Ndërlidhjet

Thirrje për kujdes rreth operatorit të tretë të telefonisë mobile


Selia e grupit 4IG, Budapest.
Selia e grupit 4IG, Budapest.

Opozita maqedonase paralajmëroi për një rrezik të mundshëm nga hyrja e kompanisë hungareze 4IG në tregun telekomunikues të Maqedonisë së Veriut për shkak të bashkëpunimit që ka me kompaninë kineze, Huawei. Sipas Memorandumit për sigurinë e teknologjisë 5G ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut, Huawei përfshihet në grupin e prodhuesve si "jo i verifikuar dhe jo i besueshëm".

Një muaj pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit dhe interesit të ndërsjellë të Maqedonisë së Veriut me kompaninë hungareze 4IG për liberalizimin e rrjetit të telekomunikacionit, deri më tani, në Agjencinë për Komunikime Elektronike nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare për shfaqje interesi - as nga Qeveria dhe as nga 4IG-ja hungareze.

Agjencia për Komunikime Elektronike (AEK) është institucioni që duhet të kryejë procedurën për zgjedhjen e operatorit të tretë të mundshëm të telefonisë mobile në Maqedoninë e Veriut.

Drejtori i kësaj agjencie, Jeton Akiku, tha për Radion Evropa e Lirë se sipas procedurës, bazuar në interesin e treguar, AEK-u duhet të bëjë një analizë, të hapë një thirrje publike dhe të zhvillojë një procedurë tenderimi.

“Edhe vetë operatori mund të shprehë zyrtarisht interes, pastaj sipas ligjit duhet të ketë një debat publik dhe procedura e tenderit duhet t’u dorëzohet të gjitha institucioneve ndërkombëtare të telekomunikacionit në mënyrë që më vonë të gjitha palët e interesuara të mund të marrin pjesë në tender”, tha Akiku për REL-in.

Njoftime të ndryshme për hulumtimin e tregut

Letra e qëllimit të hyrjes në tregun maqedonas të telekomunikacionit, e cila u dërgua më 6 gusht nga kompania hungareze 4IG, u shndërrua në Memorandum mirëkuptimi. Atë e nënshkruan bashkërisht më 2 shtator kryetari i grupit Gellert Jaszai dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolovski.

Takimi në të cilin u arrit “marrëveshja paraprake për bashkëpunim afatgjatë për mbështetjen e transformimit digjital të Maqedonisë së Veriut”, u mbajt larg publikut dhe pa praninë e mediave.

Në një komunikatë për media nga kompania hungareze thuhet se është bërë formimi i një grupi pune.

“Partnerët do të formojnë një grup të përbashkët pune për nxitjen e bashkëpunimit, me qëllim hulumtimin e mundësive të tregut dhe përshpejtimin e bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e kompanisë 4IG.

Deklaratë për shtyp e kompanisë hungareze 4IG, 2 shtator 2024.
Deklaratë për shtyp e kompanisë hungareze 4IG, 2 shtator 2024.

REL-i pyeti kompaninë hungareze dhe Qeverinë përse duhej të formohej një grup i përbashkët pune për hulumtimin e tregut, nëse 4IG nuk është partner i dakorduar për hyrje në treg?

Në përgjigjen e Qeverisë për REL-in, thuhet se grupi punues nuk është formuar.

“Grupi i punës mund të formohet pasi të nënshkruhet një marrëveshje, nëse në të vërtetë arrihet një marrëveshje. Në këtë moment është nënshkruar vetëm një Memorandum Mirëkuptimi. Nga kjo është e qartë se të gjithë hapat e mëtejmë i ndërmerr 4IG, e jo Qeveria”, thanë nga Qeveria për Radion Evropa e Lirë.

Nga kompania hungareze nuk dhanë një përgjigje konkrete, por thanë se po përgatiten për tenderin që ende nuk është shpallur.

“Ky Memorandum Mirëkuptimi është hapi i parë i një bashkëpunimi të mundshëm afatgjatë. Në fakt, tregon përkushtimin e ndërsjellë që 4iG të hyjë në tregun maqedonas. Grupi 4iG është i pranishëm në Shqipëri dhe Mal të Zi, me markën ONE dhe është pjesë e strategjisë afatgjatë të biznesit për zgjerimin e rrjetit në rajon. Pra, Maqedonia e Veriut është një nga pikat kyçe në këtë zgjerim. Procesi tani është në fazën e punëve përgatitore të nevojshme për respektimin e procedurës së tenderit”, thuhet në përgjigjen e kompanisë 4IG, për Radion Evropa e Lirë.

Paralajmërimet për kujdes nga rreziku

Në tetor të vitit 2020, qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Maqedonisë së Veriut kishin nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi dhe Sigurie të teknologjisë 5G. Me këtë memorandum, Maqedonia e Veriut u zotua që të mos përdorë teknologjinë 5G nga prodhues “të paverifikuar dhe jo të besueshëm", duke përfshirë kompanitë kineze Huawei dhe ZTE.

Nga Ambasada amerikane në Shkup thanë se Qeveria do të vazhdojë të respektojë marrëveshjen.

“SHBA-ja dhe Maqedonia e Veriut ndajnë qëllimin për mbrojtjen e rrjeteve të komunikimit nga ndërprerjet dhe manipulimet dhe së bashku nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për sigurinë e 5G në vitin 2020 si pjesë e këtyre përpjekjeve. Shpresojmë që Qeveria do të vazhdojë të mbrojë integritetin e rrjetit, të shmangë furnizuesit jo të besueshëm të harduerit dhe softuerit dhe të sigurojë një ekosistem të sigurt dhe etik 5G në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për REL-in.

Bashkëpunimi hungarez-kinez ndërmjet kompanive të tyre kombëtare të telekomunikacionit paraqet rrezik për infrastrukturën kritike të Maqedonisë së Veriut, tha më herët ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pa dhënë detaje.

“Kjo është në kundërshtim me interesat e partnerëve tanë strategjikë”, tha Bekteshi.

Për koordinatorin e grupit parlamentar opozitar të LSDM-së në Kuvend, Oliver Spasovski, pas huas hungareze, në të ardhmen mund të priten edhe marrëveshje të tjera në marrëdhëniet Hungari - Maqedoni e Veriut. Megjithatë, ai bën thirrje për kujdes në këtë proces.

“Duhet të mendojmë seriozisht për këtë operator të tretë të telefonisë mobile, për faktin se Maqedonia e Veriut është vend anëtar i Aleancës së NATO-s dhe ne këtë pjesë duhet ta kemi parasysh se kemi marrë përsipër disa obligime që në asnjë mënyrë nuk duhet të rrezikojnë infrastrukturën kritike të shtetit”, tha Spasovski për REL-in.

Për Ana Krstovskën, eksperte dhe vëzhguese e ndikimit kinez në Maqedoninë e Veriut dhe rajon, hyrja eventuale e 4IG-it hungarez në tregun maqedonas, do të thotë edhe një pikë e mundshme hyrëse e Kinës përmes Huaweit.

“Megjithatë, se si, në çfarë mase dhe në çfarë mënyre, varet konkretisht nga mënyra se si kompania hungareze do t’i vendosë operacionet në vend dhe nëse do të përputhet me kriteret tona për furnizues të sigurt”, tha Krstinovska.

Ajo vuri theksin te pajtueshmëria me Iniciativën për Rrjete të Pastra që Qeveria maqedonase nënshkroi më 2020, për kufizimin e rreziqeve që vijnë nga shtetet autoritare e që lidhen me privatësinë dhe sigurinë e të dhënave, dhe me standardet që duhet respektuar Shkupi me anëtarësimin në NATO.

“Kjo është diçka që duhet të merret parasysh dhe të kërkohet nga kompania hungareze, që të garantojë sigurinë në transferimin dhe ruajtjen e të dhënave të përdoruesve maqedonas”, tha Krstinovska nga organizata joqeveritare Estima.

Kompania hungareze, 4IG, i tha REL-it se i kanë parasysh rregulloret lokale maqedonase.

“Grupi 4IG plotësisht i respekton dhe i përmbush rregulloret lokale pa marrë parasysh regjionin. Për shembull, One Albania përdor Ericsson, jo vetëm si një trashëgimi teknologjike, por edhe për pajtueshmërinë me rregullatorin, ndërsa One Montenegro punon me pajisje ZTE, që gjithashtu është një situatë e trashëguar. Kryesore është ndjekja dhe respektimi i rregulloreve lokale”, thuhet ndër tjerash në përgjigjen e kompanisë për REL-in.

Kompania hungareze, gjithashtu, ka shkruar se Memorandumi i Mirëkuptimit është plotësisht në përputhje me "Planin për qëndrueshmërinë e Maqedonisë së Veriut 2030" dhe angazhimin e këtij vendi ballkanik ndaj Programit Rrjeti i pastër.

4IG dhe lidhjet me Huawein e Kinës

Deri më tani, e vetmja kompani që ka shfaqur interes për të qenë operator i tretë i telefonisë mobile dhe ka nënshkruar Memorandum me Qeverinë e Maqedonisë, është firma 4IG, të cilën mediat hungareze përmes artikujve hulumtues, e lidhin si të afërt me kryeministrin e atjeshëm, Viktor Orban, dhe me një grup të ngushtë njerëzish rreth tij.

Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Huaweit kinez dhe 4IG-it hungarez më 10 maj 2024.
Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Huaweit kinez dhe 4IG-it hungarez më 10 maj 2024.

Huawei kinez dhe 4IG hungarez nënshkruan një letër me qëllim krijimin e një platforme të përbashkët për shërbime cloud për kompanitë hungareze dhe kompanitë e mëdha kineze dhe aziatike me prani në Evropën Qendrore dhe Lindore. Kjo letër u nënshkrua gjatë vizitës së presidentit kinez, Xi Jinping, në Budapest nga 8-10 maj 2024.

Sipas letrës, Huawei dhe 4iG do të ofrojnë shërbime të përbashkëta cloud përmes një qendre të veçantë të dhënash, me infrastrukturë të dedikuar dhe të izoluar dhe theksohet se nuk do të ndikojë në shërbimin ekzistues cloud të 4IG.

“Nuk jemi pjesë e bashkëpunimit mes dy vendeve”

Pas ardhjes në pushtet të VMRO DPMNE-së në Maqedoninë e Veriut, Qeveria i ka forcuar marrëdhëniet me Qeverinë hungareze. Në korrik, në margjinat e Samitit të NATO-s në Uashington, kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, u takua me homologun e tij hungarez, Viktor Orban.

Mickoski bëri të ditur se kanë rënë dakord për një “bashkëpunim të veçantë ekonomik”, që në këtë fazë nënkupton një kredi nga Hungaria prej 500 milionë eurosh.

Duke iu përgjigjur pyetjes së REL-it nëse hyrja eventuale e kompanisë 4IG, në tregun maqedonas mund të interpretohet si pjesë e atij “bashkëpunimi të veçantë ekonomik”, kompania tha se “nuk është e përfshirë në bashkëpunimin e drejtpërdrejtë ndërmjet dy vendeve” dhe se strategjia e rritjes dhe zgjerimit të 4IG është plotësisht e pavarur nga çdo iniciativë politike.

“Kjo strategji ishte vendosur disa vite më parë, më 2020-2021, dhe 4IG që atëherë ka realizuar me sukses 19 blerje. Grupi ka degë në Shqipëri dhe Mal të Zi. Të gjitha këto operojnë nën markën One”.

Duke sqaruar më tej, kompania tha se blerjet më të fundit në Hungari e bënë 4IG-në kompaninë e dytë më të madhe të telekomunikacionit në vend, me gjithsej 3 milionë përdorues të telefonisë mobile dhe pothuajse 2 milionë përdorues të linjës fikse.

“Shteti hungarez është investitor minoritar në kompanitë e telekomunikacionit të 4IG, por kontrolli profesional-financiar dhe menaxhimi janë në duart e menaxhmentit të 4IG”, u përgjigjën nga kompania.

Për ish-ambasadorin në Hungari, Igor Esmerov, ky është operatori i tretë apo i katërt i telefonisë mobile i pranishëm në 30 vjetët e fundit. Por, ai tha se asnjëherë nuk është ngritur çështje e ndonjë interesi specifik, përveç atij komercial dhe respektimit të konkurrencës në treg.

“Mendoj se edhe në këtë rast do të jetë njësoj. Nëse ju kujtohet, edhe në të kaluarën kemi marrë kredi dhe nuk ka pasur dilema të mëdha. Mendoj se bëhet fjalë ekskluzivisht për vendime biznesi, sidomos që shteti është pronar minoritar dhe nuk besoj se dikush do të punonte pa një strategji financiare dhe fitimprurëse të menduar mirë”, tha Esmerov.

Më 17 shtator, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për huan prej gjysmë miliardi eurosh nga Hungaria.

Ndërkohë, kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, deklaroi se Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar ndërmjet kompanisë hungareze 4IG dhe Qeverisë maqedonase është jodetyrues dhe përfaqëson vetëm një formë të shprehjes së interesit, të cilin mund ta tregojnë edhe kompanitë tjera që dëshirojnë të konkurrojnë në procedurën e tenderit. Kur dhe nëse do të shpallet tender për një operator të tretë të telefonisë mobile, ende nuk është marrë një vendim.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG