Kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, synon të fitojë mandatin e tretë radhazi në zgjedhjet parlamentare të së dielës, pas fitoreve bindëse më 2010 dhe 2014.
Shumica e sondazheve të opinionit tregojnë se partia djathtiste Fidesz e Orbanit, në skenarin më të keq, mund të fitojë shumicën e thjeshtë.
Orban është kryeministri i dytë që ka shërbyer më së gjati brenda një vendi të Bashkimit Evropian, pas kancelares gjermane, Angela Merkel.
Ai ka udhëhequr opozitën e krahut lindor të bllokut kundër një sistemi të kuotave – të mbështetur nga Merkel dhe Brukseli – për shpërndarjen e migrantëve nëpër vende të BE-së.
Orban po ashtu është kundërshtari kryesor i përpjekjeve për të thelluar integrimin e bllokut.
Votuesit hungarezë do të zgjedhin 199 anëtarë të parlamentit, në një rreth të vetëm të zgjedhjeve.
Disa sondazhe thonë se pjesëmarrja mbi 70 përqind e votuesve mund të sinjalizojë një mobilizim efikas të opozitës, që mund të bëjë që Fidesz të humbasë shumicën parlamentare.
Pjesëmarrja e lartë mund të shtyjë edhe disa parti më të vogla të opozitës nën pragun prej 5% të hyrjes në Parlament.
Kandidatët e opozitës duhet të fitojnë në 40 deri në 45 qarqe për t’i mohuar shumicën Fideszit, thotë Tibor Zavecz nga qendra e sondazheve, Zavecz, raporton Reuters.
Gjithnjë sipas sondazheve, partia opozitare Jobbik pritet të dalë e dyta. Jobbik e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me Fideszin.
Rregullat e zgjedhjeve janë ndryshuar nga Fidesz qysh në vitin 2010, duke i rritur shanset e partisë në pushtet përballë opozitës së ndarë majtiste dhe partisë së krahut të djathtë Jobbik.
Numri i ulëseve që duhen fituar në Parlament është ulur nga 386 në 199 në vitin 2011.
Rrethi i dytë i votimeve është eliminuar, duke ua mohuar palëve mundësinë e bërjes së marrëveshjeve midis raundeve – gjë që ka kontribuar në ndarjen e opozitës aktuale.
Qeveria e Orbanit u ka dhënë hungarezëve etnikë të drejtën për shtetësi. Ata mund të votojnë listat e partive me letër. Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Zgjedhjeve, 378,000 shtetas të tillë janë regjistruar për zgjedhjet e këtij viti. Shumica e tyre mbështesin Fideszin.
Votimet me postë elektronike janë nxjerrë jashtë ligjit për qindra-mijëra hungarezë të rëndomtë që punojnë jashtë vendit dhe që nuk janë domosdoshmërisht mbështetës të Fideszit.
Të enjten, Komiteti për të Drejta të Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka lëshuar një raport për Hungarinë, duke e kritikuar atë për një sërë çështjesh, përfshirë thellimin e gjuhës së urrejtjes.
Zëvendësudhëheqësi i Komitetit, Yuval Shany, tha se koha e publikimit të vlerësimit nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor.
Sipas këtij vlerësimi, gjuha e urrejtjes në politikë dhe media shënjestron grupet pakicë në Hungari, përfshirë myslimanët, migrantët dhe refugjatët.
Përgatiti: Valona Tela