madhe e afaristëve, veçanërisht ata që kanë ndërlidhje të caktuara me partitë politike, do të bllokojnë aktivitetet përderisa mos fitohet një pasqyrë më e qartë se kush do të udhëheqë me shtetin”.

“Ata që tani janë me pushtetin, do të synojnë që të përmbyllin projektet e filluara duke mos e ditur se sa është në përputhje me ligjet kjo dhe ata që kanë lidhje me opozitën do të presin që të kalojnë zgjedhjet dhe të bëhet e qartë se me kënd duhet të krijojnë partneritet”, thotë Zarezankova.

Banka Popullore mbetet në parashikimin e saj për rritje ekonomike prej 3.5 për qind për këtë vit, ndërsa 3.8 për qind për vitin e ardhshëm

Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Bezhovska Angelovska, megjithatë ka theksuar se zgjedhjet e parakohshme të shpallura për në pranverë, përkatësisht më 12 prill, mund ta ngadalësojnë aktivitetin ekonomik.

Sipas Angellkovskas, edhe këtë vit ka dështuar realizimi i investimeve kapitale, dhe është vërejtur edhe rritje e borxhit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG