Ndërlidhjet

E kujt është përgjegjësia për hapjen e urës së Ibrit?


Ura kryesore mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën në dy komuna. (Foto:Reuters)
Ura kryesore mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën në dy komuna. (Foto:Reuters)

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Tema e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër ka përcjellë shumë qeveri në Kosovë dhe diplomatë të huaj, ndërsa vazhdon të diskutohet edhe sot. Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut bëhet thirrje që ura të hapet, por faktori ndërkombëtar apelon për koordinim në çdo hap. Kush e ka fjalën e fundit për hapjen e saj?

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për një prej temave më të përfolura të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

Simbol i ndarjes dhe vend i tensioneve janë vetëm dy nga mënyrat se si është përshkruar ndër vite ura kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në dy komuna.

Për dikë, hapja e saj është edhe simbolikë dhe çështje tërësisht politike, pasi qytetarët gjejnë rrugë alternative për të kaluar nga një zonë në tjetrën.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në javët e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.

Zyrtarë të këtij Kuvendi, madje, patën thënë se hapja e urës është edhe nën juridiksion të Mitrovicës së Jugut dhe të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një koment të zyrtarëve komunalë të Mitrovicës së Jugut, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, pati paralajmëruar në maj se ura “do të hapet shpejt”, dhe se po diskutohet me eprorët se si të bëhet kjo.

Faktori ndërkombëtar, në anën tjetër, po kërkon vazhdimisht të ketë koordinim mes të gjitha palëve të prekura që të mos përshkallëzohet situata.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, njëherësh deputet opozitar në Kuvendin e Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për hapjen e urës i takon Qeverisë së Kosovës, por se nuk beson që ajo mund të veprojë asisoj pa koordinim me faktorin ndërkombëtar, sidomos me KFOR-in.

“Nëse Qeveria e Kosovës merr vendim, frikësohem që nuk do të zbatohet nga KFOR-i”, shprehet ai.

Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës beson se liria e lëvizjes duhet të sigurohet në të gjithë territorin, por Serbia e konsideron hapjen e urës si “provokim”.

Karabinierë të KFOR-it duke patrulluar mbi urën e Ibrit. (Foto: Radio Evropa e Lirë)
Karabinierë të KFOR-it duke patrulluar mbi urën e Ibrit. (Foto: Radio Evropa e Lirë)

Kronologjia e zhvillimeve rreth urës

• Pas luftës së viteve 1998/’99, kjo urë e ndau qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe në atë veriore me shumicë serbe.

• Plani i Ahtisaarit – baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 – parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna të veçanta.

• Më 2011, serbët lokalë vendosën aty barrikadat e para, për të kundërshtuar shtrirjen e autoriteteve të Kosovës.

• Më 2013 u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut, sipas ligjeve të Kosovës.

• Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me copa betoni dhe me pemë. Pamja e re u quajt “Parku i Paqes”. Po atë vit, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në Bruksel për heqjen e barrikadave dhe për rivitalizimin e urës.

• Më 2015 u hoq Parku i Paqes, me idenë e hapjes së urës për qarkullim.

• Më 2016, palët në Bruksel u pajtuan për një plan zbatimi të marrëveshjes për urën.

• Rivitalizimi i urës u përfundua nga Bashkimi Evropian më 2018 dhe kushtoi rreth 1.5 milion euro.

Aktualisht, ura mbetet e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete.

Një tjetër problem për hapjen e urës ka qenë edhe konteksti për kufijtë komunalë.

Punëtorë të ndërtimit afër pllakës që tregonte se rivitalizimi i urës kryesore mbi Ibër është financuar prej BE-së. 17 tetor 2015. (Foto: AFP)
Punëtorë të ndërtimit afër pllakës që tregonte se rivitalizimi i urës kryesore mbi Ibër është financuar prej BE-së. 17 tetor 2015. (Foto: AFP)

“Ura e mbyllur për shkak të Serbisë, jo serbëve të Kosovës”

Rashit Qalaj e sheh hapjen e urës si problem politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka potencial të shndërrohet në problem të sigurisë. Sipas tij, përshkallëzimi i situatës varet prej qëndrimit të Serbisë, jo prej serbëve të Kosovës.

“Mënyra më e mirë do të ishte që ura të hapej në koordinim me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, sidomos me KFOR-in. Ndoshta për një periudhë kohore të shkurtër, trafiku aty të monitorohet nga Policia e Kosovës, ndërsa afër të qëndrojnë njësitet e KFOR-it”.

Qalaj beson se koordinimi është kyç dhe duhet të jetë në linjë me marrëveshjen e arritur në Bratislavë mes Kosovës dhe BE-së, një vit më parë, për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, pasi kryetarët shqiptarë morën drejtimin e katër komunave.

Marrëveshja e korrikut të vitit 2023 përcakton se Qeveria e Kosovës “nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të përshkallëzojë situatën në veri të Kosovës”.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse i ka kërkuar KFOR-it ta hapë urën, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Në të njëjtën pyetje, Zyra për media e NATO-s i është referuar vetëm komunikatës së lëshuar pas takimit të 18 qershorit mes komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në të është bërë thirrje që secili vendim për urën të diskutohet në Bruksel.

Por, Qalaj, i cili ka qenë vetë pjesëtar i ekipit negociator të Kosovës kur është diskutuar për urën, vlerëson se nëse për këtë temë bisedohet në kuadër të dialogut, hapja e urës do të shtyhet.

Shqiptarët në Mitrovicë të Jugut dhe serbët në Mitrovicë të Veriut – me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë - janë të ndarë nëse ura duhet të hapet.

Për shqiptarët, hapja e urës do të ishte “gjë e mençur”, ndërsa për serbët vendim që rrit tensionet.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG