Opozita maqedonase është për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoni, por më parë kërkon plotësimin e disa kushteve.
Duke komentuar debatet për zbatimin e marrëveshjen me Greqisë përmes ndryshimeve kushtetuese, pas referendumit në të cilin nuk u arrit pragu prej 50 për qind, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka thënë se asnjë deputet i VMRO- DPMNE-së, nuk do të votojë për kërkesën e kryeministrit Zoran Zaev.
Mickovski mbetet në qëndrimin se referendumi ka dështuar, dhe madje në një postim në rrjetin social Facebook, ai marrëveshjen me Greqinë e ka quajtur “të vdekur” ndërsa ka akuzuar pushtetin për falsifikimin e të paktën 50 mijë votave.
“Ne kërkojmë dorëheqjen e parevokueshme të prokurorit të përgjithshëm dhe zgjedhjen e një prokurori të ri me propozim të opozitës, zgjedhjen e qeverisë së re teknike me pjesëmarrjen edhe të VMRO-së në bazë të marrëveshjes së Përzhinës, ashtu siç është vendosur edhe me ligjin e miratuar në Kuvend. Qeveria e re do të ketë mandat vetëm se për organizimin e zgjedhjeve”, ka deklaruar Mickovski.
Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se në rast se nuk arrihet mbështetja për ndryshimet kushtetuese, atëherë zgjedhjet do të ishin të pashmangshme, e madje si datë për mbajtjen e tyre ka përmendur 25 nëntorin.
Zaev ka paralajmëruar konsultime me partitë politike lidhur votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë.
Bisedimet do të përfshijnë të gjitha partitë, si VMRO DPMNE-në e opozitës ashtu edhe partitë politike shqiptare, me qëllim sigurimin e dy të tretave, apo 80 vota në Kuvend, të cilat shumica parlamentare nuk i posedon.
Ajo aktualisht ka 72 deputetë, por edhe kjo shumicë është e diskutueshme bazuar në qëndrimet e dy partive të vogla opozitare shqiptare, që kanë katër deputet e që edhe para referendumin kanë bërë të ditur se ndryshimet kushtetuese mund t'i kushtëzojnë me avancimin e statusit juridik të shqiptarëve përmes ndryshimit të disa amendamenteve që kanë të bëjnë me preambulën dhe gjuhën shqipe.
Paralajmërimi i kreut të qeverisë për bisedime me partitë vjen pas referendumit, i cili edhe pse nuk kaloi pragun prej 50 për qind vlerësohet i suksesshëm nga koalicioni “Për Maqedoninë Evropiane”.
Zaev ka thënë se shumica absolute e qytetarëve apo rreth 600 mijë persona që kanë dalë në referendum kanë votuar për marrëveshjen, që paraqet mbështetjen më të madhe që ka arritur ndonjëherë ndonjë koalicion në ciklet zgjedhore.
Ndërkohë, në opinion vazhdojnë debatet mbi shkaqet e mosarritjes së pragut prej mbi 50 për qind. Analistët thonë se mos dalja përveç listës zgjedhore jo të saktë, ka të bëjë edhe me pakënaqësinë ndaj politikave të qeverisë.
“Ky është një mesazh i fuqishëm për Zoran Zaevin dhe politikën e tij sikur edhe për Ali Ahmetin dhe politikën e tij. Votat që ata i siguruan u japin komoditet për të qeverisur por shtrohen pyetje ku mbeten rreth 150 apo 200 mijë vota e humbura. BDI-ja nuk ka arritur të siguroj votat që i kishte nëzgjedhjet e kaluara parlamentare sikur edhe LSDM-ja që nuk ka arritur të mbajë rreth 50 mijë vota të shqiptarëve".
"Partitë ende nuk po arrijnë të kuptojnë mesazhet e qytetarëve se ata edhe në votime si kjo për referendumin shprehin pakënaqësitë apo dëshpërimin e tyre nga mos përmbushja e premtimeve”, thotë Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve politike.
Ndërkohë, përgjegjësi për gjendjen e krijuar ka kërkuar presidenti Gjorge Ivanov, në një paraqitje para opinionit. Ivanov kërkoi që të respektohet vendimi i popullit, i cili, sipas tij, “e hodhi poshtë marrëveshjen e dëmshme për emrin”.
Kreu i shtetit i dërgoi porosi edhe bashkësisë ndërkombëtare, e cila, sipas tij, po përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë, duke kërkuar që të mos imponojë zgjidhje në kundërshtim me vullnetin popullit.