Ndërlidhjet

Edukim falas, laptopë: Premtimet e Azerbajxhanit për studentët në Nagorno-Karabak


Qyteza Stepanakert dikur, e njohur sot si Xankendi në Nagorno-Karabak.
Qyteza Stepanakert dikur, e njohur sot si Xankendi në Nagorno-Karabak.

Dhoma të rehatshme nëpër konvikte dhe pamje prej malit. Salla të ligjëratave në ndërtesa të reja, në të cilat do të ligjërojnë disa prej profesorëve më me nam.

Dhe të gjitha këto falas.

Azerbajxhani është duke e bërë të pamundurën për t’i joshur rreth 1.200 studentë që të studiojnë në Nagorno-Karabak.

Presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, ka ndarë në muajin shkurt rreth 6 milionë dollarë për të ndërtuar, pothuajse nga fillimi, Universitetin Karabak në kryeqytetin rajonal, Xankendi, i cili është quajtur Stepanakert, kur aty kanë jetuar dhe zonën e kanë kontrolluar armenët etnikë.

Bakuja e kontrollon Karabakun prej shtatorit të vitit 2023, kur forcat e tij ushtarake patën nisur një ofensivë për të rimarrë kontrollin e territorit, në të cilin armenët etnikë e kanë shijuar pavarësinë de facto prej mesit të viteve '90.

Pak ditë pas ofensivës së shtatorit, rreth 100.000 armenë etnikë – gati e gjithë popullata – kanë ikur drejt Armenisë.

Prej marrjes së kontrollit, Azerbajxhani është akuzuar se ka rrafshuar me tokë qyteza armene dhe qendra fetare e kulturore.

Rusia ka angazhuar trupa ushtarake në Nagorno-Karabak, pas luftës së fundit të madhe në mes të Armenisë dhe Azebajxhanit, më 2020, mirëpo në prill të këtij viti ka thënë se ka nisur tërheqjen e tyre.

Pasi pothuajse shumica e armenëve janë larguar prej asaj që dikur është njohur si Stepanakert, Xankendi i sotëm është përshkruar në muajt e fundit si qytezë fantazmë.

‘Degë më premtuese’

Në kërkim e sipër të mënyrave për të ripopulluar qytetin, Aliyev, presidenti i Azerbajxhanit prej vitit 2003, e ka nënshkruar një dekret në nëntor të vitit 2023 për të themeluar Universitetin Karabak.

Më 20 maj, ai e ka emëruar Sahin Bayramovin, si president të universitetit.

Ministria e Azerbajxhanit për Shkencë dhe Edukim, ka thënë se fundmi se është duke u punuar në infrastrukturë dhe që sallat e ligjëratave, konviktet dhe ndërtesat tjera pritet të jenë funksionale brenda muajsh.

Universiteti Karabak pret që t’i hapë dyert për studentët këtë vjeshtë, për të nisur vitin akademik. Zyrtarët e përmendin shpesh që gjithçka do të jetë falas, përfshirë pranimin, dhomën e konviktit dhe një laptop.

Në Azerbajxhan, shumica e universiteteve janë me pagesë.

Ministria për Shkencë dhe Edukim planifikon që t’i hapë tetë departamente studimi në universitetin e ri, përfshirë atë të inxhinierisë, ekonomisë dhe turizmit.

Synimi është që të jenë 1.200 studentë, ka thënë Emin Amrullayev, ministër për Shkencë dhe Edukim.

"Për të garantuar suksesin e tij, universiteti duhet të hapë degë më premtuese, përfshirë ato të shkencave kompjuterike dhe inteligjencës artificiale", ka thënë Farid Imanov, ekspert në edukim.

“Është më e lehtë të gjesh punë në njërën prej këtyre degëve”, ka thënë Imanov në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Bakuja dhe Jerevani janë duke negociuar aktualisht atë që besohet të jetë marrëveshja finale mes tyre, diçka që po vëzhgohet prej afër dhe po mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Por, bisedimet kanë dalë të jenë sfiduese, pasi një vendim i marrë së fundi nga Armenia, për t’ia dorëzuar disa vendbanime të braktisura Azerbajxhanit, është përcjellë me protesta dhe thirrje për dorëheqje të kryeministrit armen, Nikol Pashinian.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG