Ndërlidhjet

Optimizëm i matur për takimin Kurti-Vuçiq 


Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në takimin e ndërmjetësuar nga zyrtarë të lartë evropianë në Bruksel. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në takimin e ndërmjetësuar nga zyrtarë të lartë evropianë në Bruksel. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Herën e fundit kur u takuan në Bruksel, në nëntor të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bartën me vete tensione dhe pasiguri lidhur me përdorimin e targave serbe në veri të Kosovës.

Në takimin e planifikuar për datën 27 shkurt, ata do të kenë përpara një propozim të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Se cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i tyre, nuk është e qartë, por spekulimet se a do ta pranojnë ose jo planin, kanë përfshirë opinionin publik të të dyja palëve.

Çfarë thonë qytetarët në Prishtinë?

Sanije Zeqiraj thotë se palët negociuese do të duhet të gjejnë “një mes”, në mënyrë që të mos përsëriten tensionet.

Ajo thotë se marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë edhe mbështetjen e popullit.

“Nëse vendoset diçka kundër [vullnetit të] popullit, besoj se kemi për të pasur prapë probleme. Unë llogaris që Kurti është shumë i kujdesshëm në këtë pikë dhe nuk dyshoj që mund të bëjë ndonjë gabim”, thotë Zeqiraj, pensioniste nga fusha e arsimit.

Ajo shton se nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë për të arritur një zgjidhje përfundimtare, sepse, siç shprehet, qytetarët janë lodhur nga procesi negociues, i cili ka nisur qysh në vitin 2011.

Samedin Beqiri, librashitës në Prishtinë, nuk ka pritshmëri të larta nga takimi në Bruksel dhe beson se të dyja palët do të negociojnë edhe për një kohë të gjatë, përpara se të arrijnë te ndonjë zgjidhje përfundimtare.

“Sipas mendimit tim, çështja e zgjidhjes finale Kosovë-Serbi është ende larg”, thotë Beqiri për Radion Evropa e Lirë.

“Shpresoj të bëhet më mirë dhe të vendoset njëherë e përgjithmonë për Kosovën”, thotë shkurtimisht Fadil Konushevci, punëtor i sektorit privat.

Çfarë thonë qytetarët në Beograd?

Aleksandar Durkoviq shfaq shpresën se Kosova dhe Serbia do të gjejnë një zgjidhje kompromisi “për hir të interesit të përbashkët”.

Por, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, sipas tij, nuk është i pranueshëm, sepse, siç thotë, Serbia nuk duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

“Vetë presidenti [i Serbisë, Aleksandar Vuçiq] ka thënë se Kosova ligjërisht nuk ekziston dhe se është shtet ilegal”, thotë Durkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Mira beson se bisedimet mes Kurtit dhe Vuçiqit “do të jenë të vështira”, por se presidenti i Serbisë “nuk do të dorëzohet”.

“Ne nuk mund të bëjmë shumë lëshime ndaj Evropës”, thotë ajo.

Nenad Miçiq thotë se pas 27 shkurtit nuk do të ketë ndonjë përparim të madh në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe shton se, aktualisht, “të gjithë janë të kënaqur me status quo-në”.

“Do të kishte probleme nga të dyja palët nëse do të binin dakord për një kompromis... Kjo gjendje u përshtatet edhe disa forcave të tjera, që ndikojnë në ruajtjen e saj”, thotë Miçiq pa saktësuar se për kë e ka fjalën.

Çfarë përfshin propozimi i BE-së për Kosovën dhe Serbinë?

Ndërmjetësit ndërkombëtarë në dialogun Kosovë-Serbi u kanë prezantuar palëve planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve në shtator të vitit të kaluar.

Në atë dokument, i cili është mbështetur nga SHBA-ja, Gjermania dhe Franca, nuk përmendet njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Propozimi nuk është bërë publik, por Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një version, autenticiteti i të cilit është konfirmuar nga burimet në Bruksel.

Në të kërkohet që Serbia të mos ndërhyjë në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që të dyja palët të respektojnë sovranitetin dhe integritetin e njëra-tjetrës.

Propozimi, gjithashtu, përfshin të drejta të barabarta për të dyja vendet, njohjen e simboleve shtetërore, trajtim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Propozimi është pranuar në parim nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë.

Ka ende dallime në qëndrime

Analisti politik në Prishtinë, Artan Muhaxhiri, thotë se pritjet e tij për takimin Kurti-Vuçiq janë minimale.

“Kryeministri Kurti e pranoi propozimin e BE-së si bazë të mirë për negociata. Megjithatë, qëndrimi i tij për një nga çështjet më themelore - Asociacionin e komunave me shumicë serbe - është shumë i komplikuar”, thotë Muhaxhiri, profesor i sociologjisë.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është një çështje që prej vitesh e bllokon përparimin në dialog.

Për formimin e tij, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord në vitin 2013. Megjithatë, Kosova refuzon ta themelojë, duke pretenduar se nuk është në përputhje me Kushtetutën e saj dhe se mund të çojë në ndarjen e vendit.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Duke qenë nën trysninë e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur gjashtë kushte për formimin e tij.

Disa prej tyre thonë se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe t’i shërbejë ekskluzivisht bashkëpunimit ndërkomunal.

Muhaxhiri thotë se pasojat do të jenë të mëdha nëse ndonjëra nga palët nuk e pranon propozimin e BE-së.

“Do të stigmatizohet si palë që e bllokon normalizimin politik të rajonit tonë dhe kjo do të nënkuptojë edhe një pozicionim antagonist ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në vitet në vijim”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë është ndryshe këtë herë?

Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, thotë se më 27 shkurt mund të fillojnë formalisht negociatat për pranimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas tij, takimet më serioze për këtë çështje mund të pasojnë vetëm pas kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.

Ai kujton se plani i BE-së u është paraqitur palëve menjëherë pas tensioneve në veri të Kosovës dhe pas barrikadave të ngritura nga disa qytetarë lokalë serbë.

Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, serbët në veri të Kosovës janë larguar nga Policia e Kosovës, institucionet gjyqësore dhe administrata lokale, në përpjekje për t’i penguar autoritetet e Kosovës që të zbatojnë procesin e riregjistrimit të automjeteve - nga targat ilegale serbe në targa të Republikës së Kosovës.

Ky veprim është pasuar me ngritjen e barrikadave në veri, të cilat janë hequr pasi Vuçiq ka thënë se ka marrë garanci nga SHBA-ja se Asociacioni do të formohet.

Janjiq thotë se për të, propozimi i BE-së është precedent, sepse hap një diskutim publik për një dokument sekret.

“Nuk ka asnjë shembull të kësaj mënyre të përgatitjes dhe zhvillimit të bisedimeve. Nëse do të ketë sukses, kjo do të jetë një çështje për studim në të gjitha universitetet”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë i ka paraprirë takimit në Bruksel?

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka vizituar për herë të fundit Prishtinën dhe Beogradin më 6 shkurt, me qëllim që të caktojë një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut.

Pas kësaj vizite, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe e konsideron atë bazë të mirë për diskutime të mëtejme.

Paraprakisht, Vuçiq ka thënë se është i gatshëm të punojë në zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

SHBA-ja e ka mirëpritur vendimin e Kurtit, duke deklaruar se marrëveshja “do të sjellë përfitime të konsiderueshme për Kosovën dhe Serbinë”.

Kontribuuan: Valona Tela, Albina Kastrati

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG