Ndërlidhjet

Padia lidhur me virgjërinë që vë në pah traditat në Taxhikistan


Shumë gra të reja në Taxhikistan i nënshtrohen testeve të virgjërisë para martesës për të dëshmuar se janë të virgjëra. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Shumë gra të reja në Taxhikistan i nënshtrohen testeve të virgjërisë para martesës për të dëshmuar se janë të virgjëra. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Suhrob për vite të tëra punoi në kantiere ndërtimi në Rusi me qëllim që të kursente para dhe ta bënte dasmën e tij të ëndrrave në Taxhikistan.

Por, vetëm disa javë pas ceremonisë luksoze të mbajtur në fshatin e tij në periferi të Dushanbesë, Suhrob, 30 vjeç, e çoi në gjykatë nusen e tij 22-vjeçare, duke pretenduar se ajo nuk ishte e virgjër kur u martuan dhe duke kërkuar që ajo t’i rimbursonte 50.000 somoni (5.000 dollarë) që ai shpenzoi për dasmën dhe prikën.

Nusja dhe familja e saj mohuan akuzat dhe ngritën një kundërpadi ndaj Suhrobit për shpifje, duke fituar 1.000 dollarë si kompensim për dëme morale. Kështu thuhet në dokumentet e gjykatës të rrethit të Rudakit, të cilat i ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Suhrob e ka apeluar këtë vendim.

“Nuk kam punuar në të ftohtin e acartë në Rusi për të kursyer para e për t’u martuar me dikë që nuk është e virgjër”, tha Suhrob, i cili kërkoi që të mos i publikohej emri i plotë, me qëllim që të mbrojë privatësinë e tij. “I thashë asaj se do të isha martuar me dikë tjetër, po ta dija këtë situatë”.

Marrëdhëniet seksuale paramartesore konsiderohen të papranueshme në Taxhikistanin konservator me shumicë myslimane, shtet ku gratë përballen me turpërim të përjetshëm nëse akuzohen se nuk kanë qenë të virgjëra në natën e martesës.

Viteve të fundit ka pasur shumë skandale dhe raste gjyqësore në këtë shtet të Azisë Qendrore, ku janë përfshirë nuse të reja që janë dëbuar nga shtëpitë e bashkëshortëve të tyre për shkak të akuzave që lidhen me virgjërinë.

Në një rast të bujshëm që tronditi vendin më 2017, nusja 18-vjeçare, Rajabbi Khurshed, bëri vetëvrasje pasi burri i saj i ri, 24-vjeçar, e përzuri atë në natën e martesës, duke pretenduar se ajo nuk ishte e virgjër.

Khurshed i ishte nënshtruar disa ekzaminimeve invazive të himenit, të cilat – sipas mjekëve – kishin dëshmuar se ajo nuk kishte kryer marrëdhënie seksuale. Megjithatë, dhëndëri Zafar Pirov, kishte këmbëngulur që nusja i kishte korruptuar mjekët që të dilnin në këtë përfundim.

Rajabbi Khurshed dhe Zafar Pirov në dasmën e tyre.
Rajabbi Khurshed dhe Zafar Pirov në dasmën e tyre.

Khurshed i dha fund jetës së saj duke pirë, sipas policisë, një dozë vdekjeprurëse uthulle. Pirov më pas u dënua me shtatë vjet burgim për shtytje drejt vetëvrasjes.

Sikurse shumë çifte të reja nga zonat rurale të Taxhikistanit, Khurshed dhe Pirov – që të dy me prejardhje nga provinca jugore, Kalton – nuk ishin takuar asnjëherë para martesës së tyre, një praktikë e zakonshme në shtetin ku shumica e martesave janë me mblesëri.

“Teste virgjërie”

Shumë gra të reja në Taxhikistan iu nënshtrohen testeve të virgjërisë para dasmës për të dëshmuar se janë të virgjëra.

Testi i virgjërisë është pjesë opsionale e një kontrolli më të gjerë e të detyrueshëm mjekësor në Taxhikistan, të cilit iu nënshtrohen të gjithë nuset dhe dhëndurët e ardhshëm para se të aplikojnë për një licencë martese.

Qeveria thotë se kontrollet paramartesore shëndetësore, që nisën së zbatuari më 2015, kanë për qëllimin parandalimin e HIV/AIDS-it, hepatitit C dhe infeksioneve apo sëmundjeve të tjera që transmetohen seksualisht.

Disa gra që duan të martohen, zgjedhin që t’iu nënshtrohen testit të ashtuquajtur të pastërtisë me kërkesën e burrit të tyre të ardhshëm, ndërsa të tjera e bëjnë vullnetarisht për të parandaluar një skandal lidhur me virgjërinë natën e martesës.

Megjithatë, në shtetin ku korrupsioni është i përhapur, disa burra nuk iu besojnë certifikatave të virgjërisë të nuseve të tyre nëse ato nuk kanë gjakderdhje gjatë natës së martesës.

Turpi që shoqëron të mos qenët e virgjër ka shtyrë disa gra që fshehurazi të kryejnë himenoplastikë, procedurë kirurgjikale për rikonstruktimin e himenit.

Duke folur në kushte anonimiteti, një mjeke në një klinikë private në Dushanbe i tha Radios Evropa e Lirë se klientët e saj paguajnë deri në 300 dollarë për këtë procedurë, në përpjekje për të mbrojtur reputacionin e tyre.

Testet e detyruara të virgjërisë

Aktivistët për të drejtat e grave kanë dënuar kulturën që grave t’iu kërkohet që të jenë të virgjëra, duke e cilësuar këtë si diskriminuese.

“Nëse një burrë i kërkon nuses së tij që të jetë e virgjër, edhe ai duhet të dëshmojë se është i virgjër”, tha Larisa Aleksandrova, eksperte në Qendrën për të Drejtat e Njeriut në Dushanbe. “Nëse presim [që dikush t’iu përmbahet traditave lokale], atëherë të gjithë duhet të ndjekim të njëjtat standarde”.

Përderisa testi i virgjërisë është opsional në Taxhikistan, autoritetet në Turkmenistan shpesh detyrojnë vajzat adoleshente që t’iu nënshtrohen testeve të virgjërisë pa i pyetur fare ato apo pa marrë pëlqimin nga prindërit dhe kujdestarët e tyre ligjorë.

Kombet e Bashkuara më 2018 bëri thirrje për ndalimin e testeve të virgjërisë në nivel global, duke thënë se teste të tilla shkelin të drejtat e grave.

Jo vetëm kaq, por shumë mjekë madje argumentojnë se testet e virgjërisë nuk funksionojnë fare. Këto teste janë të pasakta në përcaktimin e faktit nëse një person ka kryer marrëdhënie seksuale apo jo, pasi gratë kanë anatomi të ndryshme dhe disa nga to lindin pa himen.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG