Ndërlidhjet

OBSH-ja paralajmëron për rrezik të sëmundjeve në Liban


Fëmijët e zhvendosur flenë në një parking në qendër të qytetit, në mes të luftimeve të vazhdueshme midis Hezbollahut dhe Izraelit, në Bejrut, Liban, 8 tetor 2024.
Fëmijët e zhvendosur flenë në një parking në qendër të qytetit, në mes të luftimeve të vazhdueshme midis Hezbollahut dhe Izraelit, në Bejrut, Liban, 8 tetor 2024.

Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar të martën se ka rrezik për shpërthimin e sëmundjeve në Liban, për shkak të kushteve në strehimoret e mbipopulluara të njerëzve të zhvendosur dhe mbylljes së spitaleve, pasi mjekët janë duke ikur nga sulmet izraelite.

Ushtria izraelite i ka nisur operacionet tokësore edhe në jugperëndim të Libanit të martën, duke e përshkallëzuar konfliktin njëvjeçar me grupin e mbështetur nga Irani, Hezbollah, si pasojë e të cilit janë vrarë mbi 1.000 njerëz në dy javët e fundit.

“Ne po përballemi me një gjendje kur rreziku për shpërthimin e sëmundjeve është shumë më i lartë, si për shembull, diarreja, hepatiti A dhe një numër sëmundjesh të parandalueshme përmes vaksinimit”, tha në një konferencë për media Ian Clarke, zyrtar i OBSH-së në Liban.

Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar tashmë se sistemi shëndetësor është i mbingarkuar dhe deri tani pesë spitale në vend janë mbyllur dhe katër të tjera funksionojnë vetëm pjesërisht, tha Clarke.

Ai shtoi se spitalet janë mbyllur sepse mjekët ose janë larguar për shkak të luftimeve, ose u është kërkuar të evakuohen nga autoritetet libaneze.

Në të njëjtën konferencë, një zyrtar i Programit Botëror për Ushqim (WFP) shprehu shqetësim për aftësinë e Libanit për të ushqyer veten, duke thënë se mijëra hektarë tokë bujqësore në jug të vendit janë djegur ose braktisur për shkak të përshkallëzimit të luftimeve.

"Sa i përket bujqësisë dhe prodhimit të ushqimit, ka një shqetësim të jashtëzakonshëm për aftësinë e Libanit për të vazhduar të ushqejë veten", tha Matthew Hollingworth, drejtori i WFP në Liban, duke shtuar se të korrat nuk do të ndodhin dhe prodhimet po kalben në fusha.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG