Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se e ka tërhequr një kërkesë drejtuar në korrik Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.
Ajo tha se arsyeja e tërheqjes së kërkesës së saj është gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban.
Osmani tha se caktimi i Llabanit si raportues në shqyrtimin e kërkesës së saj, “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm”.
“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare”, tha ajo.
Osmani tha se, sipas informatave “të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronte Llabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.
Osmani tha se nuk mund të tregojë hollësi për rrezikun që përbën për sigurinë kombëtare të Kosovës gjyqtari Llaban, duke shtuar se ky është vlerësim i klasifikuar i institucioneve të sigurisë.
“Për momentin nuk mund t’i ndajmë. Ndoshta më vonë. Janë dokumente të klasifikuara që nuk mund të ndahen me publikun tani”, tha ajo.
Kush është Radomir Llaban?
Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.
Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.
Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.
Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.
Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.
Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha për Radion Evropa e Lirë se, duke e parë integritetin e kontestuar në publik të gjyqtarit Llaban, “është e pakuptimtë” se si kryetari i Gjykatës Kushtetuese e ka caktuar atë si raportues në një ndër rastet më të rëndësishme që lidhen me konstituimin e Kuvendit.
Ai tha se IKD-ja e kishte kontestuar përmes reagimit publik procesin e emërimit të Llabanit në pozitën e gjyqtarit të Gjykatën Kushtetuese më 2018.
“Në atë kohë IKD në reagim kishte kontestuar integritetin e z. Llaban, duke pas parasysh procesin gjyqësor ndaj të njëjtit. Për më tepër IKD kishte kërkuar nga Kuvendi i Kosovës dhe presidenti i republikës që të kishin parasysh integritetin dhe kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e emërimit të të njëjtit”, tha ai.
Megjithatë, Miftaraj tha se presidentja nuk është dashur të merrej me këtë çështje publikisht, pasi kështu “e rrezikon pavarësinë” e Gjykatës Kushtetuese.
“Për më tepër, forma dhe mënyra që presidentja Osmani ka zgjedhur për ta trajtuar ketë çështje përmes adresimit publik, është mënyra më e gabuar dhe e rrezikshme lidhur me pavarësinë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga presidenti i Kosovës vetëm me propozimin e dy të tretave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave.
Osmani theksoi se, pas tërheqjes së kërkesës së saj, ka gjasa që “shumë gjëra të mbesin të paqarta, duke shtuar se dëshiron t’i nxisë deputetët e Kuvendit të Kosovës t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstituive, “me shpresën që Llaban të mos caktohet në lëndën e tyre”.
Në aktgjykimin e saj, të cilin deputetët e shpërfillën, Kushtetuesja nuk kishte treguar pasojat juridike të një shpërfilljeje të tillë.
Kërkesa e Osmanit ishte bërë pasi vendi është zhytur në një krizë politike si pasojë e mosthemelit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Deputetët kanë dështuar në 54 përpjekje që nga 15 prilli për ta bërë Kuvendin e ri, hap i domosdoshëm për formimin e Qeverisë së re.
Në fund të muajit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që deputetët të mos marrin asnjë vendim dhe veprim deri më 8 gusht, sa i përket konstituimit të Kuvendit, derisa po shqyrton dy lëndë.
Kushtetuesja po i shqyrton si lëndë të përbashkët edhe kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kanë kërkuar sqarime për çështjet kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.