Ndërlidhjet

Pendarovski kërkon sanksione për “provokimet nacionaliste” gjatë vizitës së Kurtit


Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka kërkuar sanksionimin e drejtuesve të komunës së Çairit dhe Tetovës, për siç ka thënë, “provokimet nacionaliste që propozojnë ide shoviniste të shteteve të mëdha” gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të premten, më 11 gusht në Tetovë dhe Çair të Shkupit.

Kryeministri Albin Kurti qëndroi në këto dy komuna të banuara me popullatë shqiptare, me ftesë të kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami. Kurti mori pjesë në përurimin e një rrugë me emrin e veprimtarit, Adem Demaçi në Çair, ndërsa në Tetovë mori pjesë në lëshimin në përdorim të një rruge në Malësinë e Tetovës.

Gjatë kësaj vizite Kurti dhe kreu i Tetovës folën edhe mbi nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometra, që do të lidhte Tetovën me Prizrenin.

Kurti ishte pritur me ikonografi shqiptare, flamuj e simbole tjera kombëtare shqiptare.

“Vendosja e ikonografisë provokuese nacionaliste, që promovon ide shoviniste të shteteve të mëdha, paraqet nxitje të urrejtjes dhe jotolerancës etnike, nga të cilat pa mëdyshje goditen parimet dhe vlerat bazë të Marrëveshjes Kornizë si dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik”, u tha në reagimin e presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski.

Ai ka reaguar edhe për "mosrespektimin e Ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore të Maqedonisë së Veriut".

“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Në këtë drejtim, i bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë të kryejnë procedurat e parapara”, thuhet në reagimin e Pendarovskit, i cili ngriti dilema edhe për shkeljen e procedurave për emërtimin e rrugës në Çair me emrin e Adem Demaçit.

“Mënyra e realizimit të idesë së riemërtimit të rrugës në komunën e Çairit bie ndesh me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në shtet. Në këtë kuptim, pres që shërbimet kompetente inspektuese të kontrollojnë nëse është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë me rastin e marrjes së vendimit, ku duhet të përfshihen edhe votat e komuniteteve që nuk janë shumicë në atë komunë”, u tha në reagimin me shkrim të presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, të dielën më 13 gusht.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Izet Mexhiti, ish-kryetar i Çairit, tani kryetar i partisë së re Lëvizja Demokratike, me përfaqësuesit e të cilës u takua Kurti.

“Mendoj se kjo vizitë duhet parë pozitivisht, pasi u promovuan projekte të përbashkëta, siç është rruga Tetovë-Prizren, e cila do t'i bashkojë njerëzit, do t'i kontribuojë zhvillimit ekonomik dhe turizmit më të madh. Unë do t'iu kërkoj të mendoni më pozitivisht. E shoh që me çdo kusht dëshiron të gjesh diçka. Ishte një miting. Na ndodh çdo ditë, shoh edhe harta nga ‘Maqedonia e Madhe’. Ne ishim edhe në komunën e Tetovës, ku para ndërtesës së komunës ka flamuj edhe maqedonas, shqiptar dhe komunal. Nëse duam t'i shohim, duhet të bëjmë probleme me çdo kusht, tha Mexhiti.

Ai theksoi se shembulli me emërtimin e rrugës me emrin “Adem Demaçi” nuk duhet të jetë problem, pasi sipas tij, bëhet fjalë për një person me vlera evropiane, fitues i çmimit Sakharov të ndarë nga Parlamenti Evropian dhe luftëtar për të drejtat dhe liritë njerëzore e kombëtare të shqiptarëve të Kosovës.

Veç presidentit Stevo Pendarovski, për vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kanë reaguar edhe partitë tjera maqedonase ndërsa partia “E majta”, ka kërkuar që Kurti të shpallet “Persona non grata” (person i padëshiruar).

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG