Rinis seanca konstituive
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës po vazhdon për të gjashtën herë sot, rreth gjysmë orë pas orarit të nisjes.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se të pranishëm janë 119 deputetë.
Në vazhdim pritet të propozohet sërish Albulena Haxhiu për postin e kryeparlamentarit të Kuvendit të Kosovës.
Duda Bale thotë se nuk e voton kandidaten e LVV-së
Kryetarja e Unionit Socialdemokrat nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Bale, tha se ajo nuk do ta votojë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit.
“Unë i qëndroj qëndrimit të partisë sime, ne nuk e ndryshojmë qëndrimin”, tha ajo.
Deputetët fillojnë të futen në sallë
Deputetët kanë filluar t'i zënë vendet e tyre në sallën e Kuvendit, për vazhdimin e gjashtë të seancës konstituive.
Seanca pritej të fillonte në orën 10:00.
Ata do të tentojnë t'i emërojnë kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, në mënyrë që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit.
Gërvalla: Arsyetimi për Haxhiun është i rremë, partitë e tjera s’duan ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve
Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Donika Gërvalla, tha se nuk është optimiste që sot do të votohet Albulena Haxhiu si kryeparlamentarja e re e Kuvendit të Kosovës, edhe pse shtoi se shpreson të bëhet një gjë e tillë.
“Beteja bëhet për formimin e qeverisë. Nuk është çështje e lëshimit pe, është çështje parimore. Fituesi e propozon kryeparlamentarin”, tha Gërvalla.
Ajo shtoi se, sipas saj, asnjë parti nuk ka asnjë arsye ta refuzojë Haxhiun për këtë post, duke përmendur se ajo është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ky është arsyetim i rremë, arsyetimi i vërtetë është se nuk duan ta pranojnë vullnetin e qytetarëve të fatën 9 shkurt”, tha Gërvalla.