Ndërlidhjet

Pakistani mund t’i shtohet listës “gri” për terrorizëm


Kreu pakistanez i organizatës Jamaat-ud-Dawa (JuD) Hafiz Saeed, gjatë një konference shtypi në Lahore, 23 janar 2018
Kreu pakistanez i organizatës Jamaat-ud-Dawa (JuD) Hafiz Saeed, gjatë një konference shtypi në Lahore, 23 janar 2018

Mediet raportojnë se Pakistani do të rikthehet në listën për financim të terrorizmit, në rast se deri në muajin qershor nuk do të marrë hapa konkretë kundër operacioneve të militantëve brenda kufijve të shtetit.

Duke cituar zyrtarët pakistanezë dhe diplomatë të paidentifikuar, Reuters dhe India Today kanë raportuar se Task-Forca për Veprim Financiar (FATF), e cila ka mbajtur një takim gjatë kësaj jave në Paris, ka vendosur ta shtojë Pakistanin në “listën gri”.

Kina dhe Gjiri Arab nuk kanë qëndruar mbrapa kundërshtive të tyre fillestare.

Task-Forca për Veprim Financiar (FATF), është një grup ndërqeveritar i themeluar më 1989 me iniciativë të grupit G7, për të luftuar pastrimin e parave.

Mandati i saj është zgjeruar më 2001, duke përfshirë edhe financimin e terrorizmit.

Pakistani ka qenë në këtë listë nga viti 2012 deri më 2015.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Gjermania, kanë kërkuar mocion për të vendosur sërish Pakistanin në “listën gri” për shkak të shqetësimeve se nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar militantët, kanë raportuar mediet.

Ata kanë thënë se vendimi i fundit i Islamabadit për të ndaluar disa organizata të bamirësisë, që besohet se kanë lidhje me militantët, nuk është vazhduar tutje.

Ushtruesja e detyrës së ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, Alice Wells, i ka thënë Reutersit, se vendimi i Pakistanit kundër organizatave të bamirësisë të lidhura me Hafiz Saeed, nuk ka qenë i mjaftueshëm, meqë lideri islamist dhe grupet radikale që drejton ai, janë të lira dhe të paprekura nga Pakistani.

“Kur kemi parë terroristët, siç është Hafiz Saeed që janë liruar për gjashtë muaj nga arresti shtëpiak apo kemi parë armët e grupeve të shpallura terroriste Lashkar-e Taiba dhe Jaish-i-Mohammad teksa veprojnë lirshëm, nganjëherë edhe përpara stacioneve policore, pa dyshim se përbën shqetësim serioz për ne”, i ka thënë Wells, Reutersit.

Wells ka thënë se ajo nuk mund të konfirmojë asnjë vendim për shtimin e Pakistanit në listën e vëzhgimit.

Në të njëjtën kohë, India Today, ka thënë se FATF ka marrë vendim për të shtuar përkohësisht Pakistanin në këtë listë.

Nëse nuk do të ketë ndonjë veprim deri në qershor, Pakistani do të jetë prapë në listë, është raportuar në media.

Sidoqoftë, ministri I Financave në Pakistan, Rana Muhammad Afzal, I ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Islamabadi nuk ka pranuar ndonjë letër me shkrim nga FATF se do të rishikojë performancën e këtij vendi deri në muajin qershor.

“Të gjitha informacionet jemi duke u marrë nga raportimet e medieve”, ka thënë Afzal.

Afzal ka thënë se Pakistani dëshiron të bashkëpunojë me Task-Forcën.

“Gjatë këtyre tre muajve, nëse Pakistanit i ofrohen të dhëna të zbatueshme, shteti do t’i përmbushë obligimet që ka”, ka thënë ai.

Raportimet e medieve kanë ardhur vetëm disa ditë pasi, ministri i Jashtëm i Pakistanit, Khawaja Asif, ka thënë përmes një postimi në Twitter se “ja kanë vlejtur përpjekjet” dhe se Pakistani ka siguruar “tre muaj pauzë” nga Task-Forca.

Pjesëmarrësit në takimin në Paris, kanë thënë se Shtetet e Bashkuara, të cilat nën drejtimin e presidentit amerikan, Donald Trump kanë shprehur qëndrimin e tyre të ashpër kundrejt Pakistanit, kanë lobuar në bindjen e pjesës tjetër të anëtarëve për atë, se Islamabadi nuk është duke bërë mjaftueshëm në luftimin e financimit të terrorizmit.

Mediet, po ashtu, kanë raportuar se Kina, Turqia dhe disa anëtarë të këshillit për Bashkëpunim të Gjirit Arab, kanë kundërshtuar vendimin për rilistimin e Pakistanit, mirëpo ato më pas kanë hedhur poshtë kundërshtimet e tyre, kur është marrë vendimi më 22 shkurt.

Arabia Saudite dhe disa shtete të Gjirit Arab, që janë aleate me Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar qëndrim pas lobimit të SHBA-së, është cituar të ketë thënë një zyrtar i Pakistanit për Reuters.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Afzal, e ka cilësuar veprimin e SHBA-së, si “shumë agresiv”.

Reuters ka cituar një burim qeveritar të ketë thënë se ekspertët e Pakistanit, do të arrijnë të largojnë shqetësimet e grupit të Task-Forcës në takimin e ardhshëm në muajin qershor, në kohën kur Pakistani pritet të shtohet në listë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit në Islamabad, Mohammad Faisal, ka thënë se Pakistani është duke punuar që të marrë më shumë masa për të larguar shqetësimet e Task-Forcës dhe Uashingtonit.

Biznesmenët e Pakistanit frikësohen se vënia e Pakistanit sërish në këtë listë, do t’i rrezikojë lidhjet bankare të këtij vendi me botën e jashtme dhe do të dëmtojë ekonominë.

Në vendet që tashmë janë në këtë listë përfshihen: Koreja Veriore, Irani, Iraku, Siria, Jemeni dhe Etiopia.

Agjencia AP ka raportuar se Bosnja dhe Hercegovina është larguar nga lista, sepse është vlerësuar se po vepron në përputhshmëri me kërkesat për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG