Mijëra qytetarë nga Mitrovica e Veriut, të mërkurën, kanë marrë pjesë në kortezhin mortor për të përcjellë trupin e pajetë të Oliver Ivanoviqit deri në dalje qytetit, prej nga është dërguar në Beograd, ku edhe do të bëhet varrimi i tij.
Ivanoviq, i cili ishte lider i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” është qëlluar për vdekje të martën para selisë së partisë së tij, në Mitrovicën Veriore.
Sipas Policisë së Kosovës, mbi Ivanoviqin është qëlluar 6 herë me armë zjarri të kalibrit 9x19 mm, me shurdhues.
Grupi punues i Policisë së Kosovës, me autorizimin e prokurorëve të përcaktuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, janë duke punuar në mënyrë intensive për mbledhjen e provave materiale, të cilat mund ta ndihmojnë procesin e hetimeve për vrasjen e politikanit serb të veriut, Oliver Ivanoviq, konfirmojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.
Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në rajonin Mitrovicës së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht policia është duke punuar për verifikimin e informacioneve që mund të çojnë në zbardhjen e rastit.
“Po flasim për këtë fazë të verifikimit të informacioneve, në veçanti të xhirimeve nga kamerat e sigurisë në disa lokacione të ndryshme, jo vetëm nga ndërtesa e selisë së partisë së Ivanoviqit, por edhe nga lokacionet tjera të qytetit dhe më gjerë. E gjithë kjo me qëllimin që të përcaktojmë drejtimin, kalimin, ardhjen ose ikjen nga vendi i ngjarjes i veturës së dyshuar me persona të dyshuar, e cila është gjetur dje, si pjesë e provave materiale”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se pjesë e ekzaminimit është edhe vetura, e cila është në proces të verifikimit të pronarit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të ofrojë përkrahje për familjen Ivanoviq, si dhe të krijojë lehtësira për përcjelljen e kortezhit mortor deri në pikën e kalimit kufitar.
Në anën tjetër, qytetarë të shumtë serbë, të cilët kanë marrë pjesë në kortezhin mortor të Ivanoviqit, e kanë cilësuar atë si njeri të popullit, duke thënë se vdekja e tij është përjetuar rëndë nga çdo qytetarë serbë.
Stanika Sedlareviq, ish-banore e Prishtinës, e cila është zhvendosur në Mitrovicë të Veriut, e ka vlerësuar Ivanoviqin si luftëtar të madh për të drejtat e serbëve në Kosovë.
“Ai e ka ruajtur Mitrovicën tek ura dhe me të vërtetë ka qenë i njerëzishëm. Kur ka qenë në burg, ne e kemi përjetuar rëndë. Nuk ka kaluar askush nëpër rrugë, të cilit ai nuk ia ka shtrirë dorën. Njeri të tillë më nuk lind nëna. Sot është dita më e rëndë”, ka thënë Sedlareviq.
Dushan Prodanoviq nga Mitrovica e Veriut thotë se vrasja e Ivanoviqit ka krijuar pasiguri tek qytetarët.
“T’ua them të vërtetën, unë mendoj se shumica e njerëzve këtu janë të dëshpëruar, por edhe pak të frikësuar se çfarë mund të ngjajë. Kaq liri që dikush të bëjë diçka të tillë në mes të ditës, kjo do të thotë se gjithkujt mund t’i ndodhë gjithçka. Kjo ndikon keq tek popullatën këtu dhe mbijetesën në Kosovë”, tha Prodanoviq.
Vojin Jovanoviq, thotë se vrasja e Ivanoviqit ka shkaktuar trishtim tek qytetarët serbë në veri të Kosovës.
“Ndjehem i trishtuar dhe keq lidhur me këtë që ka ndodhur. Kemi humbur një njeri të ri, një entuziast, një njeri që ishte i gatshëm që të sakrifikohej për të mirën e këtyre njerëzve që jetojnë në këto hapësira. Pas gjithë atyre që ka përjetuar ai, dikujt i është dukur pak dhe e vranë. Kjo është e tmerrshme”, tha Jovanoviq.
Dragomir Erakoviq, po ashtu nga Mitrovica e Veriut, me mjaft shqetësim thotë se e ka përjetuar shumë rëndë vrasjen e Ivanoviqit.
“Ndjejmë se jemi vrarë.... jemi vrarë, e shihni ndjehemi? Nuk kemi liri, nuk kemi asnjë garanci”, tha Erakoviq.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës thotë se është e vetëdijshme për shqetësimin e qytetarëve me rastin e vrasjes së Ivanoviqit. Por, Hoti ka theksuar se pavarësisht kësaj, i gjithë ky shqetësim nuk ka dalë nga kontrolli.
“Rasti si rast ka sjellë me vete shqetësime dhe mendoj që ka sjellë me vete edhe ngarkesë ose tension psikologjik tek qytetarët, banorët e Mitrovicës. Kjo është tërësisht e arsyeshme, por ajo që është më e rëndësishme që këto tensione ose ngarkesa, mund të them që nuk janë manifestuar me veprime konkrete në terren, të cilat në çfarëdo lloj forme do të ndikonin, cenonin ose rrezikonin sigurinë publike”, tha Hoti.
Ndryshe, gjatë ditës së martë ka pasur reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, si dhe ndërkombëtare, të cilët e kanë dënuar aktin e vrasjes së Ivanoviqit.