Ndërlidhjet

Pse po rishfaqen mosmarrëveshjet për Dellçevin?


Monumeti i Goce Dellçevit në Parkun e Qytetit në Shkup. 15 gusht 2022.
Monumeti i Goce Dellçevit në Parkun e Qytetit në Shkup. 15 gusht 2022.

Edhe pse ka kaluar një kohë shumë e gjatë që nga viti 1903, kur revolucionari Goce Dellçev vdiq në duart e policisë otomane, kjo figurë ende nuk po gjen paqe. Shekullin e kaluar, lufta për prejardhjen e Dellçevit në historinë e përbashkët dhe narrativët e ndërthurur kombëtarë bënë që ai të varrosej, zhvarrosej dhe rivarrosej në Greqi, Bullgari dhe Maqedoni të Veriut.

Tani, maqedonasit dhe bullgarët po përgatiten për provokime të mundshme lidhur me një ceremoni të përbashkët për të shënuar 151-vjetorin e lindjes së Dellçevit pranë varrit të tij, që gjendet në oborrin e Kishës së Shën Spasit në kryeqytetin maqedonas, Shkup.

Një ngjarje e ngjashme vitin e kaluar bëri që të rriteshin masat e sigurisë, por nuk u shënuan incidente.

Por, rindezja e tensioneve bullgaro-maqedonase, përfshirë edhe një sulm të dhunshëm para dy javësh ndaj një shtetasi maqedonas, të identifikuar si bullgar, shkaktoi një përkeqësim në nivelin diplomatik javën e kaluar. Këto tensione rritën frikën e maqedonasve se qëllimet thelbësore kombëtare vazhdojnë të mbesin peng i tekave të fqinjit të tyre që është anëtar i Bashkimit Evropian.

Dy shekuj ndarjesh të hidhura mbi elementet e historisë së përbashkët dhe kulturës, ngrihet pyetja pse tani tensionet u rritën shumë dhe çfarë mund të bëhet që të adresohen çështjet e pazgjidhura që kanë pamundësuar raportet e mira midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë?

Zgjedhjet bullgare

Shtysa kryesore për këto tensione mund të jetë për shkak të dështimit të Bullgarisë që të zgjedhë një udhëheqje të qëndrueshme. Zgjedhjet e parakohshme janë caktuar të mbahen më 2 prill. Ato do të jenë zgjedhjet e pesta që shteti organizon në dy vjetët e fundit, duke u shndërruar në një pengesë në përparimin e çdo negociate me Sofjen, e duke shkaktuar paqëndrueshmëri.

Në mes të kërcënimeve nga Sofja pas rrahjes brutale të Hristijan Pendikovit në Ohër muajin e kaluar, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se zgjedhjet bullgare ishin “një rrethanë rënduese”.

Ruslan Stefanov, drejtor i programit ekonomik në Qendrën për Studime të Demokracisë në Sofje, po ashtu ka shprehur frikë se situata do të përkeqësohet, përpara se të bëhet mirë. “Kjo situatë po shfrytëzohet politikisht në dy anët e kufirit”, tha Stefanov. Sipas tij, në Parlamentin bullgar ka më shumë parti ekstremiste, por grupimi i ri nacionalist i krahut të majtë në Maqedoninë e Veriut paraqet të njëjtin problem.

“Nuk ka shumë çështje që mund të nxjerrin në pah një parti për të fituar vota. Mendoj se partitë e shohin këtë [debatin për çështjet e historisë] si një votë fituese sepse është emocionale, prek mitet historike në dy shtetet”, tha Stefanov. “E dini si është puna me mitet: edhe kur janë shumë të ngjashëm, ata kanë tendencë që të përplasen”.

Përdorimi i historisë si armë përmes “klubeve kulturore”

Dellçev ka qenë në qendër të disa prej këtyre “miteve” të kontestuara, megjithatë dallimet mund të mos vërehen nga të huajt.

Më e rëndësishmja për bullgarët dhe maqedonasit sa i përket Dellçevit është se dy palët e konsiderojnë hero që ka luftuar sundimin otoman. Por, palët kanë mospajtime sa i përket identitetit të tij kombëtar dhe qëllimeve përfundimtare të shoqërisë së asaj kohe, përkatësisht Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase (ORM), të cilës në Shkup i referohen si Organizata Revolucionare Maqedonase.

Madje është krijuar një komision i përbashkët bullgaro-maqedonas për çështjet historike dhe arsimore, me qëllim që të gjendet konsensus se si do të nderohej Dellçevi dhe disa figura të tjera, dhe si të mësojnë fëmijët në shkolla për ta. Por, rekomandimet e këtij komisioni nuk janë zbatuar.

Stefanov theksoi interpretimet e ndryshme që kanë mësuar sistemet e mëparshme arsimore në Bullgarinë e kohës sovjetike dhe në Jugosllavinë komuniste. Për shumicën e bullgarëve dhe maqedonasve, tha ai, “në klasën e shtatë, janë të mbërthyer” me historinë e Dellçevit.

“Dhe më pas, krejt papritur [pas kolapsimit të Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë] dikush erdhi dhe ju tha: ‘Epo, nuk duhet të thuash bash kështu’”.

Për t’i përkeqësuar edhe më tej gjërat, të dy shtetet kanë ndezur edhe më shumë këto tensione shekullore lidhur me figurat historike përmes hapjes së “klubeve kulturore”.

Në prill të vitit 2022, në praninë e kryeministrit të atëhershëm bullgar, Kiril Petkov, dhe nënpresidentit, bullgarët hapën një klub kulturor në qytetin maqedonas të Manastirit. Klubi u emërua Ivan (Vanço) Mijallkov, një figurë që kishte jetuar në shekullin 20 dhe ishte lider i fundit i ORM-së që kishte përkrahur nacionalizmin bullgar dhe kishte goditur identitetin maqedonas.

Në tetor të vitit 2022, hapja e një klubi të ngjashëm në Ohër nxiti protesta. Ky klub u emërua Car Borisi i Tretë, që ishte perandor bullgar në kohën kur shteti ishte pjesë e boshtit nazifashist në Luftën e Dytë Botërore.

Të dy klubet kanë qenë në shënjestër të protestave dhe incidenteve të tjera, përfshirë edhe zjarrvënien në klubin Mijallkov.

“Nuk dëgjoj asnjë politikan bullgar të thotë: ‘Hej, ndoshta këta nuk janë emrat e duhur për emërimin e këtyre klubeve, ashtu siç kemi bërë, ose çfarë kanë bërë përfituesit e tyre”, tha Stefanov. “Ose, ‘Epo, ne mund t’i kishim emëruar në mijëra mënyra të tjera që nuk do të kishin nxitur ndonjë ndjenjë lëndimi, por jo, ne duam t’i emërojmë pikërisht në këtë mënyrë”.

Parlamenti maqedonas ka kaluar një ligj që i kërkon Ministrisë së Drejtësisë që të miratojë emrat e organizatave, që emërohen në nder të figurave historike.

Në fillim të nëntorit të vitit 2022, një grup që ishte regjistruar më herët, hapi një klub kulturor maqedonas në qytetin bullgar Blageovrgrad, të emëruar Nikola Vaptsarov. Ai ka qenë poet i shekullit 20 dhe kundërshtar i udhëheqjes së Car Borisit, që organizatorët e klubit thanë se ishte maqedonas. Autoritetet bullgare shumë shpejt reaguan, duke e ndaluar këtë grup që financonte klubin kulturor.

Zoran Neçev, hulumtues i lartë në departamentin e BE-së në Institutin për Demokraci në Shkup, e quajti këtë situatë si “rreth vicioz”. “Kishte për qëllim të ishte provokim”, tha Neçev. “Nuk ka të bëjë me hapjen e një ‘klubi kulturor bullgar’ – askush nuk e kundërshton një gjë të tillë – por, problemi qëndron në mënyrën se si emërohen këto klube”.

Ishte sekretari i klubit Car Boris, Pendikov, që u rrah brutalisht më 19 janar.

Paraprakisht kishte pasur dy sulme të tjera, që nxitën Sofjen të kërkonte që Maqedonisë së Veriut t’i kushtëzohen negociatat e anëtarësimit në BE, me ndjekjen e krimeve të urrejtjes kundër bullgarëve.

Pas sulmit të Pendikovit dhe transportimit të tij në një spital në Sofje me një avion të Qeverisë bullgare, ministri i Jashtëm bullgar, Nikolay Mikov, tha se ka një “atmosferë mosndëshkuese”. Ai njoftoi për tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Shkupi dhe sugjeroi se Sofja do të “rishikojë disa komponentë dhe elementë të bashkëpunimit tonë dypalësh”.

Homologu i tij maqedonas, Bujar Osmani, u përgjigj shpejt duke thënë se “i gjithë kombi nuk mund të fajësohet për veprimet e disa individëve”, duke shtuar se i dyshuari veçse është arrestuar dhe ka nisur hetimi për rastin. Ai u zotua për “zero tolerancë” për dhunë të këtij lloji, veçmas si përgjigje ndaj problemeve ndëretnike.

Por, dëmi veçse ishte bërë.

Zgjedhjet maqedonase

Udhëheqësit e zgjedhur të Maqedonisë së Veriut përballen po ashtu me sfida, teksa përballen me çështjen e amendamentimit të Kushtetutës për të shmangur bllokimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Ndryshimet në Kushtetutë dalin nga propozimi francez i korrikut të vitit 2022, që bindi Bullgarinë të heqë veton për kornizën për negociatat maqedonase me BE-në në këmbim të koncesioneve, sikurse përfshirja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës maqedonase si popull konstituiv. Të dyja palët janë pajtuar të krijojnë një mekanizëm për të ulur tensionet dhe për të monitoruar krimet e mundshme të urrejtjes. Marrëveshja nxiti protesta dhe konfrontime dramatike, me nacionalistët e zemëruar maqedonas, dhe shtyri opozitën që të kërkojë që Bullgaria të bëjë të njëjtën gjë dhe të njohë zyrtarisht minoritetin maqedonas në Bullgari.

Me kushte, Maqedonia e Veriut nisi procesin e saj të skanimit me Bashkimin Evropian dy ditë pasi Shkupi nënshkroi protokollin dypalësh për marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Parisi, por ende nuk ka ndryshuar Kushtetutën. Nëse arrihet që të hiqet dorë nga ndryshimet kushtetuese, pritet t’i kushtojë shumë çdo qeverie në Shkup dhe të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Instituti i Neçevit atëbotë kishte kundërshtuar marrëveshjen franceze sepse kushti për ndryshimin e Kushtetutës do të nënkuptonte që Maqedonia e Veriut “do të bëhej shënjestër për fitimin e poenëve politikë në Bullgari, bazuar në nacionalizëm, duke përdorur kontekstin e BE-së”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. Ai argumentoi se këto sinjale paralajmëruar kërcënimet më të fundit të Sofjes.

“Në aspektin diplomatik, politik dhe ekonomik – sido që të doni ta thoni – ne jemi ana më e dobët në kontekstin e anëtarësimit në BE dhe bullgarët janë brenda BE-së”, tha Neçev lidhur me dilemën e maqedonasve. “Ata mund ta përdorin sa të duan këtë situatë”.

Ai po ashtu vuri në pah edhe një aspekt tjetër të zotimit. “Presioni tani është në palën tonë, pavarësisht se kush është apo kush vjen në pushtet”, tha Neçev. “Tani, nëse duam që një ditë të bëhemi anëtar në BE apo të kemi përparim në procesin e anëtarësimit, ne duhet ta ndryshojmë Kushtetutën... kjo duhet të bëhet”.

E kaluara jugosllave dhe sovjetike

Sikurse instituti i Neçevit dhe i Stefanovit argumentojnë se së fundmi, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë probleme më urgjente sesa debatet lidhur me heronjtë kombëtarë.

“Ashtu si me shumë gjëra në Ballkan, për historinë mund të flitet pafundësisht”, tha Neçev. “Por, ende duhen pesë orë dhe rruga nuk është aq e mirë nëse shkoni nga Shkupi në Sofje. Ky është realiteti, këto janë gjëra praktike”.

Përderisa dy shtetet janë shumë larg nga ditët e Bllokut Lindor dhe Jugosllavisë, ata thanë se dy palët “përballen me sfida të mëdha të qeverisjes” dhe dëshpërimisht kanë nevojë për investime të mëtejme dhe forcim të ekonomive të tyre.

“Në thelb, këto dy shtete ishin në qoshet më të largëta të blloqeve [përkatëse] dhe kështu kufiri ynë ishte ndoshta gjëja më e rrënuar pas Murit të Berlinit dhe ende duket kështu”, tha Stefanov. “Pra, ne mendojmë se është koha – pas propozimit francez – që politikanët tanë të përqendrohen në ofrimin e zhvillimit për qytetarët në të dyja anët e kufirit”.

Në një raport të publikuar së fundmi lidhur me “promovimin e kapitalit konstruktiv” në të dy vendet, Qendra për Studim të Demokracisë dhe Instituti për Demokraci në Shkup u dakorduan që “kornizat e BE-së dhe NATO-s ofrojnë burime të bollshme” për t’i dhënë përparësi një agjende të përbashkët për investime dhe rritje ekonomike.

Ata kërkuan finalizimin e lidhjeve hekurudhore dhe rrugore, linjave të gazit dhe të rrjetit elektrik dhe të nxiten partneritetet e përbashkëta publiko-private.
Stefanov tha se ishte veçanërisht “i pikëlluar” kur pa ministrin e Jashtëm bullgar Milkov, duke kërcënuar se lidhur me sulmin ndaj Pendikov mund të anulohen apo pezullohen projektet e përbashkëta.

Roli i Rusisë

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, doli nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare më 23 janar, duke pretenduar se elemente apo institucione në Bullgari që janë të lidhura me inteligjencën ruse dhe po zhvillojnë fushata kundër shtetit të tij.

Pendarovski tha, para përvjetorit të Dellçevit, se ai kishte propozuar ndalimin e hyrjes në shtet të një anëtari bullgar të Parlamentit Evropian, dhe për disa të tjerë që kanë planifikuar të vijnë në Shkup për të shënuar këtë ngjarje.

Eurodeputeti kundërthënës, Angel Dzhambazki, u përgjigj përmes rrjeteve sociale, dhe përgjigja e tij u pa gjerësisht si kërcënim ndaj Pendarovskit duke iu referuar vrasjes së mbretit jugosllav nga revolucionarët maqedonas më 1934. Propozimi i presidentit maqedonas për ndalimin e hyrjes së bullgarëve, më vonë u refuzua.

Rusia gjerësisht shihet si shtet që përfiton nga jostabiliteti evropian, veçanërisht që kur ka nisur pushtimin e Ukrainës, por është e paqartë se për çfarë lidhjes aludoi Pendarovski.

Neçev citoi përpjekje të mëhershme, e të dokumentuara, të Moskës për të tensionuar raportet në Ballkan dhe tha se elita politike bullgare ka qenë në favor të interesave ruse në rajon, përfshirë edhe për pyetjen lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Stefanov sugjeroi se as agjencitë e inteligjencës bullgare dhe maqedonase nuk kanë qenë subjekt i reformave drastike apo të lustrimit që nga epoka sovjetike dhe jugosllave. Por, për më tepër ai tha se “është shumë e qartë, si në Bullgari ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, Rusia po punon për t’i shtypur të gjithë këta susta dhe po e bënë”.

Ai përmendi aktivitetet intensive të ambasadave ruse në të dyja shtetet, por edhe komentet e Putinit më 2017 se shkrimi cirilik dhe shkrim-leximi sllav “erdhën nga Maqedonia”, një koment që me sa duket u bë për të rritur zemërimin në mesin e bullgarëve.

“Prandaj, do të thosha se askush nuk duhet të mendojë se rusët nuk do ta përdorin këtë, sepse është një frutë që këputet lehtë”, tha Stefanov.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG