Ndërlidhjet

Osmani kërkon sqarime nga Kushtetuesja se çfarë ndodh nëse Kuvendi s'konstituohet brenda afatit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë ndodh nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi. Ajo po ashtu ka kërkuar një masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor.

"Kërkesa jonë sot, në esencë, është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh", tha Osmani në një konferencë për media.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 26 qershor ka obliguar deputetët që ta konstituojnë organin ligjvënës deri më 26 korrik.

Osmani kujtoi se në atkgjykimin paraprak të Kushtetueses lidhur me moskonstituimin e organit ligjvënës pas zgjedhjeve të shkurtit nuk janë sqaruar pasojat juridike.

Sipas saj, qëllimi është që të sqarohet situata e moskonstituimit brenda afati, por edhe se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues, në mungesë të konstituimit të një prej shtyllave kryesore të parimit të ndarjes së pushteteve, që është Kuvendi.

Po ashtu, “duhet të sqarohet se çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas 26 korrikut”, tha ajo, duke shtuar se me këtë kërkesë po synohet të parandalohen dëmet që do të mund të shkaktoheshin.

Osmani tha se në kërkesën e dërguar në Kushtetuese, që ka të bëjë me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, ka paraqitur edhe kërkesën për masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor.

"Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pa fund, dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të konstituoheshin në një mënyrë jokzushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme", tha e para e shtetit.

Çfarë parasheh Ligji për Gjykatën Kushtetuese lidhur me masat e përkohshme?

Sipas nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, ky institucion “sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të palës mund të vendosë përkohësisht masa të përkohshme ndaj një çështjeje që është objekt i procedurës, nëse këto masa janë të nevojshme për të evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme, ose nëse marrja e këtyre masave të përkohshme është në interes publik”.

Në ligj po ashtu thuhet se “kohëzgjatja e masave të përkohshme duhet të jetë e arsyeshme dhe proporcionale”.

Ajo shtoi se një pezullim i afatit do të parandalonte shkeljen e Kushtetutës nga deputetët, konstituimin e Kuvendit pas afatit, që do të ishte jokushtetues dhe mundësinë e zgjedhjes së një qeverie, e cila po ashtu do të ishte në kundërshtim me aktin më të lartë ligjor.

Presidentja Osmani tha se shpreson që kërkesa për masë të përkohshme të trajtohet me urgjencë nga Kushtetuesja.

"Ne shpresojmë që së paku pjesa e masës së përkohshme të trajtohet urgjentisht, në mënyrë që të mbetet një ose dy ditë e pashfrytëzuar e këtij afati, që në momentin kur Gjykata e publikon vendimin e plotë lidhur me pasojat juridike, ndër të tjera, atëherë deputetët t’i kenë së paku këto dy ditë që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën", u shpreh ajo.

Presidenca do ta tërheqë kërkesën nëse deputetët deri para kalimit të afatit të 26 korrikut arrijnë ndonjë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, sqaroi Osmani.

Çfarë thonë ekspertët për kërkesën e Osmanit?

Profesori Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, konsideron se kjo gjykatë nuk do ta shqyrtojë kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për një masë të përkohshme lidhur me afatin e 26 korrikut për konstituimin e Kuvendit.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Kryeziu e konsideroi kërkesën e Osmanit për sqarim të aktvendimit paraprak të vonuar, pasi sipas tij, ajo është dashur që disa ditë pas aktvendimit t’i kërkojë sqarime Gjykatës se si të veprohet pas datës 26 korrik, në rast të moskonsituimit të Kuvendit.

Ndërkaq, sa i përket kërkesës për masë të përkohshme, Kryeziu tha se nuk pret që të merret një masë e tillë.

“Nuk merr gjykata masë të përkohshme ndaj vendimeve të veta, absolutisht, sepse atëherë do të degradonte profesionalizmin dhe institucionin. Kjo nuk ka logjikë, është një kërkesë infantile, ta quaj kështu”, tha ai.

Sipas tij, për kërkesa të tilla për masë të përkohshme, Kushtetuesja ka afat 60-ditor që t’iu përgjigjet dhe nuk vepron shpejt, “kështu që kërkesën që e ka bërë për masë të përkohshme është kundërkushtetuese sepse nuk mund të demolojë një aktvendim, një aktgjykim të gjykatës kushtetuese që hyn në sistemin juridik, do të thotë është ligj. E ligjet nuk ka të drejtë t’i demolojë presidentja e askush tjetër, sepse mbi ligjin nuk është askush”.

Nëse deputetët nuk e respektojnë aktvendimin e Kushtetueses, Kryeziu paralajmëron dy masa: e para, marrja e mandatit dhe e dyta ndjekja penale. Sipas tij, ka praktika evropiane sipas të cilave, përmes një dekrete, Osmani, pa konstituimin e Kuvendit, të shpallë “një masë emergjente vetëm për Parlamentin sa të tejkalohet kjo situatë, sepse nuk ka të drejtë, s’mundet që shteti të shkojë në anarki të plotë”.

Më 21 korrik, deputetët për herë të 50-të dështuan të konstituonin Kuvendin e Kosovës, pasi partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë po kundërshtojnë ndryshimin e mënyrës së votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar si figurë përçarëse të propozuarën e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të votojë asnjë të propozuar nga LVV-ja për kryeparlamentar.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij ka gatishmëri për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, parti së cilës tha se i ka bërë ofertë konkrete.

Kreu i LVV-së, partisë fituese të zgjedhjeve të shkurtit, tha se shpreson që bisedimet me partinë e Limajt të finalizohen gjatë kësaj jave.

“Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, tha ai.

Kush sa vota i ka?

Në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse, nevojiten 61 vota për të votuar me sukses emrin e ri të kryekuvendarit.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Vetëm Nisma Socialdemokrate i ka tre deputetë në Kuvend. Përveç Limajt kjo parti përfaqësohet nga Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Krasniqi.

Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka sinjalizuar më parë se shtatë deputetë të pakicave joserbe do të votonin pro konstitutimit të Kuvendit të ri dhe një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një skenar kur Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e Nismës dhe shtatë të pakicave do të votonin për konstituim të Kuvendit, do të duheshin edhe tri vota për finalizim të procesit me sukses.

Deri më tani, deputetët e pakicave, Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha janë deklaruar se nuk ofrojnë mbështetje pa u plotësuar kushtet e tyre.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG