Ndërlidhjet

Personat me nevoja të veçanta kërkojnë rritje të ndihmës financiare


Protesta para ndërtesës së Qeverisë maqedonase, teksa personat me nevoja të veçanta kërkuan rritje të ndihmës financiare.
Protesta para ndërtesës së Qeverisë maqedonase, teksa personat me nevoja të veçanta kërkuan rritje të ndihmës financiare.

Prindërit që kanë fëmijë me nevoja të veçanta në mungesë të ndihmës nga shteti duhet të lënë anash punën, karrierën e jetën e tyre për t’iu dalë në ndihmë fëmijëve të tyre, thotë për Radion Evropa e Lirë, Snezhana Todorovska.

Ajo tregon se nga një juriste nga Maqedonia e Veriut, e cila ka punuar për një kompani të huaj, është detyruar të largohet nga puna për të ndihmuar djalin e saj me autizëm.

Snezhana Todorovska
Snezhana Todorovska

“Nuk kishte asistentë në shkolla, duhej që unë ta dërgoja djalin në shkollë dhe ta ndihmoja për çdo gjë. Nga një juriste u bëra shtëpiake. Kjo rëndoi buxhetin familjarë, por nuk kisha zgjidhje. Këmbëngulësia ime bëri që djali im sot të arrijë të studiojë, madje në mjekësi, ndërkohë që deri në moshën 7-vjeçare ai nuk ka folur fare. Gjithçka ka qenë sakrificë e familjes, pa pikë ndihme nga shteti”, thotë Todorovska.

Ajo protestoi para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të kërkuar ndihmë financiare për personat me nevoja të veçanta.

Nën moton “Drejtësi sociale, pa diskriminim”, personat me nevoja të veçanta kanë kërkuar rritjen e ndihmës financiare prej 78 për qind në përputhje me përqindjen e rritjes së pagave të zyrtarëve të lartë të shtetit.

Ndihma për personat me nevoja të veçanta, varësisht nga kategoritë, sillet nga 55 deri në 200 euro.

Protesta në Shkup.
Protesta në Shkup.

Zoran Velevski, prind i një fëmije me paralizë cerebrale, thotë për Radion Evrpa e Lirë se ndihma nga shteti është tepër e vogël për të siguruar mjekimin e fëmijëve me këtë sëmundje.

“Më thoni se si një person me invaliditet mund të shtyjë muajin me 200 euro, përfshirë këtu shpenzimet për ilaçet, shpenzimet për jetesë. Nëse djali im mbetet pa mua, kush do ta ndihmojë. Një deputet merr 2.000 euro, ndërkaq një person me invaliditet dhjetë herë më pak. Ndihma për personat me nevoja të veçanta nuk është as për një shkop cilësor mbështetës, e jo më për një karrocë cilësore që duhet t’u bëjë ballë gropave dhe rrugëve të këqija këtu”, thotë ai.

Përveç rritjes së ndihmës financiare për personat me nevoja të veçanta, protestuesit kanë kërkuar edhe heqjen e barrierave arkitektonike, si dhe që institucionet të jenë më të qasshme.

Risto Balevski më shumë se një dekadë është në karrocë. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se është i privuar nga realizimi i të drejtave elementare, përkatësisht që të ketë qasje në institucionet shëndetësore dhe ato administrative. Për shkak se infrastruktura nuk është adekuate, ai madje nuk mund të shkojë në treg që të furnizohet me ushqime.

Risto Balevski gjatë protestës para Qeverisë maqedonase.
Risto Balevski gjatë protestës para Qeverisë maqedonase.

“Ne nuk kemi kushte për transport si persona me nevoja të posaçme. Askush nuk mban llogari për lartësinë e trotuareve kur duhet kaluar vizat e bardha. Disa herë kemi bërë ankesë tek autoritet lokale, por askush nuk e dëgjon. Jemi të detyruar të presim që dikush nga familjarët të kryejë obligimet tona, ndërkohë që ne mbahemi të izoluar si rrjedhojë e barrierave arkitektonike”, thotë ai.

Kërkesa e kësaj kategorie të shoqërisë është që pensionet të rriten në nivelin e njëjtë me rritjen e pagave të ministrave, deputetëve dhe funksionarëve të tjerë.

“Nuk kërkojmë mëshirë, por të drejta dhe drejtësi për të gjithë qytetarët. Kërkojmë rritje prej 78 për qind të të ardhurave, ashtu siç kanë rritur të ardhurat politikanët. Ne nuk jemi viktima, por luftëtarë, ndaj u bëjmë thirrje të gjithëve që e shohin veten si luftëtarë të na bashkohen në protestë. Kjo nuk është një protestë partiake, por një protestë qytetare për nder, drejtësi, një jetë dinjitet për të gjithë ne. Mbetemi para Qeverisë dhe vazhdojmë luftën”, tha aktivisti civil Blagojço Gjorgiev, i cili po ashtu i përket kategorisë së personave me nevoja të veçanta.

Protestuesit po ashtu kërkojnë formimin e institucionit Avokatit të Popullit për personat me nevoja të veçanta ne përputhje me standardet evropiane.

Njëherësh, nga dikasteri i arsimit ata kanë kërkuar të hartojë një program të adaptuar sipas nevojave të nxënësve me nevoja të veçanta dhe që kjo kategori të përfshihet në tregun e punës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG