Ndërlidhjet

Brnabiq: Nëse s’na lejojnë, do të hetojmë vetë vrasjen e Ivanoviqit


Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha se vendi i saj është duke pritur përgjigjen nga misionet e Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian në Kosovë, në lidhje me kërkesën e autoriteteve serbe për t’u përfshirë në hetimin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, në veri të Mitrovicës.

“Kemi bërë një kërkesë në emër të Qeverisë së Serbisë për të marrë pjesë në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, të cilat po udhëhiqen nga autoritetet e Kosovës. Presim përgjigje nga misionet UNMIK dhe EULEX, të cilat janë të vendosura në Kosovë”, tha Brnabiq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

“Sigurisht se do të ofrojmë gjithë ndihmën e nevojshme për zbardhjen e këtij krimi të tmerrshëm. Nëse nuk lejohemi të marrim pjesë në hetime, do t’i bëjmë tonat. Megjithatë, kam shpresa të mëdha se do të ketë bashkëpunim dhe se Serbia do të marrë pjesë në hetime, së bashku me autoritetet e Kosovës”, shtoi Brnabiq.

Ivanoviq, udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia“ në Kosovë, ka ndërruar jetë mëngjesin e së martës, pasi është qëlluar me armë zjarri në veri të Mitrovicës.

Pas vrasjes, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë është mbledhur në takim, nën udhëheqjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Zyra e Ivanoviqit në Mitrovicën e veriut.
Zyra e Ivanoviqit në Mitrovicën e veriut.

Brnabiq tha se në këtë takim, zyrtarët janë konsultuar edhe me agjencinë e inteligjencës dhe atë ushtarake dhe se ato do të bashkëpunojnë në hetimet eventuale nga autoritetet serbe.

“Gjëja më e rëndësishme është të gjejmë atë ose ata që e bënë këtë, t’i sjellim para drejtësisë, në mënyrë që të dënohen për atë që kanë bërë”, tha Brnabiq për Radion Evropa e Lirë.

Brnabiq po ashtu tha se nuk ka asnjë reagim të autoriteteve në Kosovë ndaj, siç u shpreh, kërcënimeve ndaj pakicës serbe që jeton në Kosovë.

“Nuk dua të paragjykoj për autorin e mundshëm dhe nuk pretendoj se shqiptarët janë përgjegjës për krimin. Por, dua të theksoj se nuk ka asnjë reagim nga zyrtarët kosovarë ndaj kërcënimeve që i drejtohen popullit serb. Serbia ka synime të sinqerta për përmirësimin e marrëdhënieve me Prishtinën, por ne nuk mund ta bëjmë këtë vetëm”, tha Brnabiq.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Prishtinë, tha se autoritetet kompetente janë angazhuar në zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit dhe se nuk i mirëpret deklaratat e askujt për ndërhyrjen në hetime. Haradinaj tha se FBI mund të thirret për ndihmë nëse është e nevojshme.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG