Ndërlidhjet

Shkup: Policia po heton abuzimet me përmbajtje eksplicite të të miturve 


Ikona e aplikacionit të mesazheve "Telegram". Foto nga arkivi.
Ikona e aplikacionit të mesazheve "Telegram". Foto nga arkivi.

Opinioni në Maqedoninë e Veriut është tronditur pas informacioneve se në një grup të një rrjeti social me mbi 7 mijë e 400 anëtarë, janë paraqitur video dhe fotografi me përmbajtje eksplicite, përfshirë edhe imazhe të minorenëve.

Ky grup, (emri i njohur për redaksinë) është mbyllur pas kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme drejtuar shërbimeve të aplikacionit mobil “Telegram”, njoftojnë nga Policia e Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë që hetimi që po bën Byroja për siguri publike është në rrjedhë e sipër. Në polici kanë deklaruar se pas ndalimit të dy personave që kanë menaxhuar grupin në fjalë, do të vijojnë hetimet dhe kallëzimet penale për të zbuluar persona të tjerë eventualë, që mund të jenë të përfshirë në këtë skandal.

Sipas ligjeve në Maqedoninë e Veriut, prodhimi dhe shpërndarja e përmbajtjeve pornografike e personave të mitur, paraqet vepër penale për çka parashihen 5 deri në 8 vjet burgim.

Ekspertët e komunikimeve elektronike konsiderojnë se është me rëndësi të bëhet lokalizimi i përgjegjësisë, përkatësisht të gjithë akterëve që kanë kryer këtë vepër penale, në mënyrë që ata të përgjigjen para organeve të drejtësisë.

Bojan Kardallov, specialist për marrëdhënie me publikun dhe komunikim në mediat sociale, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjithë ata të cilët kanë publikuar çfarëdo lloj fotografie, e cila është adresuar në komunikimin privat, paraqet vepër penale dhe për këtë ata duhet të përgjigjen.

“Si e para dhe ajo më thelbësorja në këtë rast është se zgjidhjen duhet kërkuar te ligjet. Pra, duhet të veprojnë organet përkatëse në raport me ligjet duke e alokuar përgjegjësinë te të gjithë ata që kanë abuzuar me fotografitë e minorenëve”, tha ai.

“Madje problematik është dhe fakti se qytetarët nuk janë të informuar se si duhet vepruar kur shkelen e drejta e mbrojtjes së të dhënave personale”, thotë Bojan Kardallov.

Ky rast, sipas sociologëve tregon edhe për mungesën e komunikimit në relacionin prind - fëmijë.

Ali Pajaziti, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, tha për Radion Evropa e Lirë se një kontribut negativ ose faj në këtë rast ka edhe vet teknologjia informative, gjegjësisht mundësitë e shumta që u ofrohen fëmijëve ose në këtë rast minoreneve, për të pasur qasje të pakontrolluar deri te faqet e ndryshme me përmbajtje eksplicite.

Pajaziti thotë se institucionet kompetente janë të detyruara t’i gjejnë arsyet e kësaj sjelljeje të adoleshentëve si dhe të krijojnë mekanizma funksionalë për mbrojtjen e viktimave të tilla, që zakonisht janë të miturit.

“Sa u përket institucioneve, ato duhet të jenë më të vëmendshme dhe më vigjilente në këtë drejtim sepse duhet të kenë kontroll mbi rrjetet duke u munduar të ruajnë brezat e rinj nga kjo furtunë sociale apo furtunë virtuale e cila rrezikon edhe psikologjinë, por edhe raportet sociale si dhe familjen si institucion themelor për çdo shoqëri”, thotë Pajaziti.

Ky rast, ka ngritur dilemën rreth mundësisë për të krijuar mekanizma funksionalë për kontrollimin e grupeve të këtilla komprometuese dhe degraduese për të rinjtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG