Dhjetëra banorë të Janjevës ekspozuan produkte të ndryshme bujqësore dhe artizanale në hapje të panairit të produkteve tradicionale “Mirëserdhët në Janjevë”. Ata ekspozuan produkte lokale përfshirë: djathë, suxhuk, çaja, mjaltë dhe produkte të tjera artizanale. Në hapje të panairit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria është duke punuar për ringjalljen ekonomike dhe kulturore të Janjevës. Kurti përmendi restaurimin e 14 shtëpive tradicionale, përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve njerëzore për turizëm dhe menaxhim, si investime në këtë fshat të Lipjanit.
Janjeva është një nga shumë fshatrat e Kosovës që përballet me dukurinë e largimit të rinisë. Viteve të fundit në këtë fshat janë bërë investime të shumta nga Bashkimi Evropian dhe UNDP-ja në konservimin e trashëgimisë kulturore. Përmes këtyre investimeve synohet ringjallja ekonomike e Janjevës, e cila në të kaluarën njihej për zejtari. Janjava është një fshat multietnik ku jetojnë shqiptarë, kroatë, serbë dhe romë.