Sot, më 16 janar bëhen tri vjet nga vrasja e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili kishte themeluar dhe drejtonte Iniciativën Qytetare ‘Liri, Demokraci, Drejtësi’ (SDP),që ishte subjekti kryesor opozitar serb në Mitrovicën e Veriut. Por, tri vjet pas, vrasësit apo autorët e atentatit janë ende të panjohur, pavarësisht se prokuroria e Kosovës ka ngritur tri aktakuza deri më tash.
Prokuroria Speciale e Kosovës e kishte ngritur aktakuzën e parë më 2 dhjetor, 2019. Më 30 dhjetor, prokurori i atëhershëm, Sylë Hoxha kishte paraqitur aktakuzën e dytë, të ndryshuar, në bazë të së cilës u mbajt një seancë parapake më 11 shkurt, 2020.
Në këtë gjykim, të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u patën deklaruar të pafajshëm për akuzat kundër tyre, ndërsa tre të akuzuarit e mbetur, Zvonko Vesellinoviq, Millan Radoiçiq dhe Zhelko Bojiq, ishin në arrati.
Tri aktakuza në tri vjet
Në nëntor të vitit 2020, u ngrit një aktakuzë e re, e treta me radhë, pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë e kishte hedhur poshtë aktakuzën e dytë të Prokurorisë Speciale, pas kërkesës së palës mbrojtëse, të cilët apeluan vendimin.
Seanca paraprake, bazuar në aktakuzën e re është shtyrë dy herë deri më tani.
Më 4 dhjetor, 2020, u vendos që seanca të shtyhet për një javë për arsye procedurale dhe më 11 dhjetor u shty sërish për një kohë të pacaktuar. Kjo pasi që gjykatësi vendosi se avokati, Faruk Korenica nuk mund ta mbronte Nedeljko Spasojeviqin sepse ai ishte përfaqësuesi ligjor i Rade Basarit në procedurat paraprake.
Tomë Gashi, avokati aktual i Rade Basarit, thotë se aktakuza e re vetëm sa është dorëzuar dhe se nuk ka ndryshime të rëndësishme në të "duke pasur parasysh se ajo përfshin të njëjtit persona që akuzohen për krime pothuajse identike".
"Gjykata e Apelit e ka urdhëruar prokurorinë që të ndryshojë aktakuzën, ata e kanë bërë një gjë të tillë, por nuk ka ndryshime serioze”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë, duke theksuar se gjykimi duhet të fillojë së shpejti.
"Lënda është e madhe dhe mund të zgjasë me muaj", shtoi Gashi.
Sidoqoftë, avokatja Jovana Fillipoviq thotë se Prokuroria Speciale e Kosovës, në aktakuzën e re në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq, riklasifikoi disa vepra penale, kështu që tani Silvana Arsoviq akuzohet për vrasje të rëndë, e që më parë akuzohej se ka ndihmuar në kryerjen e veprës së rëndë penale: vrasje.
Filipoviq po mbron të akuzuarën Silvana Arsoviq, e cila ishte sekretare e Oliver Ivanoviqit dhe e cila në aktakuzën e re, akuzohet për pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal dhe shpërdorim të pozitës zyrtare.
Gjithashtu, në aktakuzën e re, Marko Roshiq akuzohet për vrasje të rëndë. Në aktakuzën paraprake, ai po ashtu akuzohej se ka ndihmuar në kryerjen e krimit të vrasjes së rëndë dhe shpërdorimit të detyrës.
“Në aktakuzën e re të Prokurorisë Speciale, përmenden edhe dy persona të rinj, të cilët pretendohet se kanë marrë pjesë në grupin e organizuar kriminal. Por, ne nuk i kemi aktet apo veprat penale me të cilat ata ngarkohen. Dhe për më shumë, aty thuhet se ata janë të panjohur për agjencitë e zbatimit të ligjit. Pra, në këtë shpjegim, thuhet se ekzistojnë këta persona të rinj, por askush i ri nuk është akuzuar”, thotë avokatja Filipoviq.
Hetime edhe në Serbi
Përveç Kosovës, edhe Prokuroria Speciale e Serbisë po heton vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Mirosllav Ivanoviq, vëllai i Oliverit të vrarë, thotë se institucionet kompetente patën dhënë premtime të mëdha në vitin 2018. Ndër të tjera, ata e patën siguruar familjen se rezultatet e hetimit do të diheshin shumë shpejt dhe se autorët e krimit do të përballeshin me drejtësinë.
"Deri më sot, asnjë nga këto premtime nuk është realizuar. Në Prishtinë po zhvillohet një hetim lidhur me vrasjen, por në atë aktakuzë nuk ka emra të cilët e kanë kryer veprën, emra të porositësve apo ndihmësve të drejtpërdrejtë… Në Beograd po zhvillohet diçka pak më ndryshe, e që është procedurë parahetimore. Nga këto zhvillime, më duket se e tëra është vetëm sa për të hedhur hi në sy të publikut, asgjë tjetër”, vlerëson ai.
Mirosllav Ivanoviq, që është gjykatës me profesion, është i bindur se ka qenë e mundur që të bëhet shumë më tepër, kur bëhet fjalë për hetimin e vrasjes së vëllait të tij. Siç thotë ai, "në konferenca të ndryshme për media, deklarohet se si brenda pak ditësh do të publikohen emrat e autorëve të vrasjes së vëllait".
"Vrasja u krye në qendër të qytetit, në mes të ditës, në prani të një numri të madh njerëzish. Ndaj tij u qëllua gjashtë herë. Diçka e tillë do të duhej të zbulohej në tri ditë dhe jo në tri vjet", tha Ivanoviq, duke shtuar se familja e Oliver Ivanoviqit, “është e zhgënjyer tej mase”.
"Gjykojeni edhe vet, janë përmendur emrat e disa njerëzve lidhur me kontekstin e vrasjes. Por, e kam krijuar përshtypjen se këta njerëz po mbrohen në publik, duke u thirrur në atë se nuk janë autorë të veprës, gjë që është jashtëzakonisht e pazakontë, në vend që të zbulohet nëse janë fajtorë apo jo. Kjo shkon vetëm në favor të vrasësve dhe atyre që e urdhëruan atë, sepse koha kalon, provat relativizohen, e faktet harrohen”, shton Mirosllav Ivanoviq.
Ai konstaton se vrasja e Oliver Ivanoviqit ka sjellë pasiguri në mesin e njerëzve, por edhe në mesin e përfaqësuesve politikë serbë "të cilët mendojnë ndryshe".
“Nuk nuk mund ta vrisni një njeri vetëm sepse ai mendonte ndryshe, kishte disa pikëpamje të ndryshme politike për atë se si duhej jetuar e të organizohej jeta në një mjedis".
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Ai ishte udhëheqës i Iniciativës Qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia - Oliver Ivanoviq".
Gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të Kosovës, në nëntor 2017, nga lista e subjektit të tij politik ishin tërhequr katër kandidatë, për shkak të fushatës së frikësimit të serbëve në veri të Kosovës. Në Mitrovicën e Veriut ishin djegur edhe makina të kundërshtarëve politikë.
Në këto zgjedhje, ai kishte marr 1,051 vota, duke fituar ulëse në Asamblenë Komunale të Mitrovicës Veriore.
Gjithashtu, në fillim të vitit 2014, Ivanoviq ishte njëri nga kandidatët për kryetar të Mitrovicës së Veriut, kur u arrestua nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve shqiptarë të Kosovës në vitet 1999-2000.
Nën këto akuza, ai u dënua me nëntë vjet burg në vitin 2016. Gjykata e Apelit e Kosovës kishte urdhëruar rigjykim në këtë rast, në shkurt 2017. Që nga ajo kohë, atij i ishte hequr masa e arrestit shtëpiak dhe në prill 2017, i ishte mundësuar mbrojta në liri.
Facebook Forum