Ndërlidhjet

Pesë të vrarë dhe disa të plagosur nga një sulm rus në rajonin Donjeck


Fotografi e nxjerrë nga një video e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, më 5 korrik, e cila shfaq një autoblindë ruse duke hedhur predha në drejtim të pozicioneve ukrainase në një lokacion të pazbuluar në Ukrainë.
Fotografi e nxjerrë nga një video e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, më 5 korrik, e cila shfaq një autoblindë ruse duke hedhur predha në drejtim të pozicioneve ukrainase në një lokacion të pazbuluar në Ukrainë.

Forca Ajrore e Ukrainës tha se e ka zmbrapsur edhe një valë sulmesh ruse me dronë në 12 rajone ukrainase mëngjesin e së shtunës, por sulmet me bomba në rajonin e Donjeckut vranë së paku pesë njerëz dhe plagosën disa të tjerë.

“Natën e 6 korrikut, armiku goditi me 27 dronë [të tipit] Shahed”, tha Forca Ajrore në një mesazh në Telegram.

Kundërajrorët ukrainas “ia dolën t’i rrëzojnë 24 dronë në rajonet Dnipropetrovsk, Poltava, Zaporizhja, Herson, Harkiv, Donjeck, Sumi, Çernihiv, Vinitsia, Kiev, Kirovohard dhe Mikolaiv”, tha Forca Ajrore.

Ndërkohë, zyrtarët në rajonin Sumi, në veri të kryeqytetit, Kiev, thanë se dronët rusë e prishën lidhjen e rrymës me ujësjellësin, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë.

Më 5 korrik, trupat ruse i hodhën dy bomba në qytetin Selidove në lindje të rajonit Donjeck, duke i vrarë së paku pesë njerëz dhe duke i plagosur tetë të tjerë, tha shefi i administratës ushtarake të këtij rajoni, Vadym Filashkin, në Telegram.

Ndërkohë, në rajonin e Rusisë Krasnodar, dy depo nafte u përfshinë nga zjarri dhe një ndërtesë e telefonisë mobile u dëmtua nga një sulm me dronë gjatë natës së 6 korrikut, thanë zyrtarët rusë, duke e fajësuar Ukrainën për sulmin.

Zyrtarët thanë se dronët ukrainas u rrëzuan mbi dy qarqe të Krasnodarit. Rënia e copëzave të dronëve shkaktoi dëme në ndërtesën e telefonisë mobile në Yeisk, ndërsa një cisternë nafte u përfshi nga zjarri në një depo nafte në fshatin Pavlovskaja.

Nuk ka qenë e mundur të verifikohet ky pretendim.

Në muajt e kaluar, Ukraina, infrastruktura energjetike e së cilës është dëmtuar rëndë nga sulmet e pareshtura ruse gjatë vitit të fundit, i ka rritur sulmet ndaj zonave për prodhimin e karburanteve brenda Rusisë, kryesisht kundër ndërtesave të rafinerisë së naftës, të cilat punojnë për ushtrinë ruse.

Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian ka nisur edhe negociatat për anëtarësimin e Ukrainës në radhët e veta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG